E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku, rezistencë në kuotën 140

Kursi

Leku shqiptar humbi sërish terren dje kundrejt euros, në një ditë të karakterizuar nga refuzimi i një pjese të konsiderueshme të agjencive valutore për të ecur në kuotën mbi 140 lekë për euro, ndërkohë që flluska e krijuar gjatë viteve të fundit duket se filloi të shfryhej edhe në tregun ndërbankar. Në mesditën e djeshme, sipas Fiksit të Bankës së Shqipërisë, euro kushtoi 139.39 lekë, dhjetë qindarka më shtrenjtë se të martën. Dollari ra me 47 qindarka dhe u këmbye për 99.5 lekë. Kursi mesatar i raportuar nga BSH në mesditë pasqyron të dhënat e grumbulluara gjatë paradites. Pasdreke presioni mbi lekun në tregun ndërbankar erdhi duke u dobësuar. Euro e mbylli ditën rreth kuotës 138.5 lekë. Agjenci të ndryshme të këmbimit valutor raportuan se gjatë ditëve të fundit është shënuar një rritje e lehtë e kërkesës për euro për shkak se njëra prej korporatave të mëdha të huaja kreu një porosi të madhe për euro. Një pjesë e kambistëve besojnë se situata mund të stabilizohet gjatë ditëve të ardhshme dhe se kuota 140 lekë mbetet ende e vështirë për t’u arritur.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›