Pyjet shqiptare përfitojnë nga fondet e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm
Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri njoftoi së fundmi se ka arritur të sigurojë fonde nga Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për financimin e një projekti ripyllëzimi në Shqipëri. Sipas BB, ky është projekti i parë shqiptar që përfiton financim nga fondi për uljen e emisionit të dyoksidit të karbonit në planet. Dyoksidi i karbonit konsiderohet si shkaktari më i madh i fenomenit të ngrohjes globale.
“Projekti për Rigjenerimin Natyror dhe Pyllëzimin, pjesë e Programit të Zhvillimit të Burimeve Natyrore, synon të pyllëzojë dhe ripyllëzojë tokat shumë të degraduara dhe të gjallërojë pyje me drurë gjethegjerë shumë funksionalë me specie të vendit”, njoftoi Banka Botërore.
Zona e projektit, vlerësuar nga kompania e pavarur audituese TueV Sued, është 6,272.34 ha dhe përfshin këto aktivitete: I) mbrojtjen e zonave për rigjenerimin natyror me një gardhim prej 168,868 m, II) mbjelljen e 2817.6 ha shtesë (200 – 500 fidanë për ha) për të pasuruar larminë e specieve dhe stabilizuar zonat me erozion, III) punime bazë të pylltarisë në 4286.83 ha për të promovuar rritjen e biomasës (si shartimin, pastrimin dhe rrallimin).
Sipas vlerësimeve, aktivitetet e përfshira në projekt priten të eliminojnë rreth 0.14 tonë metrik ekuivalente të dyoksidit të karbonit (MtCO2e) deri në 2012 dhe rreth 0.25 MtCO2e deri në 2017.
Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër të OKB-së është një traktat ku vendet e zhvilluara, të cilat emetojnë sasi të mëdha dyoksidi karboni, detyrohen të paguajnë për dëmin që i shkaktojnë planetit. Këto fonde mund të përfitohen nga vendet e pazhvilluara, në rast se prezantojnë projekte që shmangin emisionet e karbonit. Një numër i madh projektesh të energjisë së pastër që janë ideuar në Shqipëri, të tilla si: hidrocentrale të vogla, impiante të prodhimit të energjisë së erës apo bionafta, synojnë që të gjitha të përfitojnë nga fondet e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm. Megjithatë, asnjë kompani shqiptare nuk ia ka dalë të përfitojë nga këto fonde. Austriakët e Verbund, të cilët nisën këtë muaj ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, deklaruan se i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të përfituar nga këto fonde dhe se do të paraqesin projektin pranë zyrës së OKB-së që menaxhon fondin e Zhvillimit të Pastër me qendër në Bon të Gjermanisë. Disa kompani private kanë filluar t’u drejtohen konsulentëve të huaj për të prezantuar në Bon projektet e veta me qëllim që të përfitojnë nga këto fonde.
Zhvillimi i pyjeve në zonat kodrinore e malore të Shqipërisë shihet nga ekspertët e zhvillimit si një mundësi e madhe për uljen e varfërisë në këto zona. Aktualisht, sipërfaqe të konsiderueshme të Shqipërisë nuk përdoren për prodhim, ose përdoren pa efikasitet për kullotjen e dhive, ndërkohë që vlerësohet se pyllëzimi është një investim fitimprurës.
“Projekti shtrihet në 24 komuna dhe 5 rajone dhe përdor speciet e mëposhtme: gjethegjerë dhe halorë të vendit (lis, gështenja, panjë, mështekne, arrë dhe pisha) dhe akacie (nga fara vendase përzier me specie të tjera). Zonat e projektit u takojnë pyjeve komunale, të drejtat e përdorimit të të cilave janë transferuar pranë komunave”, njoftoi BB.
#