Kur sulmohet një lider shqiptar, sulmohet imazhi i të gjithë shqiptarëve
Përmes një lajmi që nuk vazhdoi gjatë, këtë të shtunë, TV5 Mondë i bënte jehonë një shkrimi të gazetës serbe Blic, e cila mbështeste raportin e Dik Martit, lidhur me një trafik të supozuar të organeve njerëzore nga ana e disa udhëheqësve të UÇK-së.
Duke iu referuar burimeve konfidenciale, (gjithnjë të pakonfirmuara) gazeta serbe njoftonte pak a shumë se paratë e fituara nga trafiku i drogës dhe i organeve njerëzore qenkan vënë në banka të Europës Perëndimore, në emër të shoqatave joqeveritare ose në emër të personave të panjohur.
Që një gazetë serbe të hedhë shashka dhe të synojë një tymnajë antishqiptare sa të jetë e mundur më të dendur, kjo nuk përbën risi, as çudi, sidomos fill pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, kur opinioni shqiptar dhe ndërkombëtar pret konsolidimin e mëtejshëm të shtetit më të ri në hartën e Ballkanit. Çudia është sesi një televizion i përmasave të TV5 Mondë bie në kurthin e një propagande tashmë të demaskuar njëherë e përgjithmonë, ani se lajmin e hoqi me ngut nga faqja e vet e teleteksit.
Siç dihet, raporti i zviceranit Dik Marti, ngritur mbi të dhëna të pakonfirmuara, është parë me dyshim edhe nga Departamenti i Shtetit të SHBA, i cili ka vënë në dukje se dyshimet kurrsesi nuk përbëjnë provë. Por, me sa duket, makina propagandistike e Beogradit u trimërua prej deklaratave të zonjës Karla Del Ponte, ish-prokurore e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Këtë të premte, Del Ponte, i dha flakë për flakë një intervistë gazetës zvicerane gjermanofone “Tages–Anzeiger”, në mbështetje të bashkatdhetarit të vet, reporter i KE-së, ndonëse marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë gjithmonë edhe aq miqësore. “Z. Marti - thekson ish-prokurorja - konfirmon dhe shtrin më tej atë çka unë e kam thënë tashmë dy vjet përpara.”
Siç dihet, Del Ponte, me cilësinë e prokurores, ka hetuar çështjen edhe në Shqipërinë e Veriut. U përfol shumë asohere për një shtëpi ku thuhej se kryheshin ndërhyrje kirurgjikale në dëm të robërve serbë, por nuk u vërtetua asgjë. Thua se te raporti i ish-kolegut të vet gjeti shkopin magjik për të vërtetuar dyshimet e dikurshme, ish-prokurorja i ka deklaruar gazetës “Tages-Anzeiger”: “Ne atje gjetëm shenja gjaku dhe kemi parë disa rroba me njolla gjaku. Kjo ishte prova që atje ishin kryer ndërhyrje kirurgjikale.”
Është, me të vërtetë, e çuditshme sesi një juriste e nivelit të saj, me përvojë të padikutueshme, arrin në kësi përfundimesh, nëmos dashakeqe, të ngutura dhe të pathemelta. Të parat pyetje që do t’i vinin në mendje cilitdo që do të dëgjonte këtë deklaratë të pambështetur në prova të policisë shkencore, do të ishin: A e njeh zonja zvicerane zonën ku tentoi të hetonte? Mos ishin shenja gjaku të ndonjë pule? Sepse, helbete, njerëzit duan të jetojnë jo vetëm në parajsën e Alpeve Helvetike, por edhe atje ku ha pula gur. Me sa duket, rastësisht ose jo, qerthulli i dyshimeve të ngritura për të prishur imazhin e shqiptarëve, të çon andaj nga Zvicra. Nuk është e rastit që TV Mondë edhe llogaritë me euro a me dollarë i bën të konvertuara në franga zvicerane. Nuk i thonë kot: ”njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën”.
Çdo shqiptar që sot i thotë vetes shqiptar, nuk mund t’i kalojë në heshtje sulme të tilla qëllimkëqija. Sulme të kësaj natyre, me akuza të ngritura mbi hamendje, jashtë kontekstit politik, ndaj cilitdo lideri shqiptar, qoftë ky i së majtës a i së djathtës, synojnë prishjen e imazhit të shqiptarëve në botë. Aq më keq, kur përbaltet UÇK-ja, e cila shkroi një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.