E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: ”Mediat kërcënuan bukëpjekësit dhe ndryshuan çmimet”

Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të ashpra mbi tregtarët e miellit, por edhe mbi disa media, të cilat, sipas Berishës, spekuluan sikur çmimi pësoi rritje. Berisha falënderoi të gjithë prodhuesit e bukës që nuk iu nënshtruan presioneve për të manipuluar çmimin e bukës. “Mediat shkonin dhe i kërcënonin bukëpjekësit të ndryshonin etiketat e çmimeve vetëm sa për t’i filmuar çmimet e larta, por ky nuk është profesionalizëm, është antiprofesionalizëm, sepse tregu ka forcën dhe rregullat e tij. Dua të përgëzoj të gjithë ata bukëpjekës, të cilët nuk iu nënshkruan agresionit mafioz-mediatik, që në një moment të caktuar nuk ngurroi të bëjë përpjekje realisht çnjerëzore për të manipuluar çmimin e bukës. Interesat e mafies dhe spekulimit, të bashkuar me mercenarë të fjalës së lirë, ngritën një fushatë të paprecedentë, false”, - u shpreh kryeministri Berisha. Ai tha se në momentin e këtij megamanipulimi të turpshëm nuk ka pasur asnjë faktor shtesë për të lëvizur çmimet, përkundrazi, e vërteta ishte se KESH-i furnizoi me energji pa ndërprerje, duke mos pasur nevojë për përdorimin e gjeneratorëve për prodhimin e bukës nga furrat. “Do të japim përgjigjen më të merituar edhe për këta. Mafia e miellit, e cila ua shet furrave të bukës me 50 dhe 60 lekë/kilogramin dhe ua faturon me 30-35 lekë/kilogramin vetëm për të vjedhur dhe fshehur detyrimet”, - u shpreh kryeministri. Më tej Berisha kërkoi nga Ministria e Financave të përgatisë të gjitha ligjet shtesë më të cilat të përballet çdo spekulator. “Si ka mundësi që në tregjet e gjithë botës së lirë shkon për shtat ulja e çmimeve kur ka shumë shitje, përveç disa spekulantëve shqiptarë? Përse ne duhet të dëshmojmë se jemi paradoks dhe jo rregull? Prandaj, ato ligjet le të vijnë, të plotësohen dhe le të bëhemi dhe ne si gjithë të tjerët, sepse nuk mund të bëhemi si vendet evropiane, në këtë mënyrë”, - u shpreh kryeministri Berisha.

27 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›