Roli i gabuar

Emri i Fernando Gentilinit ka sjellë edhe një befasi. Përveç qëndrimit të tij që pas ndërhyrjes së njësive speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit situata atje të kthehet në gjendjen e para 25 korrikut, emri i Gentilinit të enjten është ndërlidhur për disa minuta edhe me një rol të ri të tij në Kosovë.
Sipas një njoftimi për media të publikuar në ueb faqen e Kryediplomates europiane Catherine Ashton, përfaqësuesit të përkohshëm të BE’së, të cilit të enjten i është zgjatur mandati edhe për dy muaj në Kosovë, i është caktuar edhe detyra “për luajtjen e rolit kryesor në forcimin e stabilitetit në rajon dhe në implementimin e marrëveshjes për definimin e statusit të ardhshëm të Kosovës”.
Sipas këtij njoftimi, vendimi për të vazhduar mandatin e Gentilinit dhe për rolin e ri është marrë nga Këshilli i BE’së.
“Këshilli ka marrë vendim sot për të vazhduar mandatin e Fernando Gentilinit, Përfaqësues Special i BE’së në Kosovë, deri më 30 shtator 2011, kur edhe i skadon mandati. Z.Gentilini ishte emëruar Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë nga 1 maji 2011 deri më 31 korrik që të luajë një rol kryesor në forcimin e stabilitetit në rajon dhe në implementimin e marrëveshjes për definimin e statusit të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare elektronike të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së.
Sipas këtij njoftimi, vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Por, roli i ri i Gentilinit në “procesin e statusit” nuk ka zgjatur shumë.
Një komunikatë tjetër e publikuar e ka korrigjuar rolin e Gentilinit, duke e kthyer atë në mandatin e vjetër.
“Këshilli ka marrë vendim sot për të vazhduar mandatin e Fernando Gentilinit, Përfaqësues Special i BE’së në Kosovë, deri më 30 shtator 2011, kur edhe i skadon mandati. Z. Gentilini ishte emëruar Përfaqësues Special i Bashkimit Europian në Kosovë nga 1 maji 2011 deri më 31 korrik që të përgatis një prani afatgjatë dhe të fuqishme të BE’së në Kosovë, në pajtim me Traktatin e Lisbonës dhe perspektivën europiane të tërë rajonit”, thuhet në vendim.
Bashkimi Europian ka qëndrim neutral karshi statusit të Kosovës për shkak se pesë vende anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Por, zyrtarë të BE’së nuk kanë bërë deklarata eksplicite, me të cilat bëhet thirrje që të diskutohet çështja e statusit.
Përfaqësuesi i BE’së ditëve të fundit ka rënë në sy sidomos me deklaratat e tij që gjendja në veri të kthehet në kohën e para 25 korrikut.
“Aksioni nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare
dhe BE’ja nuk e ka miratuar atë”, ka thënë përfaqësuesi i BE’së për Kosovën, Fernando Gentilini. Përfaqësues të Bashkimit Europian po ashtu kishin thënë se aksioni
i autoriteteve kosovare për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit nuk ishte i dobishëm.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e kabinetit të kryediplomates europiane, Catherine Ashton, kishte thënë se BE’ja kërkon që situata të qetësohet dhe të kthehet në gjendjen e mëparshme.
“Është thelbësore që situata të qetësohet tani dhe të kthehemi ku kemi qenë. Misioni ynë për sundimin e ligjit, EULEX, është i gatshëm që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në këtë drejtim”, kishte thënë Kocijancic.
“Dialogu është mënyra e vetme që të zgjidhet çështja e vulave të doganave dhe të rivendoset tregtia e lirë në të dy drejtimet. “Duhet të kthehemi në situatën që kemi qenë, në mënyrë që situata të qetësohet dhe të rifillojmë punën tonë në kuadër të dialogut”, kishte thënë Kociajncic, duke u përgjigjur në pyetje nëse kthimi në situatën e mëhershme nënkupton tërheqjen e njësive të policisë nga pikat kufitare 1 dhe 31.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Europian ka potencuar se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm dhe se duhet dhënë mundësi dialogut.
“E shpjegova se ky (aksion) nuk është ndërmarrë në konsultime me ne. EULEX’i nuk ka marrë pjesë në të. Ne edhe për vendimin për embargon kemi thënë se nuk ishte i dobishëm dhe se duhej dhënë shansi dialogut, aq më tepër se ishim afër një marrëveshjeje
për vulat doganore”, ka thënë Kocijancic.
Sipas njoftimeve, Baronesha Ashton pas këtyre ngjarjeve u ka telefonuar Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Presidentit të Serbisë Boris Tadicit, duke kërkuar nga ta që të ndërmarrin aksione të menjëhershme për të ulur tensionet në veri. Në një deklaratë për media thuhet se Ashton ka biseduar me liderët e të dyja vendeve “për të shprehur
shqetësimet e BE-së në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës”.