E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat marrin lekë me 6 % dhe japin kredi me 14 %

Diferenca mes normës së interesit të depozitave dhe normës së interesit të kredive në Shqipëri është me rreth nëntë pikë përqindje dhe kjo është nga shkaqet kryesore të vështirësive të ekonomisë shqiptare. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, norma e interesit për depozitat në lekë është rreth 6 për qind, ndërsa norma e interesit për kreditë në lekë shkon deri në 14 për qind. Specialistë të Bankës Botërore thanë pak ditë më parë se, kjo diferencë e jashtëzakonshme duhet të zvogëlohet, pasi ajo bënte që sistemi bankar të mos luante rolin e ndërmjetësit, siç është parashikuar në ligj. Në asnjë vend tjetër të rajonit nuk vihet re një diferencë e tillë në normat e interesit të depozitave dhe të kredive. Sasia e kredive që ka marrë biznesi shqiptar, por edhe konsumatori familjar, në fakt ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme gjatë dy viteve të fundit, por, megjithatë, ajo përsëri është poshtë nivelit të kredive që sistemet bankare të rajonit kanë dhënë në vendet e tyre respektive. Shqetësimi i shprehur për kreditë e dhëna nuk ka patur të bëjë me faktin se janë dhënë shumë kredi, por me faktin se këto kredi kanë qenë të pakontrolluara dhe mund të përbënin rrezik për të qenë kredi të këqija, domethënë kredi që rrezikonin të mos ktheheshin. Banka qendrore, e cila është monitoruese dhe kontrolluese e sistemit bankar duhet të ndërhyjë kanë bërë të ditur zyrtarë të institucioneve financiare ndërkombëtare pak kohë më parë. Edhe për normat e depozitave në valutë vihet re një diferencë e qartë me normat e interesit të kredive në valutë. Në të vërtetë, kjo diferencë është më e vogël dhe bankat këtë gjë e bëjnë për shkak se valutat janë monedha shumë më të sigurta. Një normë mesatare interesash për depozitat prej 6 përqindësh dhe një normë mesatare interesash për kreditë prej 14 përqindësh është e jashtëzakonshme dhe nuk ka asnjë justifikim. Fitimi i bankave në kësi rastesh është tej çdo logjike të rolit të ndërmjetësuesit. Edhe normat e interesave të bonove të thesarit që shet qeveria janë rritur si pasojë e rritjes së vlerës së parasë që ka bërë Banka e Shqipërisë gjatë vitit që shkoi, por megjihatë kjo normë është brenda logjikës së shtrenjtimit të parasë. Terreni në të cilin punojnë bankat e nivelit të dytë në Shqipëri është i tillë, ku ekonomia ka kërkesa të mëdha për para dhe për kredi. Niveli i kredive të këqija nuk është shumë i lartë dhe ndonjë rrezik të dukshëm që monedha jonë të zhvlerësohet menjëherë nuk ka, prandaj bankat nuk mund të përdorin këto norma interesi për kreditë.

Depozitat e individëve zënë 53 % të totalit të gjithë parasë në banka

Në fund të vitit të kaluar, sektori i individëve zuri nivelin më të lartë të depozitave pa

afat në lekë, me rreth 53.41 për qind, ndjekur nga sektori privat, me rreth 35.37 për qind

dhe nga ndërmarrjet publike jofinanciare me 9.59 për qind. Individët dhe sektori privat

ishin gjithashtu burimi më i rëndësishëm i depozitave në monedhë të huaj, përkatësisht

me rreth 74.6 për qind dhe rreth 21.3 për qind. Familjarët ishin dukshëm burimi më i

rëndësishëm i depozitave me afat në lekë (96.4 për qind e totalit). Në përgjithësi, familjarët

përbëjnë pjesën më të madhe (rreth 468 miliardë) të depozitave totale, prej rreth 574 miliardë lekësh në muajin dhjetor 2007. Ata ndiqen nga sektori privat (85 miliardë), ndërmarrjet publike jofinanciare (17 miliardë) dhe autoritetet lokale (2.4 miliardë). Institucionet financiare kontribuan me rreth 1.9 miliard në totalin e depozitave. Gjatë muajit nëntor 2007, krahasuar me nje muaj më parë (tetor 2007), niveli i përgjithshëm i depozitave u ul me 1.7 miliardë lekë, kryesisht si rezultat i rënies së depozitave në lekë dhe të atyre në valutë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›