E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lekbello e pranon: Në Vlorë, çdo gjë e vendosin lojtarët

TIRANE-Luhet Flamurtari-Tirana, luhet beteja më e rëndësishme e javës, por ndoshta edhe e gjithë fazës. Sot në orën 17 në Vlorë, futbolli shqiptar do të përjetojë sfidën e parë decizive në betejën për titullin kampion, teksa përballë do të jenë ekipi i përforcuar më shumë në verë dhe kryesuesit e kampionatit. Në Vlorë, ndeshja e sotme është nga ato që kurrsesi nuk mund të gabohen edhe pse i gjithë kampi i Flamurtarit është në një heshtje të pakuptueshme për shtyp. Për vendasit është një takim nga ata me eliminim direkt, pasi në rast triumfi të Tiranës, diferenca prej 9 pikësh do të ishte vërtet e vështirë për t'u arritur. "Kjo është një nga ato ndeshje ku ne trajnerët nuk kemi ndonjë rol të madh, - është shprehur tekniku i Tiranës Artur Lekbello. - Luajmë ndaj një skuadre shumë të fortë në fushën e saj, megjithatë synojmë të fitojmë", ka shtuar ai.
Flamurtari
Ndeshja e sotme ka një rëndësi të dyfishtë për Flamurtarin, pasi në rast fitoreje, jo vetëm që do të shkurtonte diferencën me Tiranën, por do të kishte edhe një moral tjetër për pjesën e mbetur të sezonit. Kriza që ka përfshirë këtë skuadër në të vërtetë është e pakuptueshme, duke qenë se grupi i lojtarëve mbetet nga më të mirët e kampionatit. Për shkak edhe të kohës së paktë në dispozicion, trajneri Hulian Rubio Sançez nuk ka gjetur ende "formulën" e duhur sesi ta vendosi skuadrën në fushë, gjë që po shkakton përditë e më shumë pakënaqësi.
Tirana
Ndryshe qëndron puna në kampin e Tiranës, ku morali duket më i lartë pas vendit të parë të arritur në këto pesë javë të para. "Ne shkojmë për të fituar, por çdo gjë është në duart e futbollistëve, - shprehet tekniku Lekbello. - Në ndeshje të tilla nuk ke si t'u thuash lojtarëve të hyjnë në fushë e të bëjnë këtë apo atë, sepse motivimi i tyre është në maksimu. Për ne është transferta më e vështirë që kemi luajtur deri tani dhe jam i bindur se do të bëjmë një paraqitje të mirë", shton ai.
Rubio
Një nga faktorët vendimtarë të ndeshjes së sotme pritet të jetë pikërisht trajneri Hulian Rubio Sançez. Ai e njeh mjaft mirë ambientin bardheblu, ku ishte trajner deri në muajin gusht, për më tepër që skuadra është ajo e ndërtuar prej tij pak kohë më parë. Rubio ka preferuar heshtjen gjatë gjithë javës, duke mos lënë lojtarët të merren me deklarata në prag të një sfide që për ta është si me eliminim direkt. Synimi ka qenë ruajtja e përqendrimit, ç'duket i ka kushtuar shumë Flamurtarit në 5 ndeshjet e para. Spanjolli mund të jetë vendimtar me lëvizjet e tij, duke qenë se vlonjatët duken ende larg nivelit të ekipit kryeqytetas, sidomos sa i përket formës që po kalojnë, por edhe momentit psikologjik jo të mirë.

(d.b/a.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›