E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëmshi i Eposit të Kreshnikëve

Në Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë thonë se bllokimi i punës për hartimin e dosjes së përbashkët të Eposit të Kreshnikëve, për dorëzim në UNESCO, ka të bëjë me domosdoshmërinë e përfshirjes së Kosovës në të. Derisa shqiptarët kanë problem të koordinohen për këtë gjë, afati i paraqitjes së dosjes në UNESCO ka skaduar në mars të këtij viti. Ndërkohë, grupi i përbashkët punues, i formuar një vit më parë, ka tre muaj që s’është funksional.

Puna në hartimin e dosjes për Eposin e Kreshnikëve, është pezulluar. Me vendim të Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore, as grupi i përbashkët punues, i formuar para afro një viti, nuk funksionon tash e tre muaj.

Në kohën e formimit të tij, grupi i përbërë nga studiuesi Zymer Neziri (Kosovë), studiuesi Shaban Sinani, Agron Xhangolli, dhe Gjovalin Shkurtaj, si dhe nga përfaqësues të Qendrës për Studime Albanologjike, Olsi Lafe, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS dhe Esat Ruka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, ishte prezantuar si një grup i përbashkët Shqipëri-Kosovë për hartimin e dosjes, përmes së cilës UNESCO’s do t’i propozohej që Eposi i Kreshnikëve të futej në listën e veprave të rrezikuara.

Asokohe, drejtuesi i grupit, Vaso Tole, pretendonte se kjo ishte mënyra e rigjenerimit dhe rivlerësimit të kësaj traditë. Ndërkohë, meqë afati përfundimtar për aplikim në UNESCO ka skaduar që mars të këtij viti, duket e do të duhen edhe tri vite shtesë që dosja të mund të përgatitet, dhe pastaj të dorëzohet.

“Ne përgatitëm një platformë, ku parashihej përmbajtja e dosjes dhe aktivitetet e menduara për gjallërimin e kësaj tradite. Ministria e Kulturës vendosi që puna të pezullohet për momentin, meqë kërkohet një përfshirje më e madhe e Kosovës në këtë nismë”, tha studiuesi Vaso Tole për gazetën ‘Shqip’.

Në fakt, hartimi i dosjes së Eposit të Kreshnikëve kaloi nëpër një sërë peripecish. Grupi i parë punues ishte formuar në Kosovë, në vitin 2008, por pengesat e shumta ndikuan me ngecje të punës. Gjithçka rinisi në vitin 2010, ndërkohë që në Shqipëri tashmë po funksiononte edhe një nismë tjetër. Kjo gjendje ndikoi që Ministria e Kulturës e Shqipërisë të përkujdesej për krijimin e edhe një grup tjetër punues. Si pjesë e këtij grupi u përfshi edhe studiuesi nga Kosova Zymer Neziri, i cili ishte nismëtar i hartimit të kësaj dosjeje dhe që, në intervistat e vazhdueshme në shtypin kosovar, gjithmonë fliste për mungesën e mbështetjes institucionale për këtë projekt.

Pse, pra, ndodhi bllokimi aktual?

Meqë s’është anëtare e OKB’së, Kosova s’mund të aplikojë për anëtarësim në UNESCO. Ndërkohë, duket se as bashkëpunimi në nivel studiuesish nuk shkoi siç ishte paraparë. Në fakt, në Kosovë ekziston një grup punues, i cili për afro dy vite po punon vetë në këtë projekt. E, në Tiranë punon grupi tjetër. Paralelisht, në Ministrinë e Kulturës në Tiranë thonë se bllokimi aktual është i përkohshëm.

“Pavarësisht grupeve që mund të formohen, dhe punës së mëvetësishme që mund të bëjnë studiues ose individë, në fund dosja do të jetë një bashkëveprim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Studiuesit do të konsultohen, për të paraqitur vetëm një dosje në UNESCO”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

Nga ana tjetër, studiuesit pranojnë se në Kosovë eposi shtrihet në një territor më të gjerë, megjithëse Vaso Tole paraprakisht kishte thënë se kjo traditë është më e rrezikuar në Shqipëri. Të gjithë studiuesit i referohen kryesisht lahutës, si instrumentit kryesor të muzikës së eposit, që gjithnjë e më tepër po del nga përdorimi.

“Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike do të vazhdojë programin e saj për realizimin e një festivali me interpretime të lahutës, por kjo nuk është pjesë e punës së nisur nga grupi për hartimin e dosjes”, i tha gazetës ‘Shqip’ drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, Esat Ruka.

Pavarësisht gjithë këtij lëmshi, e sigurt është vetëm një gjë. Pas bllokadës aktuale, do të duhet të kalojnë edhe tri vjet tjera për të riaplikuar në UNESCO. Natyrisht, me kusht që deri atëherë të kemi gati një dosje të përbashkët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›