E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku, monedha më e dobët në Europën Lindore

Mungesa e prodhimit dhe rritja e normës së interesit të lekut rritën çmimet. Rajoni ka zhvlerësuar monedhat vendase për të stimuluar eksportet
Ervin Koçi

Edhe pse leku (monedha jonë) ruan aktualisht një pozicion të fortë në tregun e shkëmbimeve valutore në vend, e sidomos në raport me euron, kjo “nuk i hyn në punë as dreqit”. Ekspertët e ekonomisë mendojnë dhe parashtrojnë njëkohësisht idenë se, sipas tezave ekonomike, vetëm zhvlerësimi i monedhës vendase do të ndihmonte në forcimin e ekonomisë, pasi do të kishte më shumë përfitime në eksporte. Por, sipas tyre, në rastin e vendit tonë, zhvlerësimi i lekut në një kohë kur mungon prodhimi vendas, “do të ishte thikë me dy presa për ekonominë”. Pra, sipas ekspertëve, kjo do të sillte rritje të mëtejshme të çmimeve. Gjithashtu, ekspertët parashtrojnë edhe idenë se zhvlerësimi i parasë në vendet e rajonit ka pasur si qëllim stimulimin akoma më shumë të prodhimit vendas, por ka mbuluar edhe deficitin tregtar. Politika e zhvlerësimit të monedhës në rajon ka qenë e diktuar nga bankat qendrore të këtyre vendeve, një veprim ky i cili nuk mund të ndërmerret nga ne. Monedha vendase vazhdon të pozicionohet akoma më e fortë në tregun valutor vendas, në krahasim me monedhën e përbashkët europiane, euron, edhe pse situata paraqitet krejt ndryshe në vendet e rajonit, në të cilat theksohet zhvlerësimi i kursit të këmbimit të monedhave vendase, kjo për shkak të hapjes së tregjeve të shkëmbimit të mallrave. Pra, leku shqiptar pozicionohet si monedha më e fortë në këmbim me euron, e krahasuar kjo me vendet e rajonit.

Deficiti tregtar

Problemi i deficitit tregtar është i pranishëm në shifra alarmante në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, deficiti tregtar për muajin janar 2008 arriti në 220 miliardë lekë. Sipas ekspertëve, e vetmja mënyrë për zhvlerësimin e monedhës vendase mbetet ajo për një zhvlerësim të diktuar nga Banka e Shqipërisë, në rast se ekonomia do ta kërkonte atë. Sakaq, ulja e normave të interesit nga ana e BSH-së në një kohë kur ekonomia paraqet mungesë të prodhimit vendas, do të sillte çmime akoma më të larta. Po ashtu, ulja e normave të interesit të lekut është edhe në interes të qeverisë, pasi kjo nuk do të sillte kosto të lartë në shlyerjen e borxhit të brendshëm. Por një pjesë e ekspertëve mbështesin idenë se, “rritja e normave të interesit redukton paranë ‘cash’ në qarkullim”. Sipas tyre, “me normat e larta që janë sot deri në vitin 2009, të gjitha transaksionet do të kryhen nëpërmjet bankave”. Një tjetër faktor, i cili mund të ndikojë në zhvlerësimin e parasë vendase, është kriza ekonomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Rezerva Federale është e detyruar sërish të ulë normat e interesit. Kjo situatë do të përcillet në vendet e Europës, e cila pritet të vijë dhe tek ne.

Të ardhurat

Ekspertët mendojnë se një ndër faktorët kryesorë që po mbajnë një monedhë vendase të forcuar, janë të ardhurat në nivel të lartë nga emigrantët. Pavarësisht se prej tyre kjo periudhë njihet si “e qetë”, të ardhurat e emigrantëve ndikojnë në forcimin e monedhës së huaj. Po këtu veçohet edhe mungesa e prodhimit bujqësor në vend, si dhe investimet e huaja.

Rajoni

Duke iu referuar situatës në rajon, nga zhvlerësimi i monedhave vendase ka ardhur hapja e tregjeve. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë, vërehet zhvlerësim i theksuar i kursit të këmbimit të dinarit përkundrejt euros (5.1 për qind), duke filluar nga fillimi i vitit 2008 (nga 79.24 në 83.46 për një euro). Në datën 28 shkurt, guvernatori i Bankës së Serbisë, Radovan Jelasiç, njoftoi rritjen e normës së interesit me 0.75 për qind, duke e çuar atë në 11.50 për qind. Në Kroaci, kursi i këmbimit midis kunës (monedha kroate) dhe euros pati një zhvlerësim të lehtë me 0.2 për qind në muajin dhjetor 2007. Euroja u vlerësua nga 7.31 kuna më 30 nëntor, në 7.33 kuna më 31 dhjetor 2007. Në terma nominalë, kursi i këmbimit të kunës me euron është forcuar me 0.3 për qind në fund të vitit 2007, krahasuar me 7.35 kuna/euro në fund të vitit 2006. Kursi nominal i këmbimit të kunës ndaj euros iu nënshtrua presioneve rritëse në njëzet ditët e para të muajit dhjetor. Kërkesa për kuna u rrit për shkak të rritjes sezonale të konsumit dhe të parasë jashtë bankave. Në Maqedoni, vetëm në fund të muajit, kursi i këmbimit të denarit kundrejt euros në tregun valutor ishte 61.29, duke ruajtur nivele relativisht të qëndrueshme.

Monedha vendase e këmbyer me euro
Leku shqiptar 124.6
Dinari serb 79.24
Denari maqedonas 61.29
Kuna kroate 7.31
Levi bullgar 1.95
Paundi i Qipros 0.58
Koruna çeke 27.53
Krone daneze 7.45
Kruni estonez 15.6
Litasi lituanez 3.45
Lira e Maltës 0.43
Koruna sllovene 34.23
Zloti polak 3.77

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›