E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet firmosin një marrëveshje, kthejnë FMN-në

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka firmosur një marrëveshje afatgjatë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, në fushën e asistencës teknike. Pakti u arrit në datat 8-9 qershor në Uashington, SHBA, pas një viti negociatash rreth mundësisë për të marrë nga FMN-ja mbështetje financiare. Pas lajmit të publikuar dy ditë më parë në "Shqip", rreth mundësisë për të rikthyer FMN-në në kushtet e marrëveshjes së mëparshme, zyrtarizohen shenjat e para të bashkëpunimit. Shqipëria është anëtare e FMN-së, e për rrjedhojë konsultimet mes dy palëve do të vijojnë, por ndryshe nga marrëveshja e shkëputur në janar 2009, vendi nuk mund të përfitojë më fonde, sikurse po marrin vendet e rajonit. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, shpjegoi dje për mediat pikat e marrëveshjes, e cila erdhi si kërkesë e vazhdueshme e palës tonë. "FMN u njoh me ecurinë e reformave të kryera nga ne. Mësuan se çfarë po ndodh me realizimin e planit, zbatimin e ligjit të ri për procedurat tatimore dhe nivelin e shërbimit ndaj tatimpaguesve. Pas kësaj, Departamenti i Çështjeve Fiskale në FMN shprehu vlerësime për punën tonë", tha Papajani. Takimi i zhvilluar pak ditë më parë, ishte në kuadër të administrimit të të ardhurave gjatë periudhës së krizës ndërkombëtare dhe reformat e ndërmarra nga administratat tatimore të vendeve të Ballkanit dhe Hungarisë.

Bashkëpunimi

Zyrtarët më të lartë të FMN-së janë njohur për dy ditë rresht me të dhënat e sistemit tatimor shqiptar, duke dalë në konkluzionin se ecuria e deritanishme paraqitet pozitive. Papajani evidentoi faktin se gjatë paraqitjes së të dhënave, vetëm Shqipëria rezultonte me rritje të arkëtimeve në kohë krize, duke lënë të habitur FMN-në. Fondi u njoh dhe me reformat fiskale, në mënyrë të veçantë me Programin e Sfidës së Mijëvjeçarit, financuar nga USAID, SHBA. "Ne i kërkuam FMN-së mbështetje në vazhdimësi për realizimin e programit tonë strategjik (i rishikuar) 2009-2012", theksoi kreu i Tatimeve. Nisur nga këto fakte, FMN pranoi të mbështesë financiarisht teknologjinë e informacionit në Drejtorinë e Tatimeve, me qëllim rritjen e shërbimit ndaj biznesit. Në fund të takimit nga delegacionet pjesëmarrëse u nënshkrua edhe një memorandum i përbashkët ku konfirmohet mbështetja e fuqishme do kenë vendet e rajonit nga ky organizëm në funksion të strategjisë të përcaktuar tashmë, të aderimit në Bashkimin Europian.

Zyrtarët më të lartë të FMN-së janë njohur për dy ditë rresht me të dhënat e sistemit tatimor shqiptar



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›