Medalja e ndryshkur e Pavarësisë
Në mënyrë të përsëritur kemi dëgjuar ankesa të individëve apo dhe të institucioneve të ndryshme shtetërore në adresë të politikës. Ndihen të bezdisur prej saj, duan ta evitojnë krejt politikën, të imunizohen prej ndikimeve dhe reformave që ajo përpiqet të imponojë. “Larg politika prej nesh”-kjo është parulla e gatshme, shalli sportiv që zbukuron ballin e çdo martiri “rebel”.
Protestat me këtë moto kanë qenë të shumta, të përsëritura dhe format e kundërshtimit kanë qenë gjithashtu të larmishme: nga pësh-pësh-et e kafeneve, te lëvizjet e organizuara grupore, te deklaratat e konferencat për shtyp, te ankesat nëpër forumet e organizmat respektivë ndërkombëtarë. Thirrje të përsëritura në mënyrë gramafonike nga të gjitha palët, në të gjitha legjislaturat e tranzicionit shqiptar për ta mbajtur larg politikën prej drejtësisë, arsimit, policisë së shtetit, sportit, e kështu me radhë. Për të mos u keqkuptuar, shkruesi këtyre radhëve sqaron se ka qenë dhe është pjesëtar i masave dhe jo i elitave drejtuese, vetëdijshëm i prirur drejt atyre që e atakojnë kritikisht shtetin, pushtetin, realitetet ditore të keqqeverisjeve të majta e të djathta. Megjithatë, përtej koketërive retorike dhe fasadave ankimuese ka vend për të bërë disa saktësime, për t’i dhënë secilit hakun.
E, ta nisim nga ata që janë ankuar dhe ankohen institucionalisht: a kanë të drejtë të jenë të pavarur nga politika? Natyrisht që jo, them unë personalisht! Dhe shtoj: kanë të drejtë të jenë të pavarur nga politikat devijative monopartiake por jo nga një politikë e përgjegjshme shtetërore. Në emër të pavarësisë institucionale dhe rregulloreve të brendshme rëndom shmanget përgjegjësia vetjake, rëndom krijohen kritere informale të punës e të hierarkisë, rëndom personalizohet e klanizohet pushteti i zyrës shtetërore dhe të mirat që burojnë prej saj. Para kujt jep llogari një gjykatës i korruptuar? Një prokuror i korruptuar? Një komisar policie i korruptuar? Një përgjegjës hipoteke i korruptuar? Një kryekomunar i korruptuar? Para organeve respektive të kontrollit në radhë të parë - do përgjigjej flakë për flakë ndonjë shkollar aguridh. Po kur vetë organet e kontrollit bëhen palë përfituese në shkeljet që gjurmojnë? Atëherë rroftë pavarësia, do të thonë, jo pa cinizëm tradicionalistët.
Ajo që gjykohet masivisht çdo ditë, është politika. Në çdo shfaqje të pakëndshme të jetës sonë të përditshme, në finale të analizës sonë fajësojmë me të drejtë majën e përgjegjësisë: presidentin, kryeministrin, ministrin a titullarin e drejtorisë përkatëse. E nëse titullarët e porsapërmendur e bëjnë veshin shurdh e syrin qorr, ka një gjyq më të madh për ta e për grupin e tyre të interesit, një gjyq të pashmangshëm: çdo katër vjet veshin opingat e i kthehen populizmit, u ngjiten maleve, fushave e kodrave, i përvishen kuvendimit me masat, i kthehen zakonit të vjetër të autokritikës dhe të marrjes së përgjegjësisë ballë për ballë me palën tjetër, me votuesit. Të paktën, një herë japin llogari, dashur-padashur, një herë në katër vjet shfaqin sentimente njerëzore. Pas katër vitesh, me një vizë në fletën e votimit një kabineti qeveritar i kemi thënë mjaft, u bëtë të padurueshëm, kurse institucionet e rëndësishme të shtetit, përfshi fushat që përmendëm (e jo vetëm ato) si drejtësi, arsim, kulturë, rend publik etj., përjetësojnë interesat personale dhe i rigjenerojnë rregullisht ato, prapa perdeve të pavarësisë e paprekshmërisë institucionale a kushtetuese.
Fatkeqësisht, të dyja anët e medaljes janë të ndryshkura, të deformuara, të kafshuara nga dhëmbët e lakmisë vulgare. Është e qartë se si njësi shtetërore jemi në një rreth vicioz: nga njëra anë mungojnë qendra fikse, kredibile dhe të fuqishme të politikave stabile afatgjata shtetërore ku do të përfshiheshin e mishëroheshin interesa vitale tonat, si për shembull Diplomacia, Drejtësia, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Rendi dhe Siguria publike, Arsimi dhe Kultura. Nga ana tjetër mungojnë praktikisht organet e revizionimit e të kontrollit të brendshëm, nuk ka një institucion, një person a një forum ku të ankohesh e të marrësh një përgjigje serioze. Nuk ka sindikata, nuk ka asnjë formë të ligjshme e të ndershme të përkrahjes, të solidaritetit njerëzor, të bashkëpunimit e të harmonizimit të interesave profesionale. Strukturimi ynë qeverisës nga baza në qendër, në të tërë fushat e jetës ka pamjen e një konglomerati të frikshëm prej mijëra mikro-dinastish. Territori ynë shtetëror nuk mbulohet nga një autoritet i vetëm i ligjshëm, por administrohet privatisht në formë feudesh a principatash. Duke mirëpritur çdo protestë të ardhshme individuale a institucionale për pavarësi, për hermetizëm nga politika dhe reformat që ajo përpiqet të ndërmarrë, na mbetet të shtojmë disa pyetje retorike: përse e doni pa cak pavarësinë, në emër të kujt e kërkoni atë, ku dhe si do ta përdorni?! Dhe më e rëndësishmja: ku është pjesa juaj e përgjegjësisë dhe e fajit në këtë katrahurë e mjerim alarmues?!