Leksionet që na dha Viktor Gushi
ETLEVA DELIA
Vetëm 10 minuta video ku transmetohej duke folur Viktor Gushi, një njeri me 10 klasë shkollë, shërbyen sa dhjetëra orë leksione të dobishme kriminalistike. Shërbyen për policinë, për hajdutët, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Lektori Viktor Gushi, me ato çfarë e dëgjuam të tregojë, i qartë dhe gjakftohtë, i hodhi poshtë policisë disa teori mbi hetimin e ngjarjeve. U tregoi hetuesve se cila është rruga e drejtë për të zbuluar kriminelin dhe pse deri tani kishin ecur në rrugën e gabuar. Policia mësoi nga Viktor Gushi se jo çdokush që vrapon për të ikur nga një vendngjarje mund të jetë kriminel. Ai ua bëri të qartë se nuk vrapoi asnjëherë pas 16 krimeve që pranoi të ketë kryer. Kush vrapon, ndodh që jo gjithmonë është kriminel, por thjesht po u ikën telasheve me policinë, për të mos kaluar disa orë apo ditë në qeli. Ndodh edhe që një ngjashmëri fizike me autorin i privon lirinë një personi të pafajshëm, ashtu sikurse ndodhi me disa sozi të Viktor Gushit. Ndërsa vetë ai, pas çdo ngjarjeje, ulej në lokal, ndiqte lajmet, madje edhe nënqeshte e tallej me policinë, që nëpër konferenca njoftonte për arrestimin e autorit. Policia, nga Viktor Gushi mësoi se jo çdokush që shoqërohet vetëm pse ishte pranë vendit të ngjarjes apo diku aty rrotull, mund të jetë i dyshuar. Autori i vërtetë, shumë i qetë dhe pa iu dridhur qerpiku, ka ikur nga aty nga rrugë e rrugica që ai i ka studiuar me ditë e me javë. Viktor Gushi deri diku hodhi poshtë edhe teorinë e Policisë për masat që merr pasi ndodh një krim. Jo gjithmonë është e vlefshme të kontrollosh makina e motorë për të zbuluar nëse autori i krimit mund të jetë larguar me një mjet të tillë nga vendi i ngjarjes. Në rastin e Viktor Gushit nuk ishte ashtu. Ai, për të paktën katër vjet, nuk pati nevojë të përdorte as makinë e as motor. Lëvizte vetëm në këmbë. Këtë e tha vetë. Po ashtu, policia mësoi se ndonjëherë nuk është shumë e nevojshme të vendosësh numra celularësh në përgjim. Në rastin Gushi telefoni nuk doli në skenë. Ai prej vitesh nuk përdorte celular. Viktor Gushi i mësoi policisë se nuk është aq e nevojshme të marrin masa me shërbime e orare të tejzgjatura pune në zonën pranë vendit të ngjarjes apo në rrugët dalëse të qytetit se mos autori arratiset. Në rastin Gushi rezultoi se autori u lëvizte nën hundë, shtëpinë e kishte larg vendit ku kishte kryer krimin dhe as që bëhej fjalë të largohej nga qyteti, sepse përgatitej për goditjen e radhës. Madje ai hodhi poshtë edhe një prej teorive të Kriminalistikës, që autori mund të kthehet në skenën e krimit. Sepse ai vetë nuk ishte kthyer asnjëherë. Nga Viktor Gushi policia mësoi edhe se nuk është shumë e nevojshme të kërkojnë për ndonjë bashkëpunëtor që mund të dekonspirojë autorin. Siç e pamë të gjithë, siç e tha edhe vetë, Viktor Gushi nuk kishte bashkëpunëtorë. Madje nuk kishte as shokë. E bënte gjithçka vetëm dhe kështu kishte mbijetuar për katër vjet, mos më shumë. Policia u paralajmërua nga Viktor Gushi që të nxitojë për të shkuar në vendin e ngjarjes. Ashtu siç e tha edhe ai vetë, koha ishte kronometruar. Plagosja, grabitja dhe vrasja, të tria bashkë, zgjasnin vetëm tri minuta. Kohë perfekte për ti shpëtuar arrestimit. Policia duhet të mësojë nga Viktor Gushi se sa i rëndësishëm është identikiti i autorit, sa e rëndësishme është sjellja apo dialekti i tij edhe atëherë kur ndodh që kamerat nuk kanë filmuar asgjë. Shpërndarja e këtij identikiti në media, bashkangjitur një shumë të hollash si shpërblim për informatorin, mund të çojë në arrestimin e autorit. Ashtu sikurse edhe ndodhi. Ajo çka është më e rëndësishme për policinë, edhe pse e pësoi më 7 gusht 2009 nga Dritan Dajti, duhet të sigurohen para se të ndërhyjnë për të arrestuar dikë. Ashtu si në rastin Dajti, edhe në arrestimin e Gushit, punonjësit e policisë ishin civilë dhe pa antiplumb. Po sikur ai të kishte përdorur armën që kishte në brez, ashtu sikurse edhe ua shprehu në fytyrë pa asnjë frikë kur merrej në pyetje në Drejtorinë e Policisë? Përfundimi mund të ishte edhe më tragjik.
Viktor Gushi, në një farë mënyre, u mësoi pasardhësve të tij edhe se ku mund të gjejnë armë. Tregoi dy vende, Zogun e Zi dhe Bërrylin. E kur në dy zona kaq pranë qendrës së Tiranës mund të shiten armë, atëherë çfarë mund të mendojmë për periferinë? Viktor Gushi u mësoi hajdutëve se si të mos lënë gjurmë. Të mbajnë doreza dhe të fshehin gëzhojat e armëve nëse situata del nga kontrolli. Ai vetë gaboi vetëm në dy raste. U mësoi të mbajnë maskë dhe të lëvizin të qetë që të mos bien në sy. Por më kryesorja që Viktor Gushi u mësoi pasardhësve të tij: Veproni gjithmonë vetëm, mos i besoni askujt. Dhe këtë mesazh Gushi e përcolli me ndihmën e policisë, që lejoi transmetimin e videos kur ai pyetej, pranonte dhe shpjegonte çdo krim që kishte kryer.
Po ne, qytetarët e thjeshtë, çfarë mësuam nga Viktor Gushi? Ai, përmes asaj videoje, dha leksione shumë të rëndësishme edhe për ne. Më saktë, na paralajmëroi që kurrë mos ti flasim keq një hajduti. Kurrë mos ti bëjmë rezistencë. Më e rëndësishmja, kurrë mos ta ofendojmë, aq më pak ti themi maskara. Na mësoi se sa shumë vlen dhe sa e rëndësishme është jeta jonë. Viktor Gushi na tregoi se jo gjithmonë duhet ti ruhemi një njeriu trupmadh, me muskuj e të vrazhdë. Ai me rastin e vet na tregoi të kundërtën. Edhe pse i imët, trupvogël, i urtë dhe që skuqej për një fjalë goje, ishte në gjendje ti merrte jetën kujtdo që e shante. Qoftë edhe po ti thoshte maskara. Na tregoi që askush nuk mund të bëjë rolin e trimit kur ka një pistoletë të drejtuar në ballë. Na mësoi se si të ruajmë jetën tonë nga njerëz si ai.