E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia na heq 4 vende në renditjen e FIFA-s

Mbyllja në mënyrën më të keqe e eliminatoreve të Botërorit 2010, pasi u mund 4-1 në fushën e Suedisë, i ka kushtuar Kombëtares së Shqipërisë, e cila ka humbur 4 vende në renditjen e përmuajshme botërore të publikuar nga FIFA. Në klasifikimin e përmuajshëm të FIFA-s, për muajin tetor 2009, ndodhemi në vendin e 97-të, teksa një muaj më parë, në shtator, ishim në vendin e 93-të. Edhe pikët nuk janë më të njëjtat: në shtator kishim 360 pikë, ndërsa tani kemi 26 pikë më pak, pra vetëm 334. Nga vendi i 97-të deri te i 100-ti kemi lënë pas vetëm Angolën, Tanzaninë dhe Armeninë. Tashmë është fakt se në klasifikim na ka kaluar edhe Mali i Zi, fqinji ynë i vogël verior, i krijuar vetëm para pak vitesh: malazezët renditen të 75-tët. Në renditjen specifike europiane Shqipëria vazhdon të ndodhet në vendin e 42-të nga 53 federata futbollistike që bëjnë pjesë në UEFA, duke lënë pas vetes ekipe modeste si Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Kazakistani, Ishujt Faroe, Azerbajxhani, Luksemburgu, Lihtenshtejni, Malta, Andorra e San Marino. Ndërkohë, Brazili vazhdon të kryesojë renditjen botërore të FIFA-s edhe në muajin e fundit, pasi ka 1632 pikë, tre më shume se Spanja. Pesëshja e parë e renditjes plotësohet me Holandën, Italinë dhe Gjermaninë.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›