E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është i banueshëm Gërdeci sot?

Prof. Dr. Besnik Baraj

JO, është përgjigja. Këtë përgjegjësi dhe vendim nuk duhet e nuk ka mundësi ta marrë banori, ku ndodhi ngjarja tragjike ...por shteti. E theksoj këtë, pasi banori pranë Gërdecit nuk është i ndërgjegjshëm dhe nuk ka mekanizmat e nevojshëm për të provuar rrezikun që ofron jetesa në atë zonë, për atë vetë, familjarët dhe gjënë e gjallë që ai mund të përdorë.  Kjo lidhet me produktet e atij shpërthimi gjigand dhe tragjik njëkohësisht. Analizat e para të publikuara nga burime të ndryshme mediatike, sjellin të dhëna për praninë e lëndëve mjaft të rrezikshme për qeniet e gjalla. Bëhet fjalë për trinitro glicerinë dhe trinitrotoluene. Duke qenë një shpërthim eruptiv, pavarësisht temperaturave të larta, nuk kemi një djegie të plotë të lëndëve organike, ndaj derivate të tjera të rrezikshme duhet të jenë të pranishëm, ku do të veçoja fenolet. Materialet eksplozive, predhat kanë patur dhe përmbajtje të fuksinatit të merkurit, i njohur për toksicitetin e lartë. Prania e metaleve të tjerë si plumb, kallaj, zink dhe bakër duhen analizuar, ndonëse ato mendoj janë në forma jo biodisponibël, por që me kalimin e kohës mund të transformohen në substancë të rrezikshme biodisponibël. Të gjitha këto lëndë kimike paraqesin një toksicitet mjaft të lartë, duke krijuar premisat për sëmundje të rrezikshme, si kancerit, sëmundjeve të lëkurës, ndërsa metalet e rënda shkaktojnë probleme në veshka, mëlçi, sistemin nervor etj. Gjithashtu, prania e lartë e nitrateve apo nitriteve sjell kontaminim të ujërave sipërfaqësorë e nëntokësor dhe së bashku me ndotësit e tjerë i bën ato të papërdorshëm. Ndërkaq, jetesa aty, kultivimi i zarzavateve, rritja e bagëtive do t’i ekspozojë ato ndaj këtyre ndotësve, duke u bërë pjesë në zinxhirin ushqimor.
Në poligonet e qitjes normale, sipas standardeve të vendeve të NATO-s, bëhet gjithmonë vlerësimi i impaktit në mjedis. Nëse ndodh transferimi i poligonit, ai monitorohet dhe rehabilitohet për të shmangur pasojat në aktivitetet e njerëzve përreth.
Mos të harrojmë se fëmijët janë më të ekspozuarit për shkak të vetë sjelljes së tyre. Ata do të luajnë në ato mjedise të kontaminuar, do përdorin ushqim, i cili do jetë i ekspozuar më shumë. Po të shtojmë këtu dhe pakujdesinë e tyre ndaj ndotjes, i bën ata më të riskuar.
Si rrjedhojë e kulturës tonë mjedisore të kufizuar dhe mosbërjes publike të shumë shkaqeve të sëmundjeve, ne e quajmë të rrezikshme një zonë nëse efektet janë të menjëhershme, kur në fakt mjedisi i kontaminuar është një vrasës i ngadaltë dhe pasojat shfaqen pas 5 apo 10 vjetësh. Kjo gjendje vihet re edhe në mjaft “hot spote” në Shqipëri, pranë ose brenda të cilave banojnë njerëz. Padyshim sot Gërdeci është një “hot spot” dhe duhet trajtuar si i tillë.
 
Dalja e ndonjë qeveritari, ku pohon se nuk ka probleme të mjedisit në Gërdec, është jo vetëm papërgjegjshmëri, por do të thosha një krim ndaj atyre fatkeqëve. Ditët e para të tragjedisë, kur Berisha kishte një ndjeshmëri të ndryshme nga sot, pohoi se banorët e Gërdecit mund të zgjedhin të banojnë aty ose jo. Në fakt, në mënyrë të pandërgjegjshme apo intuitivisht, ai tregoi se ajo zonë është e pabanueshme. Nesër, kur banorët e zonës do të kuptojnë se mund të kenë pasoja shëndetësore, do të hedhin në gjyq shtetin për të kompensuar pasojat e sëmundjeve që mund të shfaqen tek ata. E nëse gjykatat në vend s’kanë ndjeshmëri, do jenë gjykata ndërkombëtare që do mund t’u adresohen. Sigurisht ky veprim s’mund të jetë një ngushëllim.
 Një tragjedi e ngjashme me atë që ndodhi në Gërdec, me problemet e veta ndotëse, po të ishte shkaktuar në një vend evropian, vendi do të rrethohesh dhe nuk do të lejohej të futeshin banorët, deri sa të jepeshin përgjigjet e analizave e të merreshin masat përkatëse.
Ka dy mënyra për të vepruar.
Së pari, me shpejtësi të veprohet për të rehabilituar zonën për ta kthyer atë në të banueshme, brenda standardeve. Sigurisht kjo kërkon analiza të kujdesshme dhe përcaktimin e hapësirës së kontaminuar. Për këtë duhet të angazhohen institucione dhe ekspertë të pavarur. Të tillë mund të gjesh në Universitetin e Tiranës, duke ofruar teknikat e nevojshme instrumentale dhe profesionalitet. Padyshim ka institucione të tjera, por që e mira do jetë të ketë përfaqësues dhe nga universiteti. Bazuar në të dhënat kimiko-analitike, ku duhet të përfshihen dherat dhe ujërat sipërfaqësor e nëntokësor, hartohet plani i veprimeve. Ekspertiza dhe informacioni i nxjerrë nga ekspertët amerikanë që investiguan në Gërdec, do ishte mjaft i dobishëm.
Së dyti, meqenëse rehabilitimi kërkon burime financiare dhe kohë, zgjidhja tjetër është transferimi në një zonë afër, ku shteti t’u sigurojë banorëve sipërfaqe të ngjashme toke, duke mbuluar dhe koston përkatëse.
Në Shqipëri, për shkak të dinamikës së problemeve, shqetësimeve ekonomike që mbulojnë jetën tonë të përditshme, vëmendja transferohet shumë shpejt, duke harruar ato të mëparshmet. Dramat apo tragjeditë parciale mbulojnë njëra-tjetrën dhe shumë pak bëhet për të zgjidhur apo zbutur efektin e tyre. Mbi të gjitha për të mësuar e për të krijuar standarde të caktuara politike-qytetare në sjelljen tonë. Drama apo tragjedi të ngjashme nuk është çudi të trokasin në pragun e secilit, por atëherë do jetë shumë vonë. Potencialisht të gjithë ne shqiptarët jemi të ekspozuar ndaj risqeve nga më absurde, që lidhen me mënyrën si bëhen politikat e zhvillimit të këtij vendi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›