Mediat greke: Hetimet të shtrihen në Shqipëri
Vazhdojnë hetimet e policisë dhe prokurorisë greke për kontrabandën e 10 doganierëve grekë të arrestuar dy javë më parë dhe sipas mediave greke deri tani hetuesit kanë mundur të zbulojnë një skemë gjigante korrupsioni në doganat greke që operojnë në kufijtë tokësorë me Shqipërinë, në Kakavijë (Gjirokastër), Qafë-Botë (Konispol) dhe Tri Urat (Përmet). Sipas mediave dhe shtypit më serioz në Greqi, bëhej e ditur se për një periudhë 4-vjeçare, 2005-2009, nga pikat kufitare të përmendura më sipër kanë kaluar në mënyrë të paligjshme të paktën 15 500 maune kontrabandë. Hetimet dhe përgjimet e para në terren kanë nisur 3-4 muaj më parë nga seksioni special i Ministrisë së Brendshme të Greqisë në përfundim paraprak të të cilave janë vënë nën hetim 10 punonjës të doganës, të cilët kishin arritur të grumbullonin shuma të mëdha parash përmes skemës së tyre të ryshfetit, duke abuzuar më së shumti me eksportet fiktive me Shqipërinë, nga të cilat doganierët akuzohen se kanë përfituar 18% të vlerës së blerjes. Mediat greke dhe veçanërisht agjencia shtetërore greke e informacionit ANA, duke iu referuar burimeve zyrtare kanë publikuar skemën e këtij korrupsioni të madh që realizohej në pikat doganore tokësore që përballojnë qarkullimin më të madh të mallrave dhe mjeteve mes dy vendeve. Sipas këtyre të dhënave të para që lidhen me korrupsionin për 5 doganierë të vënë në hetim në pikën e Kakavijës dhe 5 të tjerë në pikën e doganës së brendshme që ndodhet në Janinë. Duke iu referuar departamentit të çështjeve të brendshme në policinë greke, mediat thonë se bëhet fjalë për një skandal shumë të madh, që aktualisht është kufizuar vetëm me hetimin, penalizimin dhe ndalimin e 10 punonjësve të doganave në Kakavijë dhe Mertzani, në prefekturën e Janinës, por mendohet se ky korrupsion i shtrin “metastazat” e tij edhe në Doganën e Kapshticës në Korçë dhe ndoshta në një volum më të madh abuzimi. 10 nëpunësit e doganave greke janë akuzuar për formimin e një rrjeti që ka modifikuar dokumentet doganore, duke lejuar mijëra kamionë për të kaluar kufirin greko-shqiptar, në këmbim të ryshfetit. Sipas këtij burimi, nga datat 27 shtator 2008 dhe deri më 13 janar 2010 doganierët kanë lejuar 11 814 kamionë të kalojnë ilegalisht kufirin në Kapshticë dhe 4 780 kamionë të tjerë në pikën kufitare të Kakavijës. Të dhënat janë publikuar edhe nga shtypi lokal i Janinës, përkatësisht nga gazetat e rajonit të veriut të Greqisë si: “Proina neas”, “Iperotikos agonas”, “Proinos logos” etj., të cilat nënvizojnë se shifrat që kanë dalë gjatë hetimit dhe që janë pranuar zyrtarisht edhe nga autoritetet shtetërore greke, për rreth 15 500 kamionë që kanë kaluar kontrabandë në Shqipëri, përbëjnë humbje të madhe financiare jo vetëm për Greqinë, por edhe për Shqipërinë.
#