Leku thyen parashikimet, forcohet pas largimit të emigrantëve
Leku, ka thyer të gjitha parashikimet përgjatë këtij viti. Ekspertët patën parashikuar një forcim të tij në fund të vitit që lamë pas, por ndodhi e kundërta, pasi leku vijoi të humbasë pikë ndaj monedhave të huaja. Ndërsa në fillim të këtij viti leku po fiton pikë, e cila bie në kontradiktë me vitet e kaluar, pasi mbas largimit të emigrantëve, leku dobësohej, Gjatë ditës së djeshme, monedha jonë ka fituar disa pikë kundrejt monedhave të huaja, ku një euro ditën
e djeshme është shkëmbyer me 137.8 lekë, duke u kuotuar me 0.16 lekë më pak se gjatë vitit të kaluar. Ndërsa ka fituar pikë dhe ndaj dollarit amerikan, i cili në fund të vitit të kaluar u duk sikur nuk do ta ndalte rritjen, gjatë ditës së djeshme një dollar është shkëmbyer 95.6 lekë, duke u kuotuar me 0.21 lekë më pak. Pavarësisht rënia e dollarit ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të naftës, ku në bursë një fuçi naftë është shitur me 82 dollarë, kjo edhe për shkak të rritjes së kërkesave nga ana e shteteve europiane, të cilat janë përfshirë nga i ftohti. Megjithatë specialistët, kanë parashikuar një rritje të dollarit gjatë këtij viti, kjo për shkak të përmirësimit të klimës ekonomike në SHBA, pas krizës financiare që sapo la pas.
Last Updated on E Marte, 05 Janar 2010 23:18