Peng në bagazhin e makinës për 30 mijë euro

Nën prangat e policisë është vënë edhe i rrëmbyeri, Nazmi Pepa, pasi ky i fundit, pas hetimeve, rezulton të ketë mashtruar, duke u marrë hua një sasi parash edhe disa shtetasve të tjerë
Një rast pengmarrjeje ka vënë në lëvizje policinë e Tiranës për të ndaluar rrëmbyesit që të mos dilnin nga Tirana. Ka qenë ora 16:30 e së shtunës, kur një 35-vjeçar është marrë peng në kryeqytet. Shkak për pengmarrjen është bërë një borxh rreth 30 mijë eurosh që ky i fundit i kishte pengmarrësit. Pas një sherri pengmarrësi Mensur Lita, 34 vjeç, nga Peshkopia, së bashku me një person tjetër kanë marrë peng Nazmi Pepën, po nga Peshkopia, duke e futur në bagazhin e automjetit të tij. Kanë qenë dëshmitarë të rastit ata që lajmëruan policinë, e cila nisi menjëherë ndjekjen e automjetit. Postblloqe të shumta, forca të policisë së Tiranës dhe forca RENEA u vunë në ndjekje, duke bërë lokalizimin e mjetit pas një ore në fshatin Domje, si dhe lirimin e pengut, ndërkohë që mbas lirimit atij i janë vënë prangat nga policia e Tiranës për mashtrim.
Ngjarja
Mbasi janë takuar normalisht, në një lokal në afërsi të shkollës “Aleks Buda” në Laprakë, gjithçka ka marrë të tatëpjetën, pasi ky takim për Mensur Litën do të konkretizonte edhe kthimin e borxhit prej 30.000 euro që Nazmi Pepa i kishte marrë atij. Pepa u ka kërkuar që t’i shtyhej afati i borxhit për të disatën herë, sepse nuk i kishte paratë, por ky fakt nuk është pranuar nga Lita. Nën debat e sipër ai e ka detyruar me forcë borxhliun e tij që të hipte në bagazhin e makinës.
Kanë qenë klientët e tjerë të lokalit dhe disa kalimtarë të rastësishëm që pasi kanë vënë re të gjithë ngjarjen, kanë njoftuar policinë. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje tregojnë se Pepa ka bërë rezistencë, duke u konfrontuar me të fizikisht, në mënyrë që të mos hipte në bagazhin e makinës. Pikërisht kjo i ka shtyrë ata që të dyshojnë për një grabitje, duke njoftuar edhe policinë. Burime nga policia bëjnë me dije se rrëmbimi i tij nuk ka ardhur nga një plan i menduar, por si pasojë e një nervozizmi të momentit. Pas marrjes së informacionit për pengmarrjen e mundshme, shërbimet e policisë së kryeqytetit kanë ngritur disa pika kontrolli, nga të cilat bënë të mundur lokalizimin e mjetit, si dhe u vunë nën ndjekje të menjëhershme të automjetit dhe pengmarrësit, i cili me një automjet të tipit “Mercedes-Benz”, po udhëtonte në drejtim të qytetit të Durrësit. Për të bërë neutralizimin e kësaj pengmarrjeje, janë aktivizuar policia e Tiranës, Durrësit, Lezhës dhe Kavajës duke bërë të mundur bllokimin e çdo rruge nga ku mund të kalonin rrëmbyesit. Pas një ore ndjekjeje, policia ka mundur të lokalizojë automjetin me të cilin udhëtonin dy pengmarrësit. Falë negocimeve të realizuara nga strukturat e policisë, me anë të telefonit, pasi i kanë gjetur edhe numrin njërit prej pengmarrësve dhe ndërhyrjes së menjëhershme të policisë, u arrit lirimi nga pengmarrja. Lirimi i Pepës dhe arrestimi i Mensur Litës ka ndodhur në ambientet e një pike servisi makinash, në pronësi të këtij të fundit, në afërsi të fshatit Domje në Tiranë.
Masat
Ndaj Mensur Litës, i cili është arrestuar si rrëmbyesi, aktualisht po merret masa e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të “Heqjes së paligjshme të lirë”. Ndërkohë, pavarësisht se është liruar si peng, Nazmi Pepës i janë vënë prangat e ndaj tij pritet që të fillojë procedimi penal, për mashtrim. Arrestimi i Pepës ka ardhur si pasojë e konsumimit të veprës penale të “Mashtrimit”, pasi ky i fundit, pas hetimeve, rezultoi të ketë mashtruar duke u marrë hua një sasi parash edhe disa shtetasve të tjerë.