E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialistët e ekonomisë, optimistë për rritjen ekonomike të vendit me 5.9 për qind

Tremujori i fundit i 2009 pritet të përmbushë premtimet e kryeministrit
Rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009, ka vënë përballë njëri tjetrit ekonomistët, INSTAT, FMN dhe BERZH. Specialistë e ekonomisë në vend, vazhdojnë të mbeten optimistë për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Pavarësisht statistikave të cilat treguan, se gjatë tremujorit të fundit ekonomia shqiptare ka pësuar ulje, duke arritur në 4.1 për qind nga 5.3 për qind që ishte në gjatë tremujorit të dytë, ekonomistët shprehen të bindur se ekonomia shqiptare

 do të vijë në rritje. Sipas tyre gjatë tremujorit të katërt Shqipëria do të pësojë dhe një hov ekonomik. Ata janë shprehur, se të gjithë ne duhet të besojmë tek fjalët e kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë parashikuar rritjen ekonomike të vendit tonë për vitin 2009 me 5.9 për qind. Ndërsa të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se ekonomia shqiptare, pritet që të pësojë ulje edhe gjatë tremujorit të katërt dhe tu përafrohet shifrave të deklaruara nga BERZH dhe FMN, se rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin që sapo mbyllëm të jetë 3 për qind. Por specialistët e ekonomisë shprehen të bindur se ekonomia shqiptare do të ketë rritje përgjatë këtij tremujori të katërt, duke theksuar se bilancet e ekonomisë mund të llogariten saktë vetë, në fund të vitit. Sipas specialistit Selami Xhepa, rritja ekonomike e Shqipërisë përgjatë vitit 2009 do të jetë më pranë shifrave të deklaruara nga ekspert e qeverisë shqiptare, pasi sipas tij ata janë më të saktë në përllogaritjen e të ardhurave dhe shpenzimeve. Edhe pse mbarë bota u godit nga kriza financiare, ekonomia e vendit tonë edhe përgjatë vitit 2009, erdhi sërish në rritje. Kjo është një tjetër arritje e qeverisë sipas Xhepës, i cili shprehet se Shqipëria jo vetëm që arriti të përballojë me sukses krizën, por edhe pati një zhvillim ekonomik shumë të mirë, ndryshe nga vendet e tjera të botës të cilët rritjen e tyre ekonomike e shënuan me shifra negative. Ne duhet të besojmë deri në fund tek fjalët e kryeministrit dhe të qeverisë tonë, pasi ka akoma dhe një tremujor për tu analizuar, i cili do të jetë dhe ai vendimtari që do të tregojë se sa do të jetë rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009,  shpreh Xhepa. Sipas tij dobësimi i ekonomisë shqiptare përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 u ul si pasojë e uljes së eksporteve dhe importeve, pasi vendet në krizë ulën kërkesën e tyre si dhe rritën çmimet e mallrave që ata eksportojnë. Ndërsa ekspertja Albana Vokshi, thekson se rritja ekonomike e Shqipërisë, nuk do të jetë as më shumë dhe as më pak se shifrat e deklaruara nga ana e kryeministrit. Ajo deklaron se shifrat e dhëna nga FMN dhe BERZH, janë shifra të studiuara në aparencë, duke theksuar se është INSTAT ai që tregon me saktësi uljet dhe ngritjet e ekonomisë ne vend. Ndërsa thekson se politikat fiskale të ndjekura nga ana e qeverisë shqiptare, sollën dhe rezultat e pritshme për rritjen e ekonomisë, e cila vijon të ketë bilance pozitive rritjeje. Gjithashtu sipas ekspertëve ajo që i bën edhe më shumë optimistë për një rritje të ekonomisë janë dhe investimet e bëra gjatë vitit që sapo lamë pas. Gjithashtu optimist për arritjen niveleve të parashikuara nga ana e qeverisë, se ekonomia jonë do të rritej me 5.9 për qind për vitin 2009, është shprehur dhe Gjok Uldedaj, i cili ka theksuar se mbështet plotësisht dhe ka besim tek të dhënat e dala nga Ministria e Financave. Ndërsa për vitin  2010, sipas tyre ekonomia shqiptare do të ketë stabilitet makro-financiar, ndërsa parashikohet që rritja ekonomike të jetë e njëjtë me atë të vitit që lamë pas. Ekspertët mendojnë se ekonomia e vendit në ndryshim nga vendet e tjera europiane mund të mos t'i ndjejë sërish efektet e krizës globale nëse qeveria do të vendosë disa prioritete.Taulant Halili

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›