E Shtunë, 31 Tetor 2026

At Artur Liolin: “Edhe Noli do ta kishte pritur Janullatosin”

Flet kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston të SHBA-ve, at Artur Liolin. Janullatos shkakton debate në prag të 100-vjetorit të meshës së parë në shqip
Alfred Lela

Pikërisht kur kanë nisur kremtimet e 100-vjetorit të dhënies së meshës së parë në gjuhën shqipe mes komunitetit shqiptar në Amerikë, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare, Janullatos, është bërë shkas për debate të shumta në radhët e diasporës, por edhe në Shqipëri. Teksa kanë nisur aktivitetet në nderim të të parit themelues të Kishës Autoqefale Shqiptare, imzot Fan Stilian Noli, të cilat do të vazhdojnë deri në fundin e vitit 2008, vajtja e kreut aktual të Kishës Ortodokse ka sjellë tensione. “Edhe vetë Fan Noli, nëse do të ishte gjallë, do ta kishte pritur Janullatosin”, - thotë kancelari i Kishës së Shën Gjergjit në Boston të SHBA-ve, at Artur Liolin. Sipas tij, “kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët”. I përfoluri dhe i propozuari disa herë për të qenë në vendin e Imzot Anastasit sot, pohon se pëlqimi për ardhjen e tij dhe marrja pjesë në kremtimet e 100-vjetorit të meshës së parë shqip është pranuar nga pjesa më e madhe e krerëve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, përfshirë edhe episkopin Nikon.

Si sot 100 vjet më parë, imzot Fan Noli mbajti meshën e parë shqipe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston. Si jeni përgatitur për ta përkujtuar këtë ditë të madhe?

Viti 2008 është 100-vjetori i kishës sonë. Filloi më 6 janar, ditën e shenjtë të Epifanisë dhe Ujit të Bekuar. Është, gjithashtu, dita e emrit dhe ditëlindja e Fan Nolit.
Më 9 mars përkujtojmë bërjen prift të Fan Nolit dhe fillimin e misionit të tij të shkëlqyer si njeri i Kishës, burrë shteti, akademik, poet dhe patriot. Marsi është një muaj i veçantë për ne, përderisa ishte ky muaj i pranverës kur u hap kisha e parë në Boston - Kisha e Shën Gjergjit - shenjti mbrojtës i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në muajin mars të vitit 1965 i madhi Fan Noli mbylli sytë dhe u fut në histori për arritjet e tij në shumë fusha. Ndërsa më 4 maj, ditën e Shën Gjergjit, ne do të hapim një ekspozitë speciale në auditoriumin “Andon Athanasi” në katedralen tonë, që do të pasqyrojë jetën dhe veprën e Fan Nolit dhe rilindasve. Më vonë, më 27 dhe 28 shtator të këtij viti, 100-vjetori kulmon me aktivitetin “Grand Gala” në “World Trade Center” në Boston dhe me meshën finale në katedralen tonë.

Në drekën e shtruar me këtë rast do të jetë edhe Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos. A ka qenë një ftesë e juaja, apo dëshirë e Tij për të marrë pjesë në këto festime?

Të dyja. Kryepeshkopi Anastas katër vjet më parë më ftoi që të çoja meshë në Tiranë. Dy vjet më parë, ai ftoi Hirësinë e tij, arqipeshkvin Nikon i Episkopatës Ortodokse Shqiptaro-Amerikane për të festuar meshën në Tiranë dhe Korçë. Dhe vjet ai ftoi disa priftërinj shqiptaro-amerikanë për të marrë pjesë në mesha dhe për të dhënë leksione në Seminarin e Durrësit. Kështu, ky është një shkëmbim normal vizitash ndërmjet kishave tona. Ne e nderojmë imzot Nolin në këto kohë dhe mirëpresim gjithkënd që dëshiron ta nderojë kujtimin dhe arritjet e tij. Kjo është tradita e vjetër e shqiptarëve.

Ndërkohë, kjo ka zgjuar reagime mes shqiptarëve të Bostonit disa prej të cilëve kanë vendosur të tërhiqen nga dreka jubilare që do të mbahet në restorantin e të ndjerit Andon Athanasi. A përligjet kjo, apo është thjesht një kokëkrisje shqiptare?

Disa nuk janë të kënaqur dhe kjo është e pritshme. Sigurisht, ata kanë mendimin e tyre dhe ne e respektojmë këtë. Ata kanë dyshime dhe pyetje të ligjshme. Dhe ka mënyra të ndryshme për ta ngritur zërin. Sidoqoftë, banketi është pothuajse i prenotuar. Me qindra shqiptaro-amerikanë dhe miq do t’u bashkohen festimeve. Unë kam besim se të gjithë shqiptarët e mirë dinë si të sillen dhe si të shfaqin si duhet traditën tonë të tolerancës.

A mendoni se e gjithë kjo përmban në fakt një paradoks, at Artur? Imzot Noli e shkëputi Kishën Shqiptare nga ndikimi dhe gjuha greke, duke bërë aktin e madh të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare dhe tani, 100 vjet më vonë, pikërisht në jubileun e këtij akti madhor, kemi një grek, Janullatosin, i cili merr pjesë në ceremoni. A përbën kjo një përmbysje?

Jeta është plot me paradokse dhe sfida. Fan Noli ishte njeri i kohës së vet. Ai na mësoi që me guxim t’i trajtojmë çështjet dhe realitetet e kohëve tona. Dhe pikërisht këtë po provojmë të bëjmë. Në shumë raste, ai priti individë me të cilët nuk ishte krejtësisht dakord sepse ishte jashtëzakonisht i hapur dhe kozmopolitan. Ne e shohim këtë jo vetëm si diplomaci të zakonshme e të mirësjellshme ndërmjet njerëzve të Kishës, por gjithashtu si oportunitet. Kjo nuk është vetëm tradita shqiptare e mikpritjes, por, gjithashtu, një nevojë absolute për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet udhëheqësve të komunitetit tonë.

Me çfarë fjalësh do t’u drejtoheshit shqiptarëve dhe kryesisht shqiptarëve të Bostonit të indinjuar nga prania e kryepeshkopit Janullatos?

Marsi për kishën tonë është muaj meditimesh dhe ndjesash. Kjo kërkon një forcë speciale, largpamësi dhe këmbëngulje fisnike e guximtare për t’u mbajtur fort pas bindjeve tona në rrugë të qenësishme. E di se kjo nuk është e lehtë. Është shumë më e lehtë për ta mbrojtur veten me anë të së drejtës, pasi shumë flasin për çështje që janë të drejta. Sidoqoftë, të dy, Noli e Skënderbeu, do të takoheshin me ata me të cilët nuk ishin dakord. Pra, kjo është një kohë për pajtim dhe negociata paqësore dhe një kohë për të lënë mënjanë diferencat për të mirën tonë të përbashkët. Nëse bëjmë këtë me ndihmën e Zotit, mundësitë për progres në të ardhmen do të hapen. Ky është opinioni i episkopit Nikon, i pjesës më të madhe të krerëve të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe, gjithashtu, pozicioni im personal.

At Artur, po vetë Imzot Noli çfarë do të bënte?

Jam absolutisht i bindur se imzot Noli do të hapte dyert për dialog; në veçanti me një person kaq të respektuar, të arsimuar dhe të respektuar në mbarë botën, siç është imzot Anastasi. Ai kurrë nuk do t’i mbyllte dyert për askënd që do të ofrohej të fliste apo ta nderonte atë. Dhe ai do ta përdorte këtë rast për të folur ndershmërisht, hapur dhe me respekt. Noli nuk ishte vetëm orator. Ai dinte të dëgjonte me kujdes e vëmendje, pasi ai ishte një udhëheqës i jashtëzakonshëm, një qenie njerëzore e jashtëzakonshme me të cilin ne të gjithë mund të krenohemi.

HISTORIA E KISHËS SË BOSTONIT
Ngritja e saj mbi një histori tragjike

Gjithçka lindi me një vdekje. Emigranti shqiptar Kristaq Dishnica ndërroi jetë në vitin 1907 në Hudson të shtetit Massachusetts dhe kisha greke e zonës, ku shpesh faleshin shqiptarët, refuzoi t’i bënte të ndjerit shërbimet fetare. Duket se priftërinjtë grekë
kishin ndërhyrë që edhe kishat e kombësive të tjera të refuzonin varrimin e emigrantit nga Korça. Pavarësisht se cilat ishin shkaqet e refuzimit, vdekja e Dishnicës u kujtoi shqiptarëve se kishte ardhur koha që të krijonin kishën e tyre. Shqiptarët ishin të
vetmit ortodoksë të Ballkanit pa një kishë të tyren. Kjo pak i kishte shqetësuar shqiptarët deri atëherë kur kisha greke u angazhua në shërbim të shtetit grek për të paraqitur shqiptarët ortodoksë si grekë me synimin cinik materialist për të gllabëruar tokat
shqiptare. Ndërsa shqiptarët varrosnin trupin e emigrantit të shkretë që vdiq larg nga atdheu, ata varrosnin bashkë me të edhe iluzionin se mjaftonte të ishin “vëllezër
në Krisht” me bashkëfetarët e tyre grekë për të ruajtur dinjitetin e tyre kombëtar e njerëzor. Ajo që ndodhi në muajt që vijuan ndryshoi historinë e ortodoksëve shqiptarë, ndryshoi historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe sipas të gjitha interpretimeve historike ndryshoi edhe historinë e mbarë kombit shqiptar. Kisha e Fan Nolit në Boston dhe
kishat e tjera ortodokse shqiptare në Amerikë kanë qenë një krah i fortë i federatës “Vatra” në punën për shpëtimin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar.
Përpjekja shqiptare për pavarësi nga kisha greke u kurorëzua më 8 mars 1908, me dorëzimin prift të Nolit në Nju Jork. Pak ditë më pas, më 22 mars 1908, Noli themeloi Kishën e Shën Gjergjit, në kishën ku qindra besimtarë ortodoksë shqiptarë e bashkatdhetarë të tyre të të gjitha feve e besimeve do të mblidhen këtë të diel për meshën e madhe përkujtimore.

FORUM
PRO DHE KUNDËR

Auron Tare: “Ftesa e Janullatosit për 100-vjetorin, e nxituar”

Sigurisht që fjalën në radhë të parë duhet ta ketë komuniteti ortodoks i Bostonit. Por nëse me të vërtetë "organizatorët" nuk kanë lajmëruar komunitetin mbi këtë pjesëmarrje të kryepeshkopit Janullatos, atëherë mendoj se ky veprim i pamenduar mirë mund të ngjallë përçarje në këtë komunitet të vjetër, me tradita te njohura patriotike. Personalisht nuk kam as më të voglin kompleks për të ftuar kryepeshkopin Janullatos për të vizituar komunitetin ortodoks shqiptar në Boston. Hirësia e tij Janullatos është kryepeshkopi i Shqipërisë dhe nuk ka përse të mos vizitojë një komunitet ortodoks shqiptarësh në Boston e gjetkë. Problemi qëndron se kjo vizitë bëhet në një përvjetor shumë delikat dhe në nderim të një figure të madhe të atdhetarizmës shqiptare, siç është Noli. Mendoj se amaneti i Nolit nuk është përmbushur ashtu siç ai e donte Autoqefalinë dhe qenia e Hirësisë së Tij Janullatos në krye të Kishës Shqiptare nuk është pjesë e kësaj Autoqefalie. Ky fakt është debatuar me kohë, por personalisht unë mendoj se disa hapa të gabuara, të hedhura nga Hirësia e Tij Janullatos, kanë përforcuar më shumë mendimin se Kryepeshkopi respekton më shumë origjinën e tij sesa grigjën për të cilën ai është bariu shpirtëror. Kësisoj, mendoj se "organizatorët" e ftesës së Hirësisë së Tij në 100-vjetorin e Nolit janë nxituar duke krijuar premisa për një përçarje të thellë të komunitetit ortodoks në Boston, komunitet që njihet mirë për traditat e veta shqiptare.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›