Bizneset e vogla, afatet për TVSH-në
06/01/2010 Drejtoria e Tatimeve përcakton procedurat për kalimin e subjekteve në skemë
Si do të shmangen rastet fiktive të mbylljes së aktivitetit të bizneseve
Prej datës 1 janar ka hyrë në fuqi ligji për futjen në skemën e TVSH-së të bizneseve që realizojnë një qarkullim vjetor më të madh se 5 milionë lekë në vit. Ata janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010 brenda 15 ditëve. Me anën e një qarkoreje të veçantë administrata tatimore ka përcaktuar procedurat për të gjitha këto biznese dhe si do të rregullohen rastet e veçanta. Për këtë kategori tatimpaguesish do të ndryshojë përgjegjësia tatimore, pra do të aktivizohen për llojin e tatimit TVSH. Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale për biznesin e vogël, taksës vendore pranë bashkive apo komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe Tatimin e të Ardhurave Personale, deklarimi i të cilit do të vazhdojë të jetë çdo 3 muaj.
Rastet
Bizneset që për vitin 2009 tejkalojnë qarkullimin 8 milionë lekë janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Drejtoria rajonale Tatimore për këtë kategori tatimpaguesish do të ndryshojë përgjegjësinë tatimore, pra do të aktivizojë këta tatimpagues për llojet e tatimeve: TVSH, Tatim Fitimi, Sigurime Shoqërore e Shëndetësore dhe TAP. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP detyrimi për deklarim për këta tatimpagues do të ndryshojë nga çdo 3 muaj në çdo muaj. Qarkorja detyron këta subjekte të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore, por do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtin numër identifikimi të personit të tatueshëm. Mënyra e deklarimit, afati për periudhën tatimore për deklarimin e sigurimeve shoqërore që bëhet nga çdo tre muaj në çdo muaj, formularët që duhet të plotësojnë, modeli i formularit për deklarimin e punonjësve si dhe afati brenda të cilit duhet të deklarojnë me qëllim shmangien e penalizimeve do të bëhen të njohura nga administrata tatimore.
Mbyllje aktiviteti
Nëse një biznes ka bërë kërkesë në QKR për mbyllje aktiviteti dhe është klasifikuar si person i tatueshëm me qarkullim të kryer apo parashikuar 5.000.000 lekë e sipër, Drejtoria rajonale Tatimore të kryejë të gjitha procedurat që i kërkon ligji përveç detyrimeve aktuale të papaguara që tatimpaguesi mund të ketë ose jo, të bëjë kujdes që ai tatimpagues të ketë përmbushur dhe detyrimin tatimor për deklarim, pra të ketë kryer deklarimin e sigurimeve për 3-mujorin e fundit 2009 si dhe deklaratën vjetore për Tatimin mbi të Ardhurat Personale për biznesin e vogël për vitin 2009, si dhe përpara se t’i konfirmojë QKR-së situatën e tatimpaguesit të verifikojë në vendin e kryerjes së biznesit të tij nëse ky tatimpagues realisht ka mbyllur apo jo aktivitetin në përputhje me kërkesën e bërë. Nëse konstatohet e kundërta duhet të njoftohet QKR-ja brenda afateve dhe procedurave sipas ligjit për procedurat tatimore që të mos ekzekutojë mbylljen e personit të tatueshëm si dhe shmangien e ndonjë regjistrimi të ri nga tatimpaguesit me të njëjtin emër apo me emër të ndryshëm në të njëjtin vend të veprimtarisë për të njëjtin aktivitet që ka qenë i regjistruar. Këto raste do të mbahen nën kontroll nga Drejtoria e Kontrollit Tatimor, Hetimit Tatimor dhe Drejtoria e Investigimit.
Bizneset e mëdha
Për deklarimin e TVSH-së, personat e tatueshëm të kategorisë A (TVSH Biznes i Madh), të cilët e ndryshojnë përgjegjësinë pas periudhës së parë janar 2010 e në vijim, p.sh. 1 shkurt 2010 në deklaratën e shkurtit për TVSH-në do të deklarojë vetëm transaksionet e kryera në muajin shkurt 2010. Për janarin 2010 do të kenë detyrimin për dorëzimin e deklaratës vjetore për tatimin mbi të ardhurat personale si biznes i vogël dhe për vitin 2010.
Faturat
Bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë dhe 8 milionë lekë në vit do të pajisen me faturë tatimore me TVSH pranë Drejtorive rajonale Tatimore në momentin e regjistrimit si tatimpagues të TVSH-së dhe duhet të lëshojnë faturë me TVSH apo të llogarisin TVSH mbi furnizimet e tyre që nga momenti i regjistrimit për TVSH-në. Deklarimi i parë për TVSH-në për tatimpaguesit e regjistruar në janar 2010 do të jetë më 1-14 shkurt 2010.