E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mima: Bashkitë në 2008 kanë rritur me 25-40% taksat



Biznesi i vogël pritet të rëndohet më shumë me taksa, pasi pushteti vendor ka vendosur të rrisë barrën fiskale ndaj tyre. Për t’i paraprirë një vendimmarrjeje të tillë nga vendorët, Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje pushtetit vendor, që të mos rëndojë biznesin e vogël me taksa të reja, pasi përndryshe do të ndërhyjë ekzekutivi. Por nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka akuzuar qeverinë se është ajo që po rëndon biznesin me taksën e sheshtë. Për të sqaruar më tej efektin që ka taksa e sheshtë ndaj biznesit të vogël, zëvendësministri i Financave, Florim Mima, ka dhënë dje shpjegimet e tij lidhur me tatimin mbi të ardhurat që paguan biznesi i vogël. “Kërkojmë të sqarojmë opinionin publik në lidhje me deklaratën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, sikur gjoja bizneset e vogla penalizohen nga prezantimi i taksës së sheshtë prej 10%, që ato do të duhet të paguajnë në fund të tremujorit të parë për vitin 2009 për aktivitetin e vitit 2008. Kjo është totalisht e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për asnjë taksë të re. Kemi thënë dhe sqaruar disa herë më parë se kjo është thjesht një metodë rakordimi, për të kaluar nga taksimi i paragjykuar në taksimin real”, - ka sqaruar zëvendësministri Mima. Sipas tij, bizneset e vogla të cilat paguajnë kuotat fikse në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit, në përfundim të vitit do të duhet të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror, duke dorëzuar një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe pritet që në fund të këtij procesi, shumica e bizneseve jo vetëm që nuk duhet të paguajnë taksë shtesë, por në të kundërt pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër në komuna dhe bashki. Mima sqaroi se për sa i përket rimbursimit, ai do të përballohet totalisht nga fondet e pushtetit qendror dhe nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato do të transferohen pranë pushtetit vendor. Kjo është e vërteta e vetme në lidhje me taksën e sheshtë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të shikojë taksat dhe tarifat vendore, të cilat vetëm nga viti 2007 në vitin 2008 janë rritur me një ritëm nga 25–40 %. Përmendim taksën e gjelbër, e cila si një taksë e përkohshme është miratuar vetëm nga Këshilli Bashkiak, pra pa autorizim ligjor specifik; tarifën e pastrimit; taksën e pasurisë; dhe më e keqja akoma, një taksë të re e cila po ashtu është prezantuar gjatë këtij viti me vendim të njëanshëm të Këshillit Bashkiak dhe që ka të bëjë me të gjitha kamionçinat, kamionët, mikrobusët, autobusët etj., me targa jo të Tiranës, por që hyjnë për furnizime a transport në Tiranë dhe që për çdo prekje të tyre në territorin e Tiranës, ato do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë taksë, një çmenduri e vërtetë kjo. Dhe mjafton një përllogaritje e thjeshtë për të parë që një biznes i vogël që viziton Tiranën rreth 40-50 herë në vit, do të duhet që vetëm me këtë taksë të paguajë pothuaj të njëjtën shumë që ai paguan sot si taksë për biznesin e vogël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›