E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet minerare, ligji i ri heq bonusin për investitorin

Debati Ministria e Ekonomisë diskuton me vendorët variantin e ri

Zhvillimi i tregut minierar dhe kalimi në një stad tjetër, në favor të pushtetit vendor, do të jetë objekt i ligjit të ri për minierat. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, tregtisë dhe Energjetikës, në variantin e ri do të ndryshojnë shumë elementë të ligjit aktual, ku më kryesori do të jetë heqja e ofertës së pakërkuar (bonusi që merrte investitori që paraqiste i pari projektin), si dhe kufizimi i përdorimit të minierës, që do të thotë, jepet leje vetëm për një lloj të caktuar minerali, dhe jo çfarë ofron toka. Këto dhe të tjera detaje u zbuluan dje në takimin që zv.ministri Neritan Alibali pati me krerët e njësive vendore, ku tregu minerar është sektori kryesor. “Ajo që synohet është rritja e fitimeve dhe përmirësimi i ekonomisë në zonat mineralmbajtëse, pasi fatkeqësisht rezulton që këto zona edhe pse të pasura me mineral ka familje që vuajnë nga varfëria. Pushtetet vendore do të përfitojnë 25 për qind të rentës minerare”, u tha zv.ministri krerëve të bashkive dhe komunave, të pranishëm në mbledhje, kryesisht nga Kukësi, Elbasani, Bulqiza dhe Klosi.

Ajo që kërkohet të ndryshohet është parimi i marrjes së një leje për shfrytëzimin e zonave mineral mbajtëse. “Me projektligjin e ri do të shqyrtohen kërkesat që do të jepen nga ana e subjekteve. Do të hiqet parimi i të parit që bën ofertë. Gjykimi është bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore. Një pikë kyçe e këtij ligji do të jetë procesi i rehabilitimit të zonave mineralmbajtëse dhe përcaktimi i sanksioneve për ato subjekte të cilat nuk respektojnë zbatim të kushteve të mjedisit”, tha drejtori i Politikave Industriale, Sokol Mati.

Ligji i hartuar do t’i kalojë këshillit kombëtar të biznesit. Koha e kërkimit të një minerali është 3 vjet me dy shtesa nga 1 vit. Tani kjo kohë do të reduktohet më 2 vjet dhe vetëm me një shtyrje 1-vjeçare.

Aktualisht, në industrinë minerare janë aktive 832 leje minerare. është rritur në mënyrë të konsiderueshme prodhimi i mineraleve jo metalore, kryesisht për prodhimin e materialeve të ndërtimit, argjilave si lëndë e parë për prodhimin e çimentos, gurët dekorative etj. Prodhimi është rritur vit mbas viti, duke rritur në 44 gamën e mineraleve të shfrytëzueshme me rreth 5 milionë tonë minerale prodhim në vit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›