E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas gjashtë vitesh, Aida Shtino gjen Dorian Nurçen në Angli

Dorian Nurçe nga Vlora bëhet i gjallë për familjen pas gjashtë vitesh humbjeje të kontaktit. Teksa stafi i “Njerëz të humbur” në “Vizion plus” e kërkonte atë në shtetin hollandez, kërkimet e këtij të fundit gjejnë gjurmë të Dorit në Britaninë e Madhe. Mbrëmjen e së shtunës, prindërit e tij treguan për “Njerëz të humbur” emocionet e telefonatës 5-orëshe të datës 4 mars 2008, të realizuar me djalin e tyre. Por si nisi historia e tij dhe si i humbi kontaktet me familjen? Doriani niset në drejtim të Italisë në muajin nëntor të vitit 1998. Përpara se të largohej, ai u kishte thënë prindërve se udhëtimi do të realizohej me skaf. Ankthi te Skënder dhe Elmaz Nurçe filloi të rritej pasi rruga që mori djali nuk ishte totalisht e sigurt. Pasi mbërrin atje, ai lajmëron familjen e tij për t`u thënë se ndodhej shëndoshë e mirë. Gjatë kësaj kohe, ai ka jetuar në zonën e Narjanos, Romë, tek i vëllai i tij, Adriatiku. Ata punonin të dy bashkë në shtrimin e pllakave dhe kishin kontakte të rregullta me familjen në Shqipëri. Dori kërkonte të largohej në Holandë për një jetë më të mirë. Mirëpo dijeni për këtë gjë kishte vetëm vëllai i tij i madh, ndërsa prindërit nuk dinin gjë. Fillimisht, djali shkon në Angli te një person i quajtur Elidon Merko, i cili banonte aty prej vitesh. Për herë të fundit ai i ka telefonuar familjes duke i thotë se gjendej në sheshin qendror të kryeqytetit hollandez, Amsterdam. Ai kishte zënë shoqëri me dy shokë, njëri nga Tirana dhe tjetri nga Durrësi. Babai e porosit që të mos merrte rrugë të keqe, ndërsa djali i premton se do të fillonte punë në një restorant italian. Më pas, çdo kontakt ndërmjet tyre u ndërpre. Pas denoncimit të rastit në “Njerëz të humbur” filluan kërkimet e para fillimisht në Itali dhe më pas në Hollandë. Informacionet nga shteti hollandez ishin mjaft të vakëta gjë që fokusoi të tërë kursin e kërkimeve të gazetarëve në Angli. Aty vinin shumë fakte rreth jetës së tij, madje reale, që kishin të bënin me javët e fundit të muajit shkurt. Në bisedat e drejtpërdrejta me emigrantë shqiptarë në Britani, Aida Shtino arriti që javën e kaluar të ndryshonte rrjedhën e kërkimeve nga Hollanda në Manchester. Dhe kjo bindje do të shndërrohej shumë shpejt në fakt konkret pasi të hënën në mbrëmje gazetarët arritën të flisnin me Dorianin në Angli. Gëzimi dhe qetësia, të cilat kishin rreth 6 vjet që mungonin në familjen Nurçe në Vlorë, u rikthyen pikërisht të martën e datës 4 mars kur Dori për pesë orë me radhë ka folur dhe është munduar të çmallet me familjen e tij. Dori punonte si badigard në një klub nate në Manchester dhe kishte rreth katër vjet që jetonte aty. Duke lënë mënjanë arsyet, në lidhjen telefonike të ditës së shtunë prindërit e Dorit arritën përpos përshtypjeve të telefonatës së të birit, t`u jepnin të gjithë teleshikuesve mesazhin që të gjithë prindërit të kontaktonin sa më shpejt me fëmijët e tyre.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›