Në tremujorin e tretë u zgjerua hendeku te llogaria korrente
Deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë u rrit në 331 milionë euro gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, nga 231 milionë euro që pati qenë një vit më parë, njoftoi së fundmi Banka e Shqipërisë.
“Shuma e transaksioneve korrente hyrëse dhe dalëse, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 ishte 2.677 milionë euro ose rreth 7% më e lartë se një vit më parë. Llogaria korrente regjistroi një deficit prej 331 milionë eurosh, krahasuar me 231 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thotë BSH në raportin e saj të fundit. Gjatë periudhës janar-shtator 2009, deficiti i llogarisë korrente u rrit në 1.035 miliardë euro nga 861 milionë euro që pati qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Llogaria korrente pasqyron sasinë e valutës së hyrë dhe të dalë për tregtinë e mallrave apo shërbimeve dhe deficiti i saj konsiderohet nga ekspertët si një formë borxhi për vendin. Shqipëria është një nga vendet me deficitin më të lartë të llogarisë korrente në Europë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe ky deficit vijon të rritet. Gjatë vitit të kaluar, deficiti i llogarisë korrente u financua pjesërisht nga kreditë në valutë që mori qeveria dhe pjesërisht nga shitja e disa kompanive publike. Deficiti më i lartë u shkaktua nga rënia e të ardhurave nga emigrantët dhe nga puna sezonale, rënia e eksporteve të mallrave etj.
Suficiti në shërbime turistike, i cili më parë ka qenë një nga zërat më të rëndësishëm të të ardhurave, nuk ndihmoi shumë në këtë drejtim. Sipas BSH-së, numri i të huajve që erdhën në Shqipëri këtë vit pësoi një rritje të konsiderueshme. Turistët shpenzuan më shumë para gjatë ditëve që kaluan në vendin tonë, por kohëzgjatja e qëndrimit të tyre u ul ndjeshëm. “Tremujori i tretë regjistroi një rritje të konsiderueshme të numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë dhe rritje të shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që koeficienti i ditëqëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë”, thotë BSH. Shumica dërrmuese e turistëve ishin nga Kosova, për shkak të lehtësisë së krijuar nga rruga Durrës-Kukës.