E Diel, 1 Nëntor 2026

Saranda, i pari qytet me semaforë për të verbrit

Projekti Sinjale zanore për lëvizjen e “njerëzve me shkop”

Tashmë për të verbrit e Sarandës nëpër rrugët e qytetit do të vendosen semaforë akustikë. Falë tyre kjo kategori sociale do të ketë mundësi të kalojë nëpër rrugë dhe kryqëzime pa ndihmën e të tjerëve. Kjo do të bëhet e mundur falë një projekti pilot, që e shndërron Sarandën në të parin qytet në Shqipëri, ku të verbrit kanë mundësi ta gjejnë rrugën vetë. Projekti është pritur me shumë qytetari e zemërgjerësi nga këshilltarët dhe kryebashkiaku Gjoka, të cilët kanë akorduar nga buxheti i vitit 2010 shpenzimin prej 500 mijë lekësh, që është vlera e zbatimit të projektit që për herë të parë në Shqipëri shton një shërbim social në adresë të të verbërve. Kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Sarandë, Kosta Bako, tha se ky projekt do të thotë që të verbrit, duke marrë sinjale folëse, të orientohen saktësisht dhe të kalojnë kryqëzimet e rrugëve kryesore pa u rrezikuar nga automjetet. “Në këtë mënyrë rritet maksimalisht pavarësia e të verbërve në rrugë dhe plotësohet një boshllëk tjetër në shërbimin ndaj nesh”, thotë Bako. Mësohet se semaforët akustikë do të vendosen në kolonat e semaforëve ekzistues në qytet. Në qytetin e Sarandës shkon në 70 numri i të verbërve që trajtohen nga bashkia, 32 prej të cilëve i përkasin kategorisë që kanë edhe shoqërues. Ndërsa pjesa tjetër rezulton e paaftë për punë. Së bashku me invalidët e verbër në zonat rurale të Sarandës, shoqata numëron rreth 300 veta, të cilët marrin pagesë sociale. Me zbatimin e projektit-pilot të semaforëve akustikë, Saranda e kësaj vere pritet të jetë e ngjashme me qytete të Spanjës, Francës, Gjermanisë etj., nga vjen kjo eksperiencë dhe teknologji.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›