E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njerëz të humbur” gjen djalin e Luftim Toçit, emigrantit që humbi jetën në Angli

Nganjëherë jeta s’të jep atë që ti kërkon ose të lë të ëndërrosh deri pak para agimit. Ajo çfarë mbetet në mëngjes është thjesht një hije, gjysmë gëzim e gjysmë trishtim…23–vjeçari nga Dibra, Luftim Toçi, do të emigronte jashtë Shqipërisë në një moshë fare të re. Nga Greqia në Itali e më pas në Angli, ai ishte gjithmonë kërkues për të arritur më të mirën për veten dhe familjen e tij. Por nuk ishte e thënë që gjërat të shkonin ashtu siç dëshironte ai. Një tragjedi do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve dhe do ta bënte familjen Toçi të drejtohej te “Njerëz të humbur”
Historia
Luftimi largohet në drejtim të Italisë në vitin 1998 dhe mbas dy vitesh zhvendoset në Angli. Atje punonte në një fabrikë për pjesë makinash “Honda”, në South Marston. Gati katër vite pasi kishte mbërritur në Angli, ai ishte njohur dhe dashuruar me një vajzë britanike të quajtur Natasha Hutchings me të cilën bashkëjetonte. Njohja e tyre ishte mundësuar në një rreth shoqëror në qytezën Swindon, në të cilën Luftimi jetoi dy vitet e fundit të jetës. Luftimi dhe Natasha po rrisnin një fëmijë së bashku, të kësaj të fundit, por ai e donte njëlloj sikur të ishte i tij. Dy javë përpara se të ndodhte fatkeqësia, çifti merr vesh se do të sillnin në jetë një fëmijë dhe ata do të martoheshin sapo të lindte fëmija. “Mendoj se i gjithë Swindoni e mori vesh se ai do të bëhej baba, pasi ishte shumë i lumtur. Fluturonte nga gëzimi që do të sillnim një fëmijë në jetë”, - u shpreh kohë më vonë Natasha Hutchings për bashkëshortin e saj.
Ditën e shtunë, më 29 maj të vitit 2004, rreth orës 7 të darkës, Luftimi bën një aksident automobilistik dhe humb jetën në një moshë fare të re, vetëm 23 vjeç. Disa ditë më përpara, ai kishte blerë një makinë të re dhe atë natë ishte duke u kthyer në shtëpi së bashku me dy shokë të tij, teksa nga shpejtësia e madhe kishte humbur kontrollin e timonit duke dalë jashtë rruge dhe duke përfunduar disa dhjetëra metra larg në një fushë. Vdekja e Luftimit kishte qenë e papritur ndërsa dy shokët e tij fatmirësisht kishin shpëtuar. Në orët e vona të natës, Natasha kishte marrë vesh nga policia lajmin e hidhur. “Nuk dija asgjë deri rreth orës 10.45 të natës dhe më pas nuk mund ta besoja…Nuk e besova që ai kishte vdekur derisa pashë trupin e tij. Akoma më duket e pavërtetë..”, - shprehej në një të përditshme britanike Hutchings.
Trupi iu kthye familjes dhe këta të fundit humbën kontaktet edhe me Natashën. Një vit pasi Luftimi ishte varrosur, familja merr në dorë disa gazeta britanike ku ish-e dashura e Luftim Toçit pohonte se kishte një fëmijë me këtë të fundit. Ajo kishte lindur një djalë, shtatë muaj pas vdekjes së Luftimit, të cilin e kishte quajtur Risi. “Ndihem totalisht e vrarë shpirtërisht pasi ai nuk pati mundësi të shihte djalin e tij. Risi i ngjan komplet të atit. Ai do ta kishte adhuruar të birin pasi ishte shumë krenar që do të bëhej baba. Dy javë përpara se Luftimi të ndahej nga jeta, ne shkuam dhe pamë fëmijën në eko dhe ai ishte i ngazëllyer. Po planifikonim të martoheshim sapo të lindte fëmija, por kjo nuk u realizua kurr녔, - thoshte mes lotëve Natasha në një intervistë.
Të tronditur akoma nga humbja e djalit, të afërmit u munduan me të gjitha mënyrat të gjenin një adresë apo numër telefoni në mënyrë që të viheshin në kontakt me Natashën dhe të shikonin nipin e tyre. Por kërkimet rezultuan të kota. Pas katër vitesh, ata u drejtuan në “Njerëz të humbur” për të plotësuar atë boshllëk që u ishte krijuar nga largimi i Luftimit nga jeta. Bardhi, vëllai i Luftimit, pohoi në emisionin e Aida Shtinos: “Kërkoj të gjej nipin tim, të cilin do ta kem në vend të vëllait...”.
Gjetja në “Njerëz të humbur”
Pas një jave intensive kërkimesh, gazetarët e emisionit arritën të gjejnë një adresë dhe një numër telefoni të Natasha Hutchings. Ka qenë e vështirë që Natasha të priste nga fillimi i javës deri në ditën e emisionit, të shtunën, që të fliste me prindërit e Luftimit dhe njëkohësisht gjyshërit e djalit të saj. E mpirë nga emocionet, ajo ka pohuar në studion e “Vizion plus” se dëshironte që lidhja e Risit me familjen e Luftimit të ishte e vazhdueshme. Edhe ajo duket se hoqi një barrë shumë të rëndë nga e kaluara e saj: të plotësojë një amanet të pathënë të Luftimit dhe të bashkojë gjakun e ndarë...

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›