E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdes me shëndetësinë! Le të jetë kjo humbje një apel!

Gëzim Dervishi*

Çdo ditë po dalin ndodhi  të reja, të cilat po duket sikur janë paralajmërime të një katastrofe të madhe që mund të ndodhë me sistemin shëndetësor në vend. Klinikat private janë bërë si sallonet e bilardove njëherë e një kohë. Çdokush që ka një ambient të lirë, apartament a vilë, po e bën klinikë mjekësore. Në këto ambiente pacientët besojnë jetën e tyre pasi këto klinika i licencon komisioni i licencimeve në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në bazë të kujt ligji, në bazë të çfarë rregullore?
Ende nuk ekziston një ligj a një rregullore për standardet e spitaleve a klinikave private.
Humbja e 17-vjeçares (Zoti i dhëntë paqe) nga një ndërhyrje në tonsil (bajamet) duhet të jetë një apel për ministrinë dhe komisionet e saj.
Duhet të jetë një apel, pasi mund një ditë të humbim dhjetëra pacientë në ndonjë spital a klinikë private se ikën energjia dhe nuk gjendet UPS dhe gjenerator.
Një ditë mund të humbim dhjetëra pacientë nga infeksionet, pasi në një sallë operacioni a reanimacionin e një spitali nuk ka sistem filtrimi me hepafilter antibakterial dhe sistem kondicionimi qendror.
Një ditë mund të humbim të afërmit tanë, pasi në spital nuk ka ashensor të bollshëm për pacientin, nuk ka sistem oksigjeni, nuk ka makinë rezervë anestezie etj., etj.
Janë me qindra standardet për spitalet, të cilët janë vendosur në të gjithë vendet e rajonit shumë herët, por te ne as që diskutohen. Përse?
E kuptojmë gjendjen në spitalet publike, por nuk kuptojmë dot pse nuk vendosen kritere të forta për privatin?
Jo çdo kush mund të hapë spital a klinikë private!
Jo çdo ambient mund të bëhet spital? Duhet të ketë kritere të caktuara për këtë.
Vallë kush i ndjek në ministri këto kioska vdekjeprurëse?
Si mund të licencohet një spital brenda një pallati banimi? Si mund të vendoset skaner në katin e dytë të një pallati? Po efektet e rrezatimit? A duhet të mbajë përgjegjësi ai nëpunës a ministër që ka firmosur këtë leje licencimi?
Po mbetjet mjekësore ku shkojnë, apo u jepen fëmijëve të lagjes të luajnë me to?
Katastrofë dhe injorancë!
Po ashtu dhe në kryeqytet ekzistojnë klinika që bëjnë dhe operacione zemre nëpër ambiente që dikur kanë qenë shtëpi banimi. Po të vazhdojmë kështu, do të fillojmë dhe transplantet organore në apartamente dhome e kuzhinë.
Aparaturat e instaluara në shumë nga klinikat private shqiptare kanë qenë gati për t’u shitur për skrap në vendet e Evropës. A mos duhet një urdhër që të ndalojë futjen e aparaturave të tilla?
Mjekët janë bërë si synetçinjtë e dikurshëm. Me një çantë në dorë shëtisin në gjithë klinikat private dhe s’ka asnjë rregullore t’i pengojë.
Në publicitetet televizive shfaqen mjekë gjermanë, kinezë, rusë, turq, maqedonas, të gjithë kanë vërshuar, askush nuk merr mundimin të licencohet? Vallë a kanë specializime, tituj shkencorë në vendet e tyre? Po t’i lëmë këto se janë luks, por vallë a janë vërtet mjekë?
Në informacionet e brendshme nga Ministria e Shëndetësisë vetëm një spital privat ka ndjekur me rigorozitet procedurat e licencimeve të shërbimeve dhe stafit mjekësor. Por në vend ushtrojnë aktivitet me mijëra klinika private.
Ku po shkojmë? Eshtë pak t’i themi Gërdec? Po të bëjmë bilancin vjetor do të jetë i tmerrshëm.
Po laboratorët? Mjafton të kesh 5.000 euro të marrësh ndonjë aparaturë 20-vjeçare dhe një mjek me kohë të pjesshme, i cili të vijë dhe një herë në vit dhe mund të jetë i punësuar njëkohësisht në 10 laboratorë, dhe të hapësh një laborator analizash mjekësore, madje dhe në mes të kryeqytetit. Dhe këto janë shumë më mirë, merr gjakun a urinën dhe futja përfundimeve nga mendja. Nuk ka asnjë kriter, asnjë ligj dhe asnjë rregullore, askush nuk të kontrollon.
Në pesë laboratorë të dalin analiza pa lidhje me njëra-tjetrën. Kjo ndodh vetëm në fshatin tonë.
Me këtë shkrim dua t’ju bëj thirrje dhe pacientëve, që nuk mjafton halli i sëmundjes, por duhet të jenë dhe të kujdesshëm se kujt i besojnë jetën e tyre.
Por e kuptoj që ministria dhe stafi i saj janë të angazhuar shumë me reformat dhe nuk kanë mundësi dhe kohë të merren me gjëra kaq të vogla.
Mos kurrë, por duket se nevojitet të flijohen shumë shtetas shqiptarë që të ndryshojë ndonjë gjë, nuk mjafton ajo vajzë 17-vjeçare që u shua bashkë me ëndrrat dhe të ardhmen e saj, duke lënë pas shenjat e një poshtërsie dhe primitivizmi në vazhdim.

* Mjek në Qendrën Universitare të Bukureshtit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›