E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksion i hapur, Nënë Tereza dhe manipulimi i mediave

Në bashkëpunim me Universitetin e Tiranë, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, departamentin e gazetarisë, dr. Gëzim Alpion, profesor në Universitetin e Birmingham-it, Angli, sot do të mbajë leksion të hapur mbi temën Nënë Tereza dhe manipulimi i mediave. Në këtë leksion Gëzim Alpion analizon marrëdhëniet komplekse të Nënë Terezës me mediat (në Bengal, Indi dhe Perëndim) që nga krijimi i urdhrit Motrat e Bamirësisë në vitin 1950 deri në fund të jetës. Duke u ndalur në analizën që Max Weber u bën kategorive të autoritetit, veçanërisht autoritetit karizmatik, Alpion argumenton se në rastin e Nënë Terezës, karizma e saj shpjegohet, ndër të tjera, jo me ndonjë aftësi të mbinatyrshme të murgeshës për të bërë mrekullira, por me kompleksin e përgjegjësisë që zhvilloi Perëndimi ndaj ish-kolonive në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet dhe me efikasitetin me të cilin qarqe të ndryshme politike, fetare dhe mediatike në Indi dhe Perëndim e përdorën Nënë Terezën për të realizuar qëllimet e tyre. Alpion gjithashtu identifikon dhe analizon disa nga aftësitë e Nënë Terezës, që e mundësuan atë të përdorte me efikasitet qarqet e mësipërme, veçanërisht mediat, në shërbim të misionit të saj për ti shërbyer Krishtit në një nga vendet më të varfra në botë. Statusi i shenjtores që politikanët dhe mediat në Azi dhe Perëndim i akorduan Nënë Terezës kur ishte gjallë mundësuan transformimin e murgeshës në një ikonë mediatike dhe humanizmi pothuajse të pakrahasueshme në postmodernizëm. Ndryshe nga biografët, kundërshtarët dhe admiruesit e shumtë, të cilët pothuajse ne çdo rast e portretizojnë Nënë Terezën si murgeshë, e cila nuk kishte aftësi për të artikuluar mendimet e saj, Alpion konkludon se murgesha shqiptare ishte ndoshta një nga personalitetet më komplekse fetare të kohëve moderne. Gëzim Alpion (BA Cairo; PhD Durham) është lektor në Sociologji dhe Studimet e Mediave, dhe drejtor i Studimeve Pasuniversitare, Departamenti i Sociologjisë, Universiteti e Birmingham-it, në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht Alpion po studion natën e errët të shpirtit të Nënë Terezës në kontekstin e veprave të Shenjtores Tereza të Avilës, Shenjtorit Xhon i Kryqit dhe Shenjtores Thereza e Lisieux. Po ashtu Alpion po studion efektin e prodhimit masiv në kapitalizëm në aura-n në kontekstin e industrisë së veshjes duke u ndalur kryesisht në rëndësinë që Faik Konica i kushtoi kostumit kombëtar shqiptar. Në këtë studim Alpion argumenton se Konica mund të konsiderohet si pararendës i Shkollës së Frankfurtit. Alpion ka zhvilluar biseda dhe leksione në disa universitete britanike (Oxford, London School of Economics, University College London, Kingston), si dhe në SHBA, Kanada, Kinë, Indi, Rusi, Afrikën e Jugut, Gjermani, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Dr. Alpion intervistohet rregullisht nga mediat botërore, veçanërisht ato britanike, amerikane, franceze, italiane dhe indiane, si ekspert për Nënë Terezën, si dhe i sociologjisë së medias, fesë, famës, nacionalitetit dhe filmit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›