Gjirokastër; Të dyshuar për disa vjedhje, në pranga dy adoleshentë
Policia e Gjirokastrës vuri në pranga dy adoleshentë, të cilët akuzohen për vjedhje. Specialistët dhe agjentët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, vunë në pranga K. Bathën, 16 vjeç dhe 18-vjeçarin A. Novi, të dy lindur dhe banues në fshatin Zenelej të rrethit Gjirokastër. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi të dy këta shtetas, në datën 31.03.2009, rreth orës 01:00, janë kapur në flagrancë në vendin e quajtur lagjja “11 Janari” të qytetit Gjirokastër, duke vjedhur me thyerje një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit F.D., banues në këtë lagje, ku pasi kanë marrë kasetofonin dhe 4 bokset, janë kapur në flagrancë nga policia. Gjithashtu, nga puna e bërë nga ana e specialistëve të këtij seksioni, u arrit të zbardheshin dhe të dokumentoheshin me prova ligjore edhe disa vjedhje të tjera të kryera nga këta persona gjatë muajit mars në qytetin e Gjirokastrës. Dy të rinjtë, sipas policisë, akuzohen se kanë kryer edhe tre vjedhje të tjera me thyerje.
Arrestimi
Aksidentohen në Pukë, policia i prangos për trafik armësh
Tre persona të plagosur si pasojë e një aksidenti në aksin rrugor Kukës-Pukë, u vunë në pranga nga policia, pasi në makinën e tyre u gjetën armë. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Qafë Shllak”, ku një automjet tip “Benz” me targa TR 8036 J ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 2 shtetas të tjerë, të cilët ishin pasagjerë në mjetin përkatës. Pas këqyrjes se vendit të ngjarjes dhe kontrollit të bërë pranë automjetit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 copë pistoleta të markës “Zastava”, bashkë me krehrat e tyre. Nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Shkodër janë arrestuar Bardhyl Meçja, 44 vjeç dhe Ylli Bardhi, 30 vjeç, të dy lindur dhe banues në Librazhd, si dhe Klajdi Kastrioti, 35 vjeç, nga Gramshi. Sipas policisë, arrestimi i tyre u bë pasi nga kryerja e veprimeve hetimore rezultoi se këto armë janë trafikuar nga Kosova nga të ndaluarit, të cilët lëviznin me automjetin në fjalë. Të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve, në bashkëpunim”, ndërsa për drejtuesin e automjetit, Bardhyl Meçja, shtohet edhe vepra penale e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.