Kur ndiqnim “Larry King Live”
Këtë të enjte që sapo shkoi, saktësisht më 16 dhjetor 2010, gazetari i famshëm i kanalit botëror televiziv amerikan CNN, Larry King, në programin e titulluar me emrin e vet “Larry King Live” (Larri King drejtpërdrejt), drejtoi emisionin e fundit, i paralajmëruar qysh prej do kohësh. Atë ditë, ai përmbylli plot 25 vjet histori, një emision që zgjati sa një brez njerëzor. Lajmet bënë me dije se Larry King 77 vjeç, do të zëvendësohet nga gazetari britanik Piers Morgan, i cili, siç thuhet, është ca më agresiv (të jetë i ngjashëm me stilin e HardTalk të BBC?). Njoftimet, këtë zgjedhje të CNN, e arsyetojnë me domosdoshmërinë për të mos humbur shikues, përballë drejtuesve të njohur si Barbara Walters, Diane Sowyer e Katie Couric, të kanaleve të tjerë të mëdhenj amerikanë.
Kaq lajm më ndërmendi shumëçka, sa më prapaktheu ndër vite, kur isha bërë e mbeta një ndjekës besnik i CNN, qysh më 20 qershor 1992, kur së pari u futa në zyrën kryesore të Televizionit Shqiptar, drejtor i tij në kohën e ndryshimeve të mëdha. Programi Larry King Live, ku kanë parakaluar më të mëdhenjtë e botës, që nga viti 1985 e deri në fundvitin 2010, pavarësisht në çfarë fushash rrokën majat, ishte një domosdoshmëri profesionale e kulturore për ta ndjekur, për të mos e humbur, mundësisht, as edhe një transmetim. Larry King Live dhe gazetarët e zotë të lajmeve të CNN International përbënin për ne, në ato fillime lirie, një çudi gazetarie televizive. Aty, përpara ekranit, mbërthyer te CNN, kam qenë kur ky televizion transmetoi drejtpërdrejt aeroplanin e parë dhe të dytë tek goditën e u futën shkatërrueshëm në brendësi të Kullave Binjake, më 9 shtator 2001, aq pabesueshëm sa fërkoja sytë: e vërtetë apo film? Në sekondë i telefonova një mikut tim, publicist shumë i njohur, duke i thënë që, nëse je para ekranit, kaloje te CNN, sepse “U sulmua Amerika”. Por, përmbyllja e historisë 25-vjeçare të Larry King Live, më afroi sidomos nëntorin e vitit 1993, kur me ftesë të Ish-Presidentit të SHBA, Jimmy Carter, mora pjesë në takimin e përvitshëm mes presidentëve të televizioneve amerikane dhe presidentëve të televizioneve të ish - republikave të Bashkimit Sovjetik, në The Carter Center (Qendra Karter), në Atlanta, të SHBA. Mark Berenson, që punonte në The Carter Center, më pati lënë në dorë një zarf, tek po bisedoja me zevendëspresidentin e CNN, Stuart Lorry, pjesëmarrës në takim. Kur e hapa, aty pashë ftesën e Presidentit të CNN, R.E. Turner, për një koktejl, darkë dhe vizitë në qendrën e këtij kanali të famshëm televiziv. Kishim një padurim të besueshëm e të hetueshëm për ta parë. CNN, me tri gërma, i kapur nga antenat tona qysh me hapjen e Shqipërisë, sidomos pas Luftës në Gjirin Persik, ngjarjeve të Moskës në tetor, dhe përditë, na bindte se s’kishte shok. Ai ishte kudo ku ka ngjarje dhe lajm, i shpejtë dhe i besueshëm.
Autobusi ndaloi përpara një blloku ndërtesash të larta. Në murin gjigand, i veshur me mermer, shihnim vetëm hyrjen e ashensorit. Pasi e kapërcyem dhe u futëm brenda tij, u gjendëm të çuditur përkundruall mjediseve te anës tjetër, duke vështruar gojëhapur, nga ashensori i xhamtë jashtë mureve. Rusja Bella Kurkova, president e Kanalit 5 të Korporatës Radiotelevizive të Sankt Petërsburgut, nuk e përmbajti veten. Foli me zë të lartë, në rusisht: “Smatritje, smatritje! Eto cjelli gorod” (Shikoni, shikoni! Ky është një qytet i tërë!”.
Dhe, me të vërtetë, CNN Center ishte një botë nxitëse. Katër ndërtesa të larta, më arkitekturë të njëjtë, ishin të bashkuara nën një çati metalike qiellore dhe, brenda gjithë atij nënqielli, nuk di se çfarë mund të mos kishte!
Në darkë, bashkë me ne, ishte ulur edhe Ish-Presidenti amerikan Jimmy Carter me bashkëshorten Rosalin, si dhe Presidenti i CNN Ted Turner me bashkëshorten, aktoren e njohur Jane Fonda. Përpara një foltoreje tipike, siç dinë t’i bëjnë amerikanët, dikur nga fundi, doli për të thënë ndonjë fjalë Jimmy Carter. Nuk po shpjegoj asgjë nga ato çfarë tha, por po theksoj frazën e fundit. Duke iu drejtuar profesores së The Carter Center, ai zbuloi para nesh, thjeshtësinë e njeriut dhe madhështinë e politikanit: “Unë, që kam qenë President i SHBA, tani jam i detyruar t’i nënshtrohem “diktaturës” së profesores Ellen Mickievicz”. Dhe u ul.
Padyshim, na vuri në mendime.
Demokracia amerikane është një korpus i tërë.
Ajo nuk vidhet dot.
As nuk mund të kopjohet.
Por edhe nuk pushtohet dot.
Këto vlejnë të dihen, sidomos, për padurimin shqiptar.
Kur mbaroi darka, zëvendëspresidenti i CNN, Stuart Loory, bëri ftesën e shumëpritur: “Kush të dëshirojë, le të vijë me mua, të vizitoni CNN Center”. Së pari na çoi në News Room (Dhoma e lajmeve), siç e quanim në Televizionin Shqiptar, zyrën ku gazetarët punojnë për përgatitjen e lajmeve. Ajo ishte një sallë gjigande plot gazetarë e teknologji. Ngjitur me të ishte dhe studio të cilën e shohim vazhdimisht në Tiranë, nga CNN International. I vështrojmë gazetarët që as i shmangnin vështrimet nga ekranet e kompjuterave të panumërt. “Këtu është fabrikë lajmesh, - tha Lorry.- Dua ta përsëris, kemi një fabrikë lajmesh”. Një ruse e pyeti se, kur ka ngjarje të rrezikshme, si ta zëmë, përmendi ajo, Lufta e Gjirit për Kuvajtin, apo ngjarjet e Moskës, gazetarët e dërguar atje, a paguhen më mirë? Ai tha që “ Ata marrin rroga të diferencuara mirë, por shtesa e shpërblime për vështirësi apo rreziqe, nuk japim”. Gazetari më i paguar, tha, ishte Larry King. Aty të mbeteshin në mendje këto fjalë të shkruara përsëritshëm: “So come into CNN Center, where the World comes in to play (Kështu, eja në Qendrën CNN, ku bota hyn të luajë).
I thashë Stuart Lorry:
-A mund të takojmë zotin Larry King dhe të shohim studion “Larry King Live”?
-Le të provojmë,- tha.
Por gjysma e dëshirës u kthye në peng: Larry King nuk ndodhej atë mbrëmje as në studion e tij, as në CNN Center. Por ai ndiqej në Shqipëri prej gjithë atyre që dinin anglisht dhe qe kthyer në një nxitës të jashtëzakonshëm. Njëherë, një gazetar i ri që s’di as anglisht, nuk e rrokte dot thelbin e Larry King Live e u bë karikaturë. Një mbrëmje, për emisionin e bisedave politike në studio, u shfaq me një pamje të pabesueshme: kishte veshur pantallona të errët, këpucë të zeza me majë, këmishë borë të bardhë, mbi supe kapërcyer dy rripa, që mbërtheheshin në pantallona, nga pas të kryqëzuar, mbi gjoks paralel, tëpkë si Larry King Live, siç thonë korçarët. Të fluturonte mendja tek e vëreje ashtu, marrëzi e kurajë nakatosur. Dhe i thashë:
-Për ku kështu?
Asisoj, i vetëpërfshirë nga një ide madhështie, as mori vesh gjë nga pyetja.
-Për në emision? - tha.
-Jo, për në estradë, thuaj. Larri King Live nuk përsëdytet!
CNN nuk e ka më Larry King. Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzeneger menjëherë shpalli “Dita e Larri King” për shtetin që drejton. Kurse Presidenti amerikan Barak Obama, me një video-kumt, e quajti “njërin nga gjigandët e transmetimit”.