Bunkerët mund të kthehen në dhoma plazhi
Enver Hoxha mund të kthehet përmbys në varr; dy arkitektë të rinj synojnë të transformojnë bunkerët e tij të dashur, të ndërtuar për të luftuar kundër një pushtimi nga NATO, në vende ngrënieje dhe hotele.
Jonizi i kalon ditët e tij i ulur para shtëpisë së tij modeste, që gjendet në daljen e Durrësit, duke shikuar makinat që kalojnë në autostradë. I parruar dhe me një xhaketë të grisur, i moshuari 60-vjeçar është një nga shumë shqiptarët që erdhi nga malësia e veriut në fillim të viteve ‘90 për t’u vendosur në Durrës. Ajo që e bën të veçantë shtëpinë e tij është se fillimisht qe një bunker i ndërtuar për të mbajtur një top 160 milimetrash me pamje nga deti. Ai është një nga qindra mijëra bunkerët e ndërtuar gjatë kohës së diktaturës paranojake komuniste në vitet ‘70 për t’u përballur me një sulm imagjinar nga NATO. Disa thonë se bunkerët e ndërtuar qenë 750 mijë, por ndonjë shifër e saktë nuk dihet.
“Enveri nuk i ndërtoi këta bunkerë vetë, i ndërtuam ne”, thotë Jonuzi. “Disa e shajnë Enverin për bunkerët, por unë jo, sepse kjo është shtëpia ime”, shton ai.
Tani që është një vend anëtar në NATO, Shqipëria nuk ka se për çfarë t’i përdorë bunkerët. Gjithsesi, dy të rinj shqiptarë që studiojnë për arkitekturë në Universitetin Politeknik të Milanos besojnë se bunkerët një ditë mund të kthehen në asete të vlefshme. Ata dëshirojnë t’i transformojnë reliket e Luftës së Ftohtë në hotele për turistët e aventurës.
“Bunkerët janë pjesë simbolike e panoramës shqiptare”, thotë Elian Stefa, një nga dy studentët. Së bashku me shokun e tij të klasës, Gyler Mydyti, kanë prezantuar një ide si temë diplome për t’i bërë funksionalë bunkerët, me qëllim që të ndërtojnë aty dhoma pushimesh, dyqane suveniresh apo restorante, në varësi të madhësisë së tyre.
“Nuk ka asnjë vend në Shqipëri ku mund të bësh një fotografi pa pasur bunkerë në panoramë”, thotë Stefa.
Siç ka vepruar edhe Jonuzi, shumë shqiptarë i kanë vënë në përdorim bunkerët, duke i përdorur për restorante, lavazhe makinash, apo magazina për të ruajtur ushqimin e kafshëve. Por shumica vijojnë të jenë të papërdorur dhe të mbuluar nga ferrat. Shqiptarët kanë bashkëjetuar për dekada me bunkerët, të cilët i ndërtuan me detyrim, kështu që shumë rrallë shohim ndonjë vlerë tek ato. Shumë njerëz as që i vënë re fare kur i kalojnë pranë. Megjithatë, për shumë të huaj, bunkerët janë simbol i izolimit të Shqipërisë gjatë kohës së komunizmit.
“Bunkerët shpesh përdoren si metaforë për të përshkruar Shqipërinë nga të huajt”, thonë Ben Andoni, gazetar në Tiranë.
“është e dhimbshme të mendosh se paratë e një vendi kaq të varfër u shpërdoruan për vite me radhë për të ndërtuar bunkerët që nuk u përdorën kurrë”, thotë ai.
Para rënies së komunizmit, shqiptarët i përdorën bunkerët në rastin më të mirë si banjo publike të pista, ndërkohë që propaganda e qeverisë i reklamonte si garantuese të parajsës socialiste.
Shqiptarët i shohin tashmë bunkerët si simbol të një të shkuare të pakuptimtë e në shumë raste as që e vënë re praninë e tyre.
Shkatërrimi i bunkerëve nga ana tjetër është një proces që kushton. Vitin e kaluar, ushtria shqiptare u detyrua të përdorë një tank sovjetik T-59 për të shkulur një bunker të vendosur në plazhin e Semanit. Duke qenë se shkulja e bunkerëve i kushton qeverisë rreth 1000 euro, Stefa beson se ato mund të përdoren më me leverdi si kabina plazhi, duke shpenzuar dhjetë herë më pak nga sa kushton shkatërrimi.
“Ne besojmë se transformimi i bunkerëve në objekte funksionale kushton lirë, pasi mund të përdoren materiale të lira. Ne dëshirojmë të transformojmë mendimin e përgjithshëm që të huajt dhe shqiptarët kanë mbi bunkerët, duke i kthyer nga një problem, në një mundësi”, thotë Stefa.
Megjithëse disa bunkerë të mëdhenj mund të përdoren për shumë punë, përdorimi i bunkerëve të vegjël që qenë imagjinuar si pikë zjarri me mitraloz, është më i vështirë. Duke qenë se ata janë të përqendruara në grupe, Stefa dhe Mydyti propozojnë që të transformohen në dhoma pushimesh, duke krijuar kampe ambientale nga bregdeti deri në male. Dy studentët do të nisin një projekt pilot për transformimin e disa bunkerëve në dhoma plazhi në Qeparo, duke filluar nga kjo verë.
“Sikur edhe vetëm një shqiptar të ndjekë shembullin tonë, ne do të besojmë se e kemi plotësuar misionin”, thotë Stefa. “Në këtë mënyrë do të ndryshohet ndjesia negative që njerëzit kanë kur shohin bunkerët”, shton ai.
#