Skrap në thellësi 2 km, vdes 33-vjeçari

Forcat e Shpëtim-Minierave duke nxjerrë nga galeria trupin e Gerald Xhukellarit
POGRADEC/ E gjejnë pas 21 orësh. Viktima, ish-emigrant, mblidhte hekur për të paguar kredinë.
Gerald Xhukellari humbi jetën nga gazi në galeritë e qymyrit.
Donte të shlyente kredinë, vdes në minierë teksa nxirrte skrap. Humb jetën në mënyrë tragjike një 33-vjeçar, i cili hyri për të mbledhur hekurishte në minierën e braktisur, në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Gerald Xhukellari, baba i dy fëmijëve, i detyruar nga kushtet e vështira ekonomike, i është drejtuar galerisë së braktisur pasditen e së mërkurës, por është nxjerrë i asfiksuar prej atje vetëm 21 orë më vonë. Sipas të dhënave, i riu ka qenë duke nxjerrë nga thellësia e galerisë shina hekuri dhe tuba, që do ti shiste më tej për të siguruar para për familjen e tij e cila përballej me probleme financiare. Në thellësinë 1500- 2000 metra nën tokë ka pasur mungesë oksigjeni dhe prezencë të gazit të metanit, çka i ka shkaktuar atij asfiksinë. Xhukellari prej pak kohësh ishte kthyer nga emigracioni, por barra e familjes së përbërë prej 8 personash kishte rënë mbi të. Përveç gjyshes, dy prindërve, bashkëshortes dhe fëmijëve për të cilët duhej të siguronte ushqim, 33-vjeçari shlyente për çdo muaj edhe një kredi, gjë e cila e shtonte peshën e varfërisë dhe nevojën për sigurimin e të ardhurave. E vetmja zgjidhje që kishte gjetur viktima pas kthimit nga emigracioni ishte mbajtja e disa deleve për të cilat kujdesej me të atin dhe në shumë raste të tjera ai i drejtohej minierës së braktisur për nxjerrjen e skrapit. Policia e Pogradecit njoftoi se rreth orës 01:30 të ditës së djeshme është bërë në Komisariat një denoncim nga familjarët për largimin nga banesa të shtetasit Gerald Xhukellari, 33 vjeç, banues në fshatin Vërdovë-Pogradec. Ka qenë babai i viktimës ai i cili ka kryer denoncimin për humbjen e djalit rreth orës 1:00 pas mesnate. Sipas versionit të dhënë prej tij në Komisariatin e Pogradecit, 33-vjeçari ishte nisur drejt minierës, por nuk është kthyer në banesë për orë të tëra, duke ngjallur dyshimin se mund të kishte mbetur i bllokuar në brendësi të galerisë. Menjëherë blutë e Pogradecit janë nisur drejt vendit të ngjarjes, por nuk kanë mundur të hyjnë në brendësi të minierës së braktisur që ndodhet pak metra në distancë nga fshati. Edhe pse askush nuk e kishte parë të riun ti drejtohej galerisë, janë sinjalizuar forcat e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave (RISHM) të cilat kanë nisur skuadrat e shpëtimit.
Vetëm pas 21 orësh nga momenti kur hyri në galerinë e minierës së Vërdovës, trupi i pajetë i Geraldo Xhukellarit është nxjerrë në sipërfaqen e tokës. Viktima u gjet në rreth 2000 metra thellësi, pas disa orë kërkimesh dhe përpjekjesh të shumta. Pas mbërritjes në vendngjarje paraditen e së enjtes, skuadrat e RISHM-it i janë drejtuar galerisë së minierës dhe kanë tentuar disa herë radhazi për të hyrë në të, por ka qenë tepër e vështirë. Pasi kanë ecur në brendësi të galerisë për rreth një orë dhe nën 80 centimetra ujë, ata janë kthyer pranë daljes, pasi kishin konstatuar rrjedhje të gazit metan. Ekspertët janë pajisur me maskat e tyre kundragaz dhe i janë rikthyer galerisë, ku pas rreth dy orësh kanë gjetur trupin e pajetë të 33-vjeçarit. Sipas tyre, shkak i vdekjes së Xhukellarit ka qenë asfiksia si rrjedhojë e shpërthimit të gazit metan në thellësi të galerisë.
Miniera
Miniera e Vërdovës ka funksionuar deri para viteve 90 për nxjerrjen e qymyrit. Siç thonë vetë banorët e zonës, aty ka shumë galeri të hapura, të cilat tashmë nuk i ruan njeri, ndonëse shtëpitë më të afërta ndodhen rreth 100 metra larg. Viktima e djeshme shkonte shpeshherë në zonën ku ndodhi tragjedia për të marrë skrap, që pas kthimit nga emigrimi.
POGRADEC/ DHORJELA DEMKOLLI