Zvicra: Qëndrimi i Del Pontes, personal

Zvicra distancohet nga akuzat e Del Pontes: Qëndrim personal. Haxhinasto: Marty abuzon me autoritetin e KE-së
Zvicra distancohet nga deklaratat e Carla del Pontes, përfaqësueses së saj diplomatike në Argjentinë, e cila akuzon Kosovën për trafikim organesh, ndërsa Shqipërinë për pengim të hetimeve. Menjëherë pas deklaratave të ish- kryeprokurores së Hagës, Del Ponte, në një intervistë për Euronews që përsërit akuzat e saj për krerët kosovarë për trafikim organesh, diplomacia shqiptare kërkon sqarim nga Zvicra për deklaratat e përfaqësues së saj diplomatike në Argjentinë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, thirri në një takim ambasadoren e Zvicrës, znj. Ivana Enzler, lidhur me deklarimin e znj. Carla del Ponte, për raportin e Dick Martyt për trafikimin e organeve në Kosovë. Takimi i zhvilluar mëngjesin e djeshëm ka pasur në qendër të vëmendjes deklaratën e fundit të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, sipas të cilës Shqipëria ka penguar hetimet lidhur me akuzat për trafikun e organeve.
Ky qëndrim është vlerësuar nga diplomatja zvicerane në Shqipëri si një qëndrim personal i Del Pontes dhe që nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë zvicerane.
Ministri Haxhinasto i tha ambasadores zvicerane se deklaratat e zonjës Del Ponte janë të papranueshme dhe shtrembërojnë realitetin në të cilin janë zhvilluar hetimet në vitin 2003 për akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë. Në përgjigje, “ambasadorja zvicerane siguroi ministrin Haxhinasto se pikëpamjet e shprehura nga znj. Del Ponte në intervistën për Euronews janë pikëpamjet e saj personale dhe nuk shprehin aspak qëndrimin apo pikëpamjet e qeverisë së Zvicrës”, - thuhet në njoftimin zyrtar të dikasterit të diplomacisë shqiptare për takimin që është mbajtur larg pranisë së medias.
Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, deklaron se raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, nuk ka pasqyruar me vërtetësi atë që ka ndodhur, qoftë në procesin hetimor, qoftë edhe atë çfarë ka qenë realiteti i zhvillimeve për çështjet që trajton raporti. Shefi i diplomacisë shqiptare shkon më tej duke e quajtur raportin “një rast abuzimi në mënyrë flagrante me prestigjin, reputacionin e përgjegjshmërinë e Këshillit Evropian”.
Ndërsa hartuesit e raportit i quan “persona të motivuar thellësisht politikisht dhe që mban qëndrime të papërgjegjshme, që implikojnë jo vetëm persona, por edhe shtete, në çështje që nuk kanë asnjë bazë faktike”. Raporti i Dick Martyt, mbi të cilat u bazua dhe draft-rezoluta e miratuar nga Komisioni i Ligjeve i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, akuzon liderët kosovarë, përfshirë këtu edhe Kryeministrin Hashim Thaçi për trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera në përfundim të konfliktit në Kosovë. Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, raporti është i pabazuar në fakte, prova apo realitet.
“Ajo çfarë është më problematikja, nuk ka pasqyruar me vërtetësi atë që ka ndodhur, qoftë në procesin hetimor, qoftë edhe atë çfarë ka qenë realiteti i zhvillimeve për çështjet që trajton raporti”, - ka thënë ministri i Jashtëm në një intervistë të botuar dje në faqen online të radios “Evropa e Lirë”. Ai shprehu “keqardhjen” që një person si zoti Marty të mbajë qëndrime të tilla, “politikisht të motivuara dhe të shfrytëzojë një platformë të respektuar, siç është ajo e Këshillit të Evropës - një institucion që qëndron si ruajtës, si gardian i parimeve të etikës dhe realizmit - për të paraqitur akuza të tilla që, siç e thashë, janë krejtësisht të pabazuara dhe nuk pasqyrojnë realitetin”.
Pyetjes se a janë gati autoritetet shqiptare për hetime të reja, në rast se një gjë e tillë do të kërkohet, Haxhinasto i është përgjigjur se “institucionet shqiptare kanë qenë gjithmonë të përgatitura dhe e vërteta është se ato i kanë ofruar edhe zotit Marty personalisht bashkëpunimin e tyre për t’i realizuar hetimet e nevojshme. Këto hetime janë realizuar. Hetime janë realizuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe konkluzioni i tyre ka qenë se pretendimet si këto, të këtij raporti, janë krejtësisht të pabazuara dhe të pavërteta”. Z. Haxhinasto deklaroi se në kuadër të reagimeve të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, edhe institucionet e drejtësisë “duhet ta thonë fjalën, për të treguar pavërtetësinë e pretendimeve që janë paraqitur në këtë raport”.
Deputeti gjerman: Marty, demagog, keqpërdor emrin e KE-së
Deputeti evropian Bernd Posselt reagoi pas projekt-rezolutës së të enjtes të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në një intervistë dhënë programit shqip të Deutsche Welles, deputeti i Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Bernd Posselt, e quan Dick Martyn një demagog, që keqpërdor pozitën e tij: “Natyrisht që unë jam për atë që këto akuza të hetohen në mënyrë faktike, si në aspektin e të drejtës penale ashtu dhe në aspektin moral. Por jo ashtu thjesht si zoti Marty, i cili është i njohur për tendencën e tij për sensacione, për të ngritur diçka nëse nuk ka prova. Për aq kohë sa nuk dëshmohet fajësia, zoti Marty nuk mund të veprojë kështu. Kështu që unë e konsideroj zotin Marty absolutisht një demagog, i cili keqpërdor funksionin e tij”.
“Marty”, Shqipëria, lobim në KE kundër raportit
Shqipëria do të lobojë në Këshillin e Evropës për seancën parlamentare të 24 janarit kundër raportit të deputetit zviceran Dick Marty. Në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Shqipëria përfaqësohet nga deputeti Shpëtim Idrizi, dhe si anëtar zëvendësues, deputeti Damian Gjiknuri. Deputeti Idrizi konfirmoi dje se përpara fillimit të sesionit të janarit 2011, ai do të kërkojë në mbledhjen e grupit që grupi parlamentar i Aleancës së Demokratëve dhe Liberalëve për Evropën të dalë me një qëndrim kundër projekt-rezolutës. Nëse kërkesa do t'i rrëzohet, konfirmon se deputetët shqiptarë do të bashkërendohen përpara sesionit plenar të Asamblesë që do të mblidhet më 24 janar 2011.
Deputetët shqiptarë do të mbërrijnë në Strasburg disa ditë më parë, për të lobuar kundër projekt-rezolutës që pritet të votohet nga Asambleja e përbërë nga 318 deputetë, përfaqësues të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.