E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Krime të sofistikuara

Vëzhgimi Shkodër, asnjë autor për vrasjet më të bujshme

Katër ditë pas vrasjes së biznesmenit Astrit Meshuni, i cili u qëllua për vdekje pranë banesës së tij nga një breshëri automatiku në sy të gruas dhe fëmijëve, ende nuk ka motiv apo të ndaluar për këtë ngjarje të rëndë. Nga 25 personat e shoqëruar pas ngjarjes për mungesë provash asnjë prej tyre nuk është mbajtur më shumë se 24 orë në ambientet e policisë. Për blutë e Shkodrës, ngjarja e rëndë vazhdon të mbetet enigmatike pa autor dhe e padokumentuar me prova ligjore. Ajo që bie në sy ndër vite në qytetin verior të Shkodrës është fakti se ngjarje të rënda si: vrasje biznesmenësh, vendosja e eksplozivëve të telekomanduar në distancë, apo vrasjet e “të fortëve” mbeten pa autor. Kujtojmë vrasjen e kryetarit të PDK-së në Malësi të Madhe, Aleks Keka, i vrarë në muajin qershor të vitit 2009 nëpërmjet një eksplozivi të tipit C4 që iu vendos në makinë dhe u aktivizua nëpërmjet celularit. Po kështu, vendosja e një sasie eksplozivi në banesën e avokatit Gjon Lepuri rreth dy javë më parë vazhdon të jetë e pazbuluar. Së fundmi, vrasja e biznesmenit Astrit Meshnuni, nuk ka asnjë të ndaluar si autor.

Në një vështrim të hedhur mbi vrasjet e ndodhura ndër vite në Qarkun e Shkodrës vihet re një rënie e numrit të vrasjeve për arsye gjakmarrjeje, por një tendencë në rritje e krimit gjatë këtij viti. Kështu, vetëm gjatë tre muajve të parë të 2010 janë shënuar dy vrasje, katër plagosje me armë zjarri dhe një vendosje eksplozivi në banesë. Ndërkaq, sipas ekspertëve të policisë kriminale, ajo që bie në sy në botën e krimit në Shkodër, ndryshe nga qytetet e tjera, është fakti se veprohet në mënyrë individuale për shkak “të sedrës”. Kjo do të thotë se në Shkodër ashtu dhe siç ka ndodhur, “të fortët” ekzekutohen nga fëmijë, femra, të moshuar dhe njerëz që nuk kanë të bëjnë fare me botën e krimit.
Shqetësuese për policinë e Shkodrës mbeten personat e shpallur në kërkim. Janë 227 persona të listën e të kërkuarve nga Drejtoria e Policisë së Qarkut, nga të cilët 79 janë persona që përbëjnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe janë të shpallur në kërkim për vrasje. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se gjatë dy viteve të fundit janë zbuluar 21 ngjarje të vjetra, ku është bërë dokumentimi ligjor e goditja e autorëve në 15 prej tyre, pavarësisht nga kjo duket se policia në Shkodër ka një betejë të fortë me krimin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›