Lektura shkollore në vend të pelegrinazheve

Humbja serbe si fitore serbe
“SERBëT PREJ SOT do të fillojnë të shkojnë në Hagë për çdo 22 korrik, njësoj siç shkojnë në Gazimestan çdo 28 qershor”. Kjo ishte fjalia që e thashë në formë barsolete nga studio e KTV-së, të enjten, menjëherë pas përfundimit të transmetimit të drejtpërdrejtë të seancës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën. Dhe serbët (e them në terma përgjithësues, me arsyen që do të jepet më poshtë) u kujdesën që ta konfirmojnë menjëherë predisponimin për një sjellje të këtillë.
A u mbush Serbia përfundimisht mend? Mendimi pa ekuivokë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ia ka bërë të qartë përfundimisht Beogradit zyrtar dhe popullit të Serbisë se Kosova është shtet i pavarur, se këtë e ka merituar dhe se këtë e ka bërë pa thyer asnjë rezolutë ose normë ndërkombëtare të drejtësisë. Në një situatë katarze gjithëpopullore, logjikshëm mbase ky do të duhej të ishte reflektimi i politikës dhe opinionbërësve në Beograd. Mirëpo ky është një realitet ende shumë i largët në Serbi. Ndonëse një kërkesë për procedimin e së cilës ishte angazhuar e tërë politika e diplomacia serbe pas 17 shkurtit 2008 - dërgimi i çështjes së shpalljes së pavarësisë në GJND – pasi që iu kthye bumerang Serbisë, nuk ndikoi fare për ndonjë këndellje të mundshme. Të mësuar me shekuj që edhe fitoret dhe edhe humbjet t’i interpretojnë thjeshtë si fitore, në Serbi disfata GJND nuk po jep shenjat e ndërrimit të politikës ndaj Kosovës. Politika, shtypi, si dhe shumica e shoqërisë civile serbe ka dështuar sërish të reflektojë pa emocione në një moment të cilin, dorën në zemër, e kishin kërkuar vetë.
Me fare pak përjashtime të rralla, i tërë opinioni serb ka bërë përpjekje që mendimin e GJND-së ta paraqesë edhe një herë si një tjetër konspiracion keqdashës në nivele ndërkombëtare kundër serbëve dhe Serbisë, dhe natyrshëm, duke paralajmëruar vazhdimin e luftës deri në “fitoren përfundimtare”. Shtypi serb, pavarësisht se a bëhej fjalë për raporte të thjeshta ose komente, i referohej Kosovës si “shtet i rremë”, lavdëronte dhe sillte vetëm deklarata të katër gjykatësve përfaqësues të shteteve që kanë votuar në favor të Serbisë, botonte vetëm qëndrimet e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur republikën e re, ofronte skica dhe artikuj për “lëvizjet e tjera separatiste” në botë “të ngjashme me Kosovën” e të tjera të ngjashme. Të gjitha i bënte, vetëm ta pranonte se me GJND-në i është dhënë edhe një vulë përfundimtare se fati i Kosovës dhe i Serbisë tashmë është i ndarë - nuk e bënte.
Me këto, edhe një herë dëshmohet se sa e papërgatitur është Serbia në të gjitha nivelet e përfaqësimit qytetar, që t’i besojë asaj që shohin më tepër se asaj që u thotë zemra. Të pranojnë faktin gjakftohtë, në këmbim të miteve të dyshimta shekullore. Ende vazhdojnë të numërohen në gishta dore individët që përgjatë më se një shekulli ia kanë arritur të dalin mbi masën e hipnotizuar me mite serbe e të reflektojnë mbi faktet në mënyrë që bazuar në konkluzione që do t’u hapnin rrugë zgjidhje të qëndrueshme afatgjate. Rol të madh, siç dihet mirëfilli, sot në botën e qytetëruar për të ndërruar opinionet udhëhumbëse të pushtetarëve politikë kanë intelektualët, gazetarët, shkrimtarët, filozofët, me një fjalë mendimtarët e pavarur. Por, ku janë ata në Serbi? Mungon masa kritike e tyre. E derisa këta të mungojnë, vështirë të pritet që të ndryshojë qëndrimi i politikës së Beogradit ndaj Kosovës.
Heronjtë e paktë serbë të realitetit të Kosovës
Në SERBI PëRGJATë NJë periudhe të gjatë mund të numërohen pak njerëz të shkronjave që kanë menduar dhe kanë rrezatuar esull për shqiptarët dhe Kosovën në veçanti. Që nga Dimitrie Tucoviq nga fillimi i shekullit të kaluar, Bora Qosiq, Bogdan Bogdanoviq e Mirko Kovaq ndër vite, e Natasha Kandiq, Sonja Biserko e Vladimir Arsenijeviq në dhjetëvjeçarët e fundit. Bashkë edhe me ndonjë tjetër që ndoshta s’u përmend, në rreshtat e këtyre individëve ose veprimet e tyre, kemi pasur mundësi të shohim një mendim kritik të pavarur nga masa gjithëpopullore serbe. Pavarësisht kësaj, serbët vazhdojnë t’i nënvlerësojnë dhe refuzojnë aktet e këtyre bashkëqytetarëve të vetë të guximshëm. Dhe rezultatet e një mendësie të këtillë janë të prekshme çdo ditë: Serbia dhe ndikimi serb në përgjithësi në rajon përgjatë gjithë kësaj kohe të përshkruar vetëm sa kanë shkuar duke u tkurrur.
Së fundi një libër nga një malazias, që është munduar t’i shikojë gjërat ashtu siç kanë ndodhur, dhe jo ashtu siç i është thënë se kanë ndodhur, do të mund të shërbente si një argument shtesë për këndelljen e shumëdëshiruar të shoqërisë serbe. Libri i diplomatit dhe gazetarit malazias lindur në Kosovë, Bato Tomasheviq, “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, përmes rrëfimit të sagës së tij familjare, tregton edhe shumë episode që nuk kërkojnë shumë interpretim nga koha e kolonizimit të Kosovës nga serbët e malazezët, pas pavarësimit të Shqipërisë dhe luftërave ballkanike. Pa interpretime shtesë, këtu do të sjellë vetëm disa pjesë.
Citate nga libri rreth kolonizimit të Kosovës
“...Rreth gjashtëdhjetë mijë serbë e malazezë, midis të cilëve dhe prindërit e mi, iu përgjigjën thirrjeve patriotike të Beogradit për të ‘ripushtuar’ Kosovën... më 1920...”
“Babai im, si të gjithë kolonistët, ishte më se i bindur që të gjitha tokat në Kosovë u duheshin marrë shqiptarëve dhe t’u jepeshin serbëve dhe malazezëve, duke e justifikuar këtë me ‘të drejtën e shenjtë serbe’ mbi këtë territor. Ai u përfshi sinqerisht në fushatën për rikolonizimin e krahinës, duke shkruar letra në të gjitha pjesët e Malit të Zi për t’iu mbushur mendjen të afërmve dhe miqve ‘të zbrisni nga malet e egra, të lini prapa dhitë tuaja dhe jetën e ndyrë e të bashkoheni në rizaptimin e Kosovës serbe’... Mbërritja e malësorëve malazezë në Kosovë, sipas traditave të tyre ushtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe herë-herë me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata zaptonin.”
“Pas luftës, një fqinj yni në Mitrovicë kujtonte ato ditë: ‘Kujtoj nënën tënde, Milicën, e cila mbi fustanin e saj të vjetruar, të gjatë dhe të zi, mbante një brez lëkure me dy revolverë, një në secilën ijë... Gratë tona malazeze mund të shtinin me të dyja duart, si dhe të dërgonin në botën tjetër këdo që do të përpiqej të prekte fëmijët e tyre’”.
“Para se të ngrysej, burrat e familjes... u shpërndanin armë pjesëtarëve të rritur të familjes... Baballarët e quanin për detyrë t’u mësonin të gjithë fëmijëve, si djemve ashtu dhe vajzave si përdoreshin armët...”
“Në Vidovdan, 28 qershor, familjet mblidheshin në Gazimestan dhe ndiznin qirinj për shpirtrat e të vdekurve, betoheshin për të marrë hakun e heronjve dhe martirëve të Kosovës dhe për t’ia kthyer përgjithnjë Serbisë Kosovën e humbur. Ndërkohë që sundimtarët turq nuk ekzistonin më atje, këto përbetime drejtoheshin tashmë kundër shqiptarëve myslimanë.”
“Një tjetër koncept i rrënjosur thellë në mendjet e malazezëve ishte ai ‘një jetë për një jetë’... ‘Sa më shumë koka të prisni në betejë duke mbrojtur veten’, thoshin njerëzit, ‘aq më të qetë do të jeni në botën tjetër. Ai që nuk arrin të marrë një jetë për një jetë, vdes si njeri i pavlerë’”.
“Një akt për kolonizimin e territoreve të reja të sapozaptuara në Kosovë, Metohi dhe Maqedoni ishte miratuar nga qeveria serbe qysh më 1914, në mbarim të luftërave ballkanike, por shpërthimi aq shpejt i Luftës së Parë Botërore kishte penguar zbatimin e tij. Ky akt kishte për synim t’u jepte fund marrëdhënieve feudale me tokën, shumica e së cilës ishte në duart e bejlerëve turq dhe shqiptarë... Duke bërë një reformë agrare në këto treva – qeveria e Beogradit kishte tashmë në dispozicion të saj sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore pjellore për t’ua shpërndarë kolonëve. Këto toka u jepeshin atyre në pronësi të plotë, për të forcuar në këtë mënyrë praninë serbe dhe malazeze në Kosovë, ku popullsia shqiptare ishte në shumicë dërrmuese... Kështu çështja e Kosovës mendohej të zgjidhej jo me anë të bashkekzistencës, por duke krijuar kushte të tilla që do të inkurajonin shqiptarët dhe banorët e tjerë myslimanë të emigronin në drejtim të Shqipërisë apo Turqisë...”.
“Kosova mund të jetë shpëtimi ynë, jeta e re për të cilën kemi ëndërruar, Amerika jonë”.
“Këtu (në Mitrovicë, A.K.), në komandën ushtarake, kolonëve u jepeshin dokumentet për një shtëpi dhe për tokë, përpara se të iknin për të marrë në zotërim pronën e tyre të re të shoqëruar nga një eskortë ushtarake, pasi në disa raste kishte pasur konflikte të drejtpërdrejta me shqiptarët”.
“...Një numër kolonësh të zhgënjyer po ktheheshin mbrapsht në qytet, pasi ua kishin shitur shqiptarëve tokën që u ishte dhënë, shpesh dhe më së shumti pikërisht atyre që iu ishte marrë”.
“Ai ishte plotësisht i vetëdijshëm se si ishte sjellë ushtria në raste të ngjashme: shumë shtëpi shqiptare dhe fshatra të tëra të bëra shkrumb e hi ishin evidenca e kësaj arsyeje të ashpër ushtarake... ‘Ata njerëz janë kafshë të egra dhe vetëm zjarri i topave i sjell në vete’”.
“Edhe sikur ata të kishin mësuar paksa shqip, kolonët e kishin për fyerje të flisnin atë gjuhë dhe këmbëngulnin që shqiptarët të flisnin me ta vetëm në serbisht”.
“Major Goluboviqi dërgoi ushtrinë tok me ta dhe ndodhi një kasaphanë e vërtetë: rreth tridhjetë nga djemtë e tyre u vranë. Trupat e tyre u sollën këtu mbi qerre dhe u çuan te sheshi i pazarit ku u lanë që t’i shihnin të gjithë. Gratë dhe nënat e tyre nuk u lejuan të afroheshin...”
Lektura Vs. Pelegrinazh
LIBRI I TOMASHEVIQIT është botuar në anglishte (Hurst and Company, London) në shtator të 2008-s. Ndërkohë është përkthyer dhe botuar në mbi dhjetë gjuhë botërore, përfshirë edhe shqipen. Versioni në serbisht ka pasur lexueshmëri më të madhe në Mal të Zi se në Serbi. Ndërkohë mbase do të duhej që të bëhej lekturë e obligueshme shkollore në të gjitha shkollat serbe e malazeze. Do t’u ofronte dëshmi të dorës së parë nga një autor i vet, që mbështetet në përjetime personale dhe jo në mite. Sigurisht, kjo do t’u ndihmonte serbëve që t’i interpretonin në dritë reale ato që kanë ndodhur me Kosovën e djeshme, por edhe më 1999, 2008 dhe 22 korrik 2010. Për të mirën e tyre, në radhë të parë. Që të mos vazhdojnë të bëhen pelegrinë të vendeve si Gazimestani dikur... dhe Haga tash, risia e fundit në toplistën e “humbjeve të mëdha serbe”.
adriatik@kohavision.net