Kërçiku: Tirana sditi të më mbante, te Skënderbeu si pasha
18-vjeçari kryeqytetas, i ardhur këtë sezon në Korçë, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer, ndërkohë që premton gola
Është vetëm 18 vjeç dhe deri tani, me paraqitjet që ka bërë te Skënderbeu, mund të cilësohet një lojtar mjaft i domosdoshëm për kampionët. Fanellën e Tiranës e veshi vetëm në dy ndeshje, ndaj Spartak Trnavës, pasi u përzgjodh të aktivizohej me ekipin e parë nga trajneri spanjoll Hulian Rubio, ndërkohë që menjëherë pas Kupave të Europës, ai mori rrugën drejt Korçës.
Ku ka bërë prezantimet e para me kampionët, duke lënë mbresa mjaft pozitive. Për pasojë, në dy ndeshjet e fundit ka luajtur titullar për 90 minuta. Për sa i përket sulmit të Skënderbeut, deri tani Kërçiku është i vetmi lojtar nga ky repart, që ka shënuar një gol. Krejt ndryshe, Xhafaj dhe Muzaka akoma se kanë bërë sefte.
Paraqitja e tij është vlerësuar maksimalisht edhe nga specialistët në qytetin juglindor, por jo vetëm. Ditën e djeshme, për herë të parë, që pas mbërritjes te Skënderbeu, ka qenë zgjedhja e Duros që Kërçiku të flasë për mediat. Djaloshi 18-vjeçar, që në fakt duhej të ishte në këtë moment me ekipin tonë kombëtar U-19, por është përjashtuar për arsye banale nga trajneri, përpara gazetarëve ka shfaqur emocione të mëdha, të cilat nuk i ka të tilla në fushën e lojës.
Kombëtarja U-19 Në radhë të parë, dua të them se më vjen keq që nuk ndodhem në këto momente me kombëtaren e 19-vjeçarëve, pasi doja të kontribuoja për këtë fanellë. Vetëm pak ditë përpara se të fillonte kampionati, unë erdha në Korçë për stërvitje, gjë të cilën nuk e pëlqeu trajneri i kombëtares U-19, pasi më donte nën urdhrat e tij, kështu që më përjashtoi.
Gjithsesi, kjo është zgjedhja e tij, ndërsa unë konfirmoj gatishmërinë time maksimale dhe në çdo kohë për të kontribuar për çdo fanellë kuqezi, të cilësdo kombëtare qoftë. Me këtë dua të them se pres një ftesë edhe nga ekipi Shpresa. E nisa me këto fjali intervistën time, për të sqaruar një situatë që më ka munduar shumë kohët e fundit, por fatmirësisht kam gjetur ngrohtësinë dhe mbështetjen maksimale te Skënderbeu, çka më ngushëllon, ka thënë në fillim talenti kryeqytetas.
Skënderbeu Dua të theksoj se ndihem shumë se mirë që këtë sezon kam zgjedhur fanellën e Skënderbeut, skuadër për të cilën kam firmosur dy vjet. Tirana nuk diti të më mbante, pasi atje më afruan me një shumë të njëjtë financiare, jo pak, por 5 vite kontratë. Por kjo tashmë ka përfunduar dhe unë jam duke menduar vetëm për Skënderbeun, – ka theksuar 18-vjeçari Dorian Kërçiku, i cili duket se ka zënë vendin e titullarit te Skënderbeu që në momentet e para.
Ndaj peqinasve, në javën e 3-të, Kërçiku jo vetëm shënoi golin e parë me këtë fanellë, por më shumë se kaq, ka ngritur siparin e golave për Skënderbeun në këtë sezon. Te Skënderbeu konkurrenca është e madhe dhe zgjedhja që jam në formacion është vetëm e trajnerit. Unë respektoj çdo zgjedhje të tij dhe do të jap maksimumin për ta ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave që ka, sa herë të më kërkohet.
Pesë pikë kemi arritur të grumbullojmë deri tani, që janë shumë pak për mundësitë e këtij ekipi. Megjithatë, keni për ta parë që shumë shpejt do të jemi në krye. U premtoj të gjithëve se brenda tri javësh do të jemi në krye të superligës, pasi do të presim Kamzën ndeshjen e ardhshme, më pas do të udhëtojmë në Durrës, dy ndeshje që për mua duhet të fitohen. Duke filluar që ndaj kamzalinjve, ne do të japim më shumë se 100%. Nuk duhet të harroni se kundërshtarët që janë në krye për momentin akoma nuk janë përballur me ne.
Sulmi Për sa i përket sulmit të Skënderbeut, që nuk ka shënuar në këto katër javë kampionat, për pasojë edhe është kritikuar, deklaroj se kemi të bëjmë vetëm me një problem fati. Mosshënimi i golave nga ana e Xhafajt dhe Muzakës nuk është krizë e tyre, absolutisht mungesë aftësish të këtyre dy lojtarëve tepër të spikatur në kampionatin shqiptar, por në futboll ndodh të kesh një moment jo.
Pra, është thjesht çështje fati, asgjë më shumë se kaq. Ska si të jetë ndryshe, kur dihet që Xhafaj është lodhur duke goditur shtyllat. Do ti gjejmë golat shumë shpejt, ashtu sikurse do ta bëjmë tonin kreun e klasifikimit, për të mos e lëshuar më pastaj, e përfundon mes shumë emocioneve Dorian Kërçiku, që shumë shpejt është kthyer në një idhull në qytetin juglindor.