Lënda e komunarëve i kalohet EULEX-it
Çështja e gjashtë zyrtarëve komunalë mund t’i kalohet prokurorëve të EULEX-it, kanë paralajmëruar avokatët mbrojtës, pas seancës së sotme dëgjimore.
Në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës sot është mbajtur seanca dëgjimore që u mbajt me prokuroren e EULEX-it, Maria Silvia.
Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Hazir Krasniqit, tha për gazetarët se prokurorja shqyrtoi lëndën me kërkesë të avokatëve që çështja e zyrtarëve komunalë të kalojë në duart e EULEX-it.
“Ne i kemi paraqitur të gjitha dëshmitë lidhur me kërkesën tonë. Kemi bërë këtë kërkesë sepse e kemi parë që çështja është politizuar”, tha avokati Gashi, pas përfundimit të seancës.
Sipas tij, ka mbetur që gjykata ta shqyrtojë epilogun dhe të marrë vendim lidhur me kërkesën. “Prokurorja ndërkombëtare tha se vendimi për realizimin e kërkesës tonë do të merret pas një apo dy ditësh”, sqaron Tomë Gashi, sipas të cilit paraburgimi për të arrestuarit është duke vazhduar.
“Por nuk do të thotë se ata do të mbesin aty dhe besoj që deri të premten do të merret vendim për lirimin e tyre”, i tha Gashi, njërit ndër familjarët e klientit të tij Hazir Krasniqi.
Njëjtë tha edhe avokati mbrojtës i Ridvan Shahinit, Bajram Tmava. Sipas tij, kjo ka qenë një kërkesë e paraqitur para gjykatës, nga të gjitha avokatët mbrojtës.
Seanca e parë për gjashtë zyrtarët komunalë është planifikuar të mbahet pak ditë, pasi ata janë arrestuar. Por me një kërkesë të avokatëve mbrojtës, seanca është ndërprerë, me arsyen se nuk i besojnë gjykatësve vendës.
Më 3 maj, Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës, përfshirë disa drejtorë, për “shpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.
Arrestimi është kryer nga Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njësia në Prishtine, ka njoftuar policia.
Ata dyshohen për keqpërdorime në Komunën e Prishtinës, lidhur me një tender i cili ka pasur të bëjë me mbulimin e lumit Prishtevka. Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe mbledhjes se fakteve lidhur me kryerjen e Veprës Penale te cekur me larte, dyshohet se vlera e keqpërdorur arrin shumën prej qindra mijëra euro, thuhet në një komunikatë shtypi të policisë.
Të arrestuarit e 3 majit janë Ridvan Shahinit, drejtor për Infrastrukturë Lokale, Qazim Bajramit, kryetar i Organit Mbikëqyrës, pastaj anëtarëve të këtij organi Refik Sadikut, Hazir Krasniqit e Halil Fejziut si dhe Ekrem Rexhës, shef i Prokurimit në Komunë.