E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nervozizmi i shtirur me aleatët

Share

Nga Mero Baze

Historia e ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri dhe pranimi nga dy palët i një sistemi zgjedhor bazuar mbi koalicionet dhe jo mbi fuqinë individuale të një partie, duket se ka mbetur mekanizmi i vetëm i Berishës për ti rritur shanset vetes për pushtet dhe për të mbajtur opozitën e përçarë dhe larg frymës së formimit të një koalicioni të qëndrueshëm entuziast dhe maksimalisht të hapur. Partia Socialiste, e cila vazhdon të mbetet partia më e madhe në vend, që udhëheq çdo palë zgjedhje për nga numri i votave, vazhdon të qëndrojë në opozitë pikërisht se Berisha në fund e kalon topin mbi rrjetë me partitë e vogla gati inekzistente, me ato që shumë njerëz në Partinë Socialiste tallen, tregojnë barsoleta apo dhe më keq ndonjë prej tyre paksa më serioze e denigrojnë. Në zgjedhjet e 2009 socialistët ishin parti e parë, por 17 parti të vogla, shpesh dhe qesharake, pas partisë së Berishës, e kaluan atë në pushtet.

Në zgjedhjet e 8 Majit, përveç manipulimit industrial të zgjedhjeve, Lulëzim Bashës iu deshën dhe votat e komunistëve të Hysni Milloshit që të ishin më afër grabitjes. Edhe pse poshtëruese, Partia Socialiste është e dënuar për shkak të sistemit që ka zgjedhur të forcojë mentalitetin si parti që udhëheq një koalicion të madh, dhe jo si parti që ska nevojë për një koalicion.

Por ndërsa Berisha punon me qetësi dhe mendje shumë të hapur për të afruar këdo që ka dhjetë vota dhe për ti futur ato në thesin e tij, opozita duket se është prekur nga një arrogancë e parakohshme për vlerën e aleatëve, qofshin këta seriozë ose jo seriozë. Një pjesë e socialistëve po sillen sikur nuk i njohin ndryshimet kushtetuese që kanë bërë vetë. Ka plot prej tyre që tentojnë të denigrojnë aleatët duke theksuar se ata duan karrige, të tjerë përpiqen të bëjnë populistin dhe të thonë që nuk kemi nevojë për aleatët.

Dëgjova dje Ben Blushin që citohej nga një takim me studentët në Tiranë të thoshte që opozita ka nevojë të zgjerojë aleancën me qytetarët. Kjo është një nga ato fjali që në fakt ngushton shanset e opozitës për tu zgjeruar tek qytetarët dhe indirekt një krah i hapur që Berisha të mbledhë gjithkënd që nuk do të jetë me Partinë Socialiste, në thesin e tij. Në zgjedhjet e vitit 2009, kur LSI ishte një parti e persekutuar nga marrëveshja PD- PS, Blushi dhe disa aktorë të tjerë në opozitë si Kastriot Islami apo dhe aleatë meskinë të Partisë Socialiste, luftuan që LSI të mos përfshihej në listën e koalicionit të tyre. Dhe atëherë llogarisnin secili karrigen e vet, dhe ndoshta disa dhe humbjen e shumëpritur të Edi Ramës. Së paku humbjen e PS e arritën. Interesant është së të njëjtit njerëz, kur LSI u bashkua me Berishën, ishin promotorë të thirrjeve për dialog me LSI, me të cilën tani në këto pozita as që bëhet fjalë për koalicion.

Në të njëjtën situatë po vihemi sërish. Kur të gjithë e dimë që Partia Socialiste është parti e parë, por sistemi imponon koalicion të parë, po shtohen zërat që kërkojnë që PS të dalë e vetme në zgjedhje dhe akoma më keq po shtohet gjuha e ashpër dhe denigruese ndaj aleatëve dhe faktorëve opozitarë në vend. E gjithë kjo krijon pastaj mungesën e një fryme entuziazmi për koalicionin dhe maninë për ta parë secilin si një njeri që kërkon karrige siç e përfytyrojnë rëndom nëpunësit e opozitës ardhjen në pushtet.

Në fakt koalicioni lufton për pushtetin dhe jo vetëm për karrigen e deputetit. Një parti që merr 20 mijë vota mund ti premtohet dhe deputet, njërës që merr dhjetë mijë mund ti premtohet një post në ekzekutiv, njërës që merr 5 mijë mund ti premtohet një post në administratë, por sduhen harruar as ato që marrin 1000 vota. Pafuqia e opozitës për të ndryshuar sistemin është e dukshme, por fuqia e saj për ta përballuar sistemin nuk po duket akoma. Sirenat që duan ta tërheqin atë për ta kaluar detin në këmbë, pa aleatë nga pas, janë në të vërtetë sirena që kërkojnë ta mbysin atë. Dhe kur kam parasysh aleatët, nuk flas fare për socialdemokratët, demokristianët apo figura individuale opozitare si Ngjela, Zogaj apo dikush tjetër, por kam parasysh ata opozitarë që nuk ua di as emrin, ata që i njeh veç një krahinë, një komunitet apo një lagje. Edhe ata duhen respektuar. Ky sistem nëse aleatët përfshihen brenda koalicionit vetëm sa i jep vota partisë së parë dhe ato pakica të papërfillshme, por të arta, i merr ai koalicion që prodhon entuziazëm. Mos prisni prej atyre votave të kenë identitet të qartë politik apo ide të mëdha. Ato janë vota shpesh tribale, krahinore, fetare, etnike, apo ideologjike, që shkojnë andej nga besojnë se fitohet. Për këtë arsye ato jo vetëm që nuk duhen trembur e fyer, por duhen ndjellë si në një shtëpi ku muzika e dasmës ka filluar pa ardhur nusja. Klima e armiqësisë e fyerjes dhe ndonjëherë e frikës se mos PS fiton nëse mblidhen të gjithë në oborrin e saj, është realisht një frymë tinëzare, që ushqen humbje. Kjo është një betejë mes projektit politik të Edi Ramës dhe Sali Berishës, por jo një duel mes të dyve të vetmuar. Frika e Berishës që nuk e fitonte dot kurrë këtë duel me Edi Ramën e çoi atë tek ndryshimet kushtetuese. Tani ata nuk maten më me fuqitë e tyre personale, por dhe me fuqinë e ushtrisë që arrijnë të mbledhin pas vetes. Sali Berisha duket i qartë në këtë betejë. Ai ka mandat të qartë për të negociuar koalicionin, për të qenë i hapur në ofertat e tij, pasi e di që fitorja e pushtetit i jep shansin ti kënaqë të gjithë. Tek opozita duket se të gjithë mendojnë se fitorja është e tyre, kurse humbja e Edi Ramës, dhe duke menduar secili për fitoren e vet, sigurojnë humbjen e Edi Ramës. Për këtë arsye është e nevojshme që Edi Rama të shfaqet jo vetëm si udhëheqës i koalicionit dhe si njeri që po formon ushtrinë e betejës, por si një njeri që po e çon në fitore këtë koalicion. Le ta mbajë pas dhe Ndre Legisin se nuk i prish punë njeriu, por kjo nuk është betejë e Legisit me Berishën. Siç e thashë, koalicionet e mëdha me partitë e vogla i formon besimi se fiton dhe jo ndonjë afërsi politike apo ideologjike. Besim tek fitorja është dhe arroganca, por jo kur ajo shfaqet tek ata që nuk mbajnë përgjegjësi kur humbasin. Sali Berisha, i cili është njeriu më intolerant dhe hermetik në këtë vend për të lëshuar nga pushteti i tij, është më toleranti dhe i hapuri për të mbledhur çdo votë në thesin e tij para betejës. Kjo vjen nga fakti se ai njeh pafuqinë e tij për të fituar i vetëm. Nervozizmi i shtirur me aleatët e opozitës, është në të vërtetë shpresa e vetme e tij që çdo votë e zbuar nga opozita, të bëhet pjesë e kapitalit të tij politik.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›