Përplasja motor-zetor, plagoset një person
ELBASAN - Një person mbeti i dëmtuar rëndë të martën në mëngjes si pasojë e një aksidenti që ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Cërrik. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “Flamur Pisha, lindur e banues në fshatin Bujqës, ishte duke drejtuar një motoçikletë me targë EL 820A, kur u përplas me një mjet tip zetor, me targë EL 3725 B, që drejtohej nga Vasil Bezhani, tashmë i shoqëruar në komisariat”. Aksidenti ndodhi në një rrugë rurale në fshatin Bujqës. Mësohet se i plagosuri ndodhet në Spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve që ka marrë në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se aksidenti ka ndodhur pasi Bezhani ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit tip zetor.
27 Shkurt 2008