Meta i shkruan Ramës: Sqaro para të majtës anët e errëta të bashkëpunimit me Berishën
Letra
Zoti Rama,
Me shume interes kam përcjellë këto ditët e fundit rikthimin tuaj te ftesat për një bashkim të ri.
Këto janë vërtet përpjekje të lavdërueshme, por që, për fat të keq, kanë dhe shumë pika të errëta, të cilat mund dhe duhet t’i qartësoni, për ne e për opinionin publik shqiptar, ju e askush tjetër.
Unë do t’ju pyesja: Mos po na thërrisni në këtë sezon të ri bashkëpunimi, që të përmbushim edhe çështjet e tjera të axhendës opozitare, përveç zgjedhjes së presidentit që me votat e partisë që drejtoni u mor nga Berisha, zgjedhjeve të parakohshme që nuk u realizuan kurrë, e reformes zgjedhore, që ju e bëtë përsëri vetëm me Berishën, çështje për të cilat kishim nënshkruar një “marrëveshje historike”, të vitit 2006, që ju e keni cilësuar si “më të qenësishmen e politikës së re”?
Apo, po na thërrisni për të koordinuar veprimin opozitar, për të larguar kryeministrin e korruptuar të Gërdecit, por këtë herë jo me protesta pa zë?
Nëse është kjo e fundit, le t’ia nisim urgjent, që sot, pa humbur asnjë minutë dhe më së pari me mbrojtjen e Kushtetutës së shembur e të përçudnuar në natën e errët të 21 prillit, në tradhti të plotë nga 115 deputetë, të cilët përbaltën vullnetin e një milion shqiptarëve që e votuan atë në vitin 1998.
Le të bashkohemi një orë e më parë, për të ndrequr atë që ju shkatërruat nga naiviteti, moskuptimi apo shantazhi, së bashku me Sali Berishën, në një përpjekje të paprecedent në historinë e pluralizmit politik.
Ne kemi rastin të materializojmë “Bashkimin e ri” që po kërkoni ju, në një iniciative konkrete, idealisht të denjë për çdo mision opozitar:
Për t’i kërkuar përsëri popullit shqiptar të vendosë ai dhe vetëm ai për ligjin themeltar të shtetit.
Le ta nisim “Bashkimin e ri”, z. Rama, me bashkimin e firmave të deputetëve tuaj me kërkesën tonë për organizimin e referendumit për ndryshimet kushtetuese!
Kjo thirrje edhe mund t’ju vërë në vështirësi, marrë në konsideratë rolin tuaj në këtë zhvillim, por, nëse qetësisht vlerësoni çfarë ka ndodhur dhe se çfarë ne kërkojmë, atëherë me siguri, nuk ka asnjë arsye parimore për ta kundërshtuar.
Ne kërkojmë thjesht dhe vetëm t’i japim demokracisë dhe qytetarëve një mundësi më shumë. Ne kërkojmë që aleatët tanë të mundshëm të së nesërmes, të paktën, të pastrojnë ndërgjegjet e vrara e t’i kthejnë popullit të drejtën me të ligjshme, atë të votës, t’i japin popullit të drejtën të shprehet për Kushtetutën e tij.
Le të vendosë populli, nëse pranon që Kushtetuta e vendit të tij të ndryshojë - sipas deklarimit të vetë kryeministrit Berisha, në 70% të saj, në kulisa, brenda 3 orëve, me një procedurë të paprecedent dhe ilegjitime, që s’përfilli askënd përveç llogarive për numrat e deputetëve të kapur dhe “hallexhinj”.
Le të vendosë populli, nëse pranon, që Kushtetuta e vendit të tij të jetë e kundërta e asaj që fitoi në referendumin e vitit 1998, të përmbyset me qëllimin e vetëm për të çimentuar pushtetin e kryeministrit Berisha përmes ndryshimit të neneve 104 e 105 lidhur me mocionin e besimit e mosbesimit të kryeministrit, nëpërmjet të cilëve parlamenti humbet kontrollin ndaj kryeministrit dhe me ndryshimet që ju keni bërë, kryeministri bëhet i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe jo vetem kaq, por mban në çdo moment nën shantazh parlamentin, duke kërcënuar me shpërndarjen e tij.
Duke i shtuar këtyre ndryshimeve edhe sistemin zgjedhor të listave të mbyllura, si edhe ndryshimin e zgjedhjes se Presidentit të Republikës me një shumicë të thjeshtë partiake, ju i jepni mundësinë Sali Berishës jo vetëm të gëzojë shkatërrimin e të gjithë sistemit demokratik të kontrollit e të balancës që kishte Kushtetuta e vitit 1998, por e shndërroni atë në kontrollues të të gjitha institucioneve të shtetit, ju asgjësoni thelbin e shtetit të së drejtës dhe instaloni një shtet partiak dhe sundimin kryeministror të Sali Berishës.
Le të vendosë populli, meqenëse ju e hoqët Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta, nëse është dakord për ta vendosur këtë Komision nën tutelën e ministrit të Brendshëm, siç deklaroi Berisha, e nëse është dakord, që votat t’i numërojnë partiakët fanatikë të administratës berishiane.
Veçse, nëse populli shqiptar dëshiron të certifikojë këtë Republikë të Sali Berishës - atëherë ashtu u bëftë! Përndryshe, askush nuk mund ta vendosë këtë në tavolinë, as edhe ju me Sali Berishën.
Pas kësaj, ne, të gjithë bashkë, kemi vetem një detyrë, të respektojmë me përulje, verdiktin e sovranit.
Z. Rama,
Berisha është vërtet i ekzaltuar, që ëndrrën kushtetuese të vitit 1994 për të përqendruar të gjithë pushtetet në duart e tij si president e realizoi tani, duke u bërë një kryeminister i gjithëpushtetshëm, në momentin që kishte pozitat me të dobëta për shkak të krimit shtetëror të Gërdecit, ku e gjithë bota e shikon si kryefajtor.
Ju që keni vizionin për të dialoguar me shqiptarët në çdo qytet e fshat, duke i pyetur me shqetësim edhe për kastravecin e lulelakrën, besoj se nuk do t’iu mohoni atyre të drejtën që të shprehen për Kushtetutën dhe të ardhmen e tyre.
E në radhë të parë, nuk besoj se këtë të drejtë do t’iua mohoni anëtarëve e simpatizanteve të Partisë Socialiste, e cila, meritë kryesore në këto 18 vjet pluralizëm ka pikërisht bërjen e vendit me një Kushtetutë demokratike e Evropiane, përmes një referendumi mbarëpopullor.
Duke shpresuar në reflektimin tuaj,
Sinqerisht,
Ilir Meta
Kryetar i LSI