E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëkunden tregjet financiare në Spanjë, Portugali dhe Greqi

Lëkundja e fundit në tregjet financiare këtë radhë vjen nga Spanja, Portugalia dhe Greqia. Në të tre këto vende, tregjet e aksioneve ranë ndjeshëm në një moment paniku të investitorëve të shqetësuar nga aftësia e tyre për të pakësuar defiçitin buxhetor.
Më i prekuri nga rënia e tregjeve të aksioneve ishte indeksi i bursës së Madridit, IBEX, që në shkëmbimet e pasdites së ditës së enjte humbi gati 6% të pikëve. Ndërkohë indeksi i bursës së Lisbonës PSI ra 5%, ndërsa ai i Athinës ra 3%.
Efekti u ndje shpejt në Europë, me bursën e Milanos që humbi 3,45%, ndërsa rënie pësuan edhe aksionet në bursat e Frankfurtit, Parisit dhe Londrës.
Tkurrje prej 2 % u shënuan dhe në Wall Street. Taksambledhësit e Greqisë dhe punonjësit e doganave nisën një grevë dy ditore për të protestuar ndaj planit të qeverisë për ngrirjen e rrogave të punonjësve të shërbimit civil dhe shpërblimet e tyre. Athina i propozoi këto masa të martën për të shkurtuar defiçitin buxhetor nga 12.7% në 3% siç kërkohet nga Bashkimi Europian.
Investitorët janë të shqetësuar se Greqisë mund t'i duhet një paketë shpëtimi për të shmangur mospagimin e borxheve, ndërsa Spanja dhe Portugalia mund të kenë vështirësi të ulin defiçitet e tyre nën kufijtë e caktuar nga Bashkimi Europian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›