E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të humbur në labirint

Ujëvara e rrjedhjeve rreth Afganistanit thekson të vërtetën e tmerrshme: Ne nuk e kemi kontrollin.
Që nga koha kur Tezeu luftoi me Minotaurin në labirintin e tij, gjërat nuk kanë qenë kaq të ngatërruara.
Sa më tepër që përpiqemi të bëjmë për protektoratet tona ndërkombëtare, aq më të mllefosur bëhen ata rreth gjërave që ne përpiqemi t’i bëjmë. Derisa Kongresi miratoi edhe 59 miliardë dollarë para shtesë për financimin e luftës, të martën, ata për të cilët kujdesemi jo vetëm që nuk janë mirënjohës, por janë edhe përbuzës.
Washingtoni u dha bankave të Wall Streetit miliarda, dhe, si kundërshpërblim, ata na e futën thikën në shpinë, duke ua shpërndarë pasurinë në emër të bonuseve telashexhinjve që gati sa nuk e shkatërruan ekonominë tonë.
Washingtoni u dha pakistanezëve miliarda, dhe, si kundërshpërblim, ata na e futën thikën në shpinë, duke u zotuar se do t’i luftojnë militantët edhe derisa fshehurazi i ndihmonin po ata militantë.
Neve vazhdimisht na e luajnë lojën, njerëzit që luajnë për të dy anët.
Robert Gibbs rikujtoi se presidenti Obama tha vitin e kaluar që “ne nuk mundemi dhe nuk do t’ia japim një blanko çek” Pakistanit.
Por, vetëm javën e kaluar, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, arriti në Pakistan për t’ua dhënë atyre një çek të majmë: 500 milionë dollarë ndihmë për vendin që ka marrë nga një miliardë çdo vit për pjesën më të madhe të këtij dhjetëvjetëshi dhe të cilit më 2009 i janë zotuar edhe 7.5 miliardë dollarë për pesë vitet e ardhshme. Ajo u zotua se do të hedhë poshtë “trashëgiminë e dyshimeve” dhe do të tregojë se “ka aq shumë që mund të arrijmë së bashku si partnerë të bashkuar në një kauzë të përbashkët”.
Gibbs pohon se rrebeshi i dokumenteve depresive të luftës që u publikuan nga ueb faqja Wikileaks, të raportuara nga “The New York Times” dhe të tjerët, ishte gjë e vjetër. Por, kjo reflektonte për një fakt që të ngrin gjakun: talibanët po bëheshin më të mirë çdo vit të kryengritjes. Andaj, pse do të ndihmojnë atje edhe 30.000 trupa?
Ne kemi pushtuar dy vende, dhe jemi në aleancë me të tretin – që të gjithë këta të njohur si mjeshtër të mashtrimit. Dhe tani, të futur në labirintet e tyre, ne ende nuk e kemi as idenë më të mjegulluar, të mbështjellë nga mjegulla e luftës, se si funksionojnë këto kultura. Para se të shkonim në Irak e Afganistan, që te vendet ishin të njohura për kulturat e tyre luftarake. Dhe, vërtet, kryengritjet e tyre janë të klasës botërore.
Por, kurdo që Amerika përpiqet të trajnojë forca të sigurisë në Irak dhe Afganistan ashtu që të lëmë prapa vetes një vend paksa më stabil, përpjekja e tillë është krejtësisht si ajo e Sizifit. Duhen mijëra vjet më shumë se parashikimet e zyrtarëve tanë. Forcat që i trajnojmë kthehen kundër nesh ose dalin në anën tjetër ose thjesht ikin. Nëse u japim një burg të sigurisë maksimale, sikur së fundi në Irak, duke e shndërruar dorëzimin e çelësave në një shou të madh, të burgosurit e “Al Qaedas” aty befasisht lejohen të ikin.
Perandoria Britanike krenohej se kishte zbuluar racat luftarake në vendet që ka pushtuar – gurkat, sikët, patanët, si i quanin britanikët pashtunët. Por, pse janë këto kultura luftarake vetëm derisa ne kemi nevojë që ata të jenë luftëtarë në anën tonë? Më pas ata bëhen të patrajnueshëm e të çalë,  madje edhe pasi që ne t’i kemi shpenzuar 25 miliardë në ndërtimin e ushtrisë dhe forcës kombëtare policore në Afganistan, që tani kanë nofkën “bandat që nuk mund të shtinë drejt” që ua dha “Newsweek”.
Ndoshta ne thjesht nuk mund t’i trajnojmë për të luftuar njëri me tjetrin. Por, pse vendet që prodhojnë kryengritje të ashpra nuk mund të prodhojnë armata të qëndrueshme për një kohë të arsyeshme? A është thjesht sepse kryengritjet mund të jenë më të rrëmujshme?
Gjërat janë aq keq sa që Robert Blackwill, që ishte në ekipin e sigurisë kombëtare të Bushit, shkroi në “Politico” se administrata e Obamas duhet thjesht të pranojë dështimin dhe t’ia dorëzojë Pashtunin Jugor talibanëve, meqë ata pashmangshëm do ta kontrollojnë atë gjithsesi. Ai tha se administrata nuk po e çmon përmasën e kryengritjes së nacionalistëve të Pashtunit.
Vazhdimisht dëgjojmë se dekada e fundit e luftës, gjatë së cilës ne derdhim miliarda për të ndërtuar Irakun dhe Afganistanin madje edhe derisa ekonomia jonë çalon, e ka dobësuar “Al Qaedën”.
Por, në dëgjimin konfirmues të martën, para Komitetit të Senatit për Forcat e Armatosura, gjenerali James Mattis, i cili pritet ta zëvendësojë gjeneralin David Petraus, tërhoqi vërejtjen se “Al Qaeda” dhe grupimet e saj demone përfaqësojnë një rrezik të ashpër në mbarë Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore.
Derisa ne jemi të ngujuar në Afganistan, rrjeti i “Al Qaedas” do të mund të turbullojë Jemenin “deri në pikë të vlimit”, tha Mattis në dëshminë e tij të shkruar.
Rajonet tribale të Pakistanit “mbeten rreziku më i madh, meqë këto janë pika strategjike për “Al Qaedan” dhe liderët e lartë të saj, përfshirë Osama bin Ladenin dhe Ayman al-Zawahirin”, shkroi gjenerali me katër yje, duke shtuar se ato “mbeten kyç për përpjekjet e ekstremistëve për të ngritur një rezistencë të myslimanëve në mbarë botën”.
I pyetur nga John McCain, general Mattis tha se ne nuk po largohemi nga Afganistani; ne po e fillojmë një: proces të transicionit te forcat afgane”. Por ai proces kurrë nuk duket se po e kalon pikën fillestare.
Gjatë debatit rreth financimit të luftës të martën, përfaqësuesi Jim McGovern, një demokrat nga Massachusetts, tërhoqi vërejtjen se gjendemi në një labirint monstruoz pa asnjë fije ideje se si do të gjejmë rrugën për të dalë.
“Sajuesja është zgjidhur e tëra, dhe pamja që kemi fituar nuk është aspak e bukur”, tha ai për “The Times”. “Gjërat po bëhen shumë të shëmtuara atje”.

(Autorja është kolumniste e rregullt në “The New York Times”. “Koha Ditore” ka të drejtën ekskluzive për botimin e këtyre kolumneve)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›