E Diel, 1 Nëntor 2026

Romeo Leka kërkon paratë që grabiti në bankë

Marrja në pyetje “Nuk ia vodha njeriu, i mora në bankë. S’doja t’i bëja keq askujt”

Njeriu që terrorizoi Tiranën javën e kaluar, duke grabitur në mes të ditës një bankë dhe duke marrë peng një vajzë të re disa minuta më vonë, i ka kërkuar drejtësisë shqiptare t’i kthejë paratë. Romeo Leka është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda, ndërsa i ka shtangur të gjithë me kërkesën e tij. “Më ktheni paratë që grabita në bankë, pasi nuk ia vodha njeriu. S’doja t’i bëja keq askujt dhe nuk kisha si qëllim që të vrisja njeri”, ka deklaruar Romeo, duke shfaqur disa çrregullime, megjithëse, sipas prokurorisë, ai ka vepruar me ndërgjegje gjatë grabitjes dhe pengmarrjes. 25-vjeçari lezhjan ka pranuar autorësinë e tre krimeve të bëra, por nuk ka qenë dakord që shuma financiare prej 30 milionë lekësh të grabitura, t’i kthehej sërish bankës. Sipas tij, paratë i përkisnin atij, pasi ai kishte mundur t’ia merrte bankës dhe jo qytetarëve të thjeshtë. Nisur nga deklarimet e pazakonta, Prokuroria e Krimeve të Rënda është detyruar që të kërkojë kryerjen e ekspertizës psikike dhe asaj për drogë, pasi mendohet se Leka ka qenë në efektin e lëndëve narkotike gjatë kryerjes së krimit. Megjithatë, hetuesit e çështjes po vijojnë për mbledhjen e pronave. është faktuar se ai ka kryer tre krimi, pikërisht grabitjen e një taksisteje, grabitjen e bankës dhe pengmarrjen e vajzës 19-vjeçare. Krahas këtyre veprave penale, prokuroria po punon për zbardhjen e disa ngjarjeve të reja. Ka dyshime se Leka ka kryer një vrasje në Greqi, ndërsa prokuroria thotë se gjatë marrjes në pyetje ai nuk e ka përmendur këtë krim. Akuza është duke pritur informacione nga oficeri i kontaktit që ndodhet në Athinë, ndërsa ka marrë në dorë pretendimet e familjarëve të viktimës që janë ankuar në policinë e Kukësit. Prokuroria thotë se është duke pritur informacione edhe nga SHBA-ja ku Romeo ka jetuar dhe ka konsumuar disa vepra penale. Në gjykatë, ai tha se “nuk kisha ndër mend të qëlloj njeri, arma ime ishte bosh, pa plumba”. Ndërkohë, avokatja e tij, Klojda Dashi, tha se “po pres një raport mjekësor nga SHBA që do konfirmojë faktin”. Por, trupi gjykues vendosi masën e arrestit me burg për Lekën. Ndaj Romeo Lekës rëndojnë akuzat e grabitjes me armë, armëmbajtje pa leje, pengmarrje dhe heqje lirie e personit. Ai është deportuar nga Amerika në Shqipëri në gusht të vitit 2007 dhe ka jetuar te të afërm të tij në qytetet e Durrësit, Kavajës, Burrelit dhe Tiranës. Ndërkohë, ai dyshohet edhe për disa vjedhje të tjera në Tiranë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›