E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrja e politikës në Gjyqësor

Jak Ndokaj,
deputet

Ne jemi në ditët kur duhet të jepet një vlerësim ndërkombëtar për reformat e ndërmarra nga Shqipëria për anëtarësimin në NATO. Një nga kushtet kryesore të reformave ishte ajo në Drejtësi. Pati disa mbledhje të komisionit të posaçëm dhe Komisionit të Ligjeve, u zhvilluan seanca debati me grupet e gjyqtarëve dhe në fund u arrit në një rezultat final, i cili, megjithë risitë pozitive, ende nuk ofron zgjidhjen e problemeve kryesore të sistemit.
Unë dhe kolegët e mi demokristianë e kemi mbështetur këtë nismë me dëshirën që ajo të japë një produkt të plotë, konsensual dhe afatgjatë. Por personalisht shpreh shqetësimin tim për mungesën e rezultateve konkrete dhe për pasojat politike e sociale që mund të kemi nga vonesat në reformimin real të sistemit të drejtësisë.
Njëkohësisht, dëshiroj të shpreh shqetësimin tim parlamentar edhe për një fenomen tjetër, që ecën në drejtim paralel, por me efekte të kundërta: ndërhyrjen e politikës në Gjyqësor. Gjatë ditëve të fundit kemi parë skena të tilla të ndërhyrjeve apriori politike nga tw dyja palët: nga njëra anë zyrtarë të lartë shtetërorë të drejtësisë dalin e flasin në media për gjyqtarët me të njëjtin fjalor e sjellje si me të akuzuarit në sallën e gjyqit.
Nga ana tjetër, presione politike për të vijuar me procesin normal të luftës ndaj korrupsionit në Drejtësi. Në tw dy rastet, pikëpamja dhe apeli im është i njëjtë: po veprohet në mënyrë amatoreske, të gabuar dhe me pasoja për vetë sistemin.
Disa ditë me parë folën vetë gjyqtarët dhe e shprehën këtë shqetësim. Përpjekja për të barazuar çdo gjyqtar me kriminelin apo për të etiketuar pa fakte të gjithë gjyqtarët si të paaftë dhe të korruptuar, është gabim i madh, i pavërtetë dhe spekulim me pasoja për vetë besimin te Drejtësia.
Të gjithë e dimë se ka gjyqtarë të akuzuar për korrupsion, por ne gjithashtu e dimë se ka gjyqtarë të ndershëm, ashtu siç ka gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqje nga profesioni për të bërë karrierë politike. Ne e dimë gjithashtu se ka probleme në ndonjë gjykatë, por ne pranojmë të gjithë atë që thonë edhe raportet ndërkombëtare se Gjykata e Krimeve të Rënda është ndër gjykatat më model në Shqipëri. Të shkosh në këtë gjykatë dhe ta etiketosh atë si të paaftë e të korruptuar, ndërkohë që ajo vlerësohet në çdo raport ndërkombëtar, dhe se vetë shteti nuk ka bërë asgjë për t’u siguruar kushtet që detyron ligji për gjykatën, është më shumë se spekulim dhe e pamoralshme. Secili zyrtar, kushdo qoftë posti që i kanë dhuruar, duhet të ketë kujdes të madh kur bën vlerësime politike e profesionale mbi vendimmarrjen në Gjyqësor.
Vetëm gjykata ka të drejtë të thotë cili është vendimi i saktë apo i gabuar. Nga ana tjetër, shteti e ka detyrë ligjore të dhënë nga vota dhe vendimi i deputetëve është që t’u sigurojnë gjyqtarëve të krimeve të rënda mbrojtje personale e familjare, kushte sigurie në punë dhe në jetën e përditshme, trajtim financiar dhe social preferencial. Në fakt, asnjë qeveri nuk i ka përmbushur ende këto detyrime shtetërore, kurse ministrat që shkojnë e vijnë lexojnë fletërrufe përpara tyre, sikur ata të ishin e keqja e këtij vendi.
Nuk mund të bëhet reforma në Drejtësi dhe as të luftohet korrupsioni duke bërë presion mediatik me deklarata nominale e kolektive. Kush ka prova korrupsioni, le të shkojë në gjykatë, le t’i çojë në KLD. Pa u respektuar ligji brenda vetë sistemit të Drejtësisë, mos të presë askush që ky sistem të jetë profesional e i pavarur për të dhënë drejtësi për të gjithë shoqërinë. Sa i përket shoqatave të gjyqtarëve, është shqetësues fakti se ka dy shoqata që çuditërisht janë të nxitura nga dy institucione partnere të Drejtësisë. Parlamenti është në mbrojtje të pavarësisë së tyre, por ata vetë duhet ta kuptojnë se nuk ka shërbim më të madh për vetveten dhe sistemin sesa çlirimi edhe i tyre nga ndikimet, sms dhe telefonat që ua përcaktojnë rreshtat e parë të deklaratave publike. Të gjithë faktorët që janë përfshirë në reformën në Drejtësi, sidomos deputetët, Ministria e Drejtësisë dhe KLD-ja, duhet të heqin dorë nga retorikat mediatike dhe të ulen në institucione për të kryer një reformë institucionale.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›