E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot raundi i katërt i dialogut Serbi-Kosovë

BRUKSEL-Më 17 dhe 18 maj, në Bruksel, do të mbahet raundi i katërt i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë. Në fokus të këtij raundi të dialogut do të jenë vazhdimi i bisedimeve për temat në axhendë të raundeve të kaluara, regjistrat civile dhe kadastralë, telekomunikacioni, energjia, vulat doganore, liria e lëvizjes dhe diplomat shkollore.

Në këtë raund do të hapen edhe dy tema të reja, ajo e trashëgimisë kulturore dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Edhe në këtë raund sikurse edhe në tri raundet e kaluara të dialogut teknik, delegacioni i Republikës së Kosovës do ta shpalos dhe mbrojë qëndrimet e veta të cilat janë në harmoni me Kushtetutën, ligjet, rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i prin zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Në delegacion marrin pjesë edhe Lirim Greiçevci - këshilltar politik i kryeministrit, Dren Zeka - këshilltar i lartë politik i zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare politike e zëvendëskryeministres Tahiri, Edi Shukriu - kryetare e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Vjollca Aliu - drejtoresh e departamentit për trashëgimi kulturore në Ministrinë e Kulturës, Pajazit Nushi - koordinator i Ministrisë së Drejtësisë për të çështjen e të pagjeturve, Gylbehare Llapi - zyrtare nga Ministria e Arsimit, Qemajl Marmullakaj - Zyrtar i lartë për planifikim të politikave.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›