E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis retorikës së “do të-ve” dhe “Quo-Vadis-it”!

Armond Halebi 

Duke lexuar artikullin e botuar në gazetën “Panorama” të datës 06.08.2008 me titull “Nihilistët e rrënuar VS Tiranës që punon”, shkruar nga drejtuesja e një Njësie Bashkiake të Tiranës, natyrshëm më lindi pyetja: “Deri kur ‘Entuziazmi’ dhe ‘Utopizmi’ do të vazhdojnë të jenë pjesë e mentalitetit tonë drejtues”.
E them këtë, pasi po bëhen gati dy vjet që nga fillimi i mandatit tonë drejtues në pushtetin vendor, dhe kompetencat e njësive bashkiake mbeten po ato të disa viteve më parë. Si kryetar i “Shoqatës së Kryetarëve të Njësive Bashkiake të Tiranës”, pas një hulumtimi të kujdesshëm të arkivit të kësaj shoqate me kërkesat e shumta drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe organeve të tjera qendrore të pushtetit, mund të konfirmoj me plot bindje se në këtë drejtim është bërë fare pak.
Gjithashtu Kuadri Ligjor në lidhje me këtë problem, mendoj se nuk i përgjigjet as ekzigjencave të komunitetit dhe as ritmeve të zhvillimeve të qytetit. Në të vërtetë ky nuk është thjesht një opinion i imi personal, por një mendim i përbashkët i të gjithë drejtuesve të njësive bashkiake të Tiranës; kjo reflektohet edhe në një kërkesë që Shoqata e Kryetarëve të Njësive Bashkiake të Tiranës (që unë kryesoj aktualisht), i ka drejtuar Këshillit Bashkiak të Tiranës në fillim të vitit 2008.
Në këtë kërkesë me subjekt “ …Për Trajtimin e Problematikave, që  mbarten tek Njësitë e Pushtetit Vendor, Sektori i Urbanistikës, Infrastrukturës, Emergjencave Civile dhe Mjedisit”, përfshihen 13 pika, duke filluar që nga lejet për rikonstruktim, ndryshim destinacioni të asetit, ndërhyrja në tarracat e pallateve, shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta e deri te kontrolli dhe parandalimi i ndotjeve akustike. Përmes këtyre pikave, propozohet edhe zgjerimi i kompetencave të njësive bashkiake, me qëllim zgjidhjen më të shpejtë të këtyre problemeve dhe paraprirjen e tyre. Në këtë kërkesë përmenden të përmbledhura në 8 pika edhe avantazhet që do të sillte zgjerimi i këtyre kompetencave.
Edhe pse Bashkia e Tiranës ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e saj për një bashkëpunim më efikas, duhet të pohoj se deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje specifike.
Dua të theksoj se ekzistenca e kësaj problematike, nuk hedh poshtë punën e bërë në vite nga Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj, Edi Rama (siç thuhet në artikullin e cituar më sipër), por nga ana tjetër sukseset e kësaj pune nuk mund të errësojnë pamjaftueshmërinë e kompetencave të minibashkive.
Edhe unë ashtu si autorja e artikullit, nuk jam i mendimit se jemi kthyer thjesht në “Lëshues certifikatash”: në fakt ne jemi gjithashtu “grumbullues” kërkesash e ankesash pa fund, për të cilat nuk kemi asnjë kompetencë vendimmarrëse, duke bërë verifikime, duke përcjellë shkresa “përcjellëse”, e duke pritur përgjigjet e dhëna nga “lart”, për t’ua kthyer ato qytetarëve. E gjithë kjo procedurë burokratike, sjell vonesën në kohë të zgjidhjes së problemeve dhe shpesh krijon një rreth vicioz, koston e të cilit e paguan qytetari.
Mua më pëlqen entuziazmi dhe nga vetë natyra jam optimist, por s’mund të pajtohem me mendimin e artikullshkrueses, se ideja që “një kryetar njësie bashkiake nuk mund të shtrojë rrugë, mbyllë puseta … (apo punë publike të ngjashme) nuk vleka për Njësinë Bashkiake që ajo drejton ….! Pyetja që lind menjëherë këtu është “Cilat janë fondet që caktohen në buxhetin e një njësie bashkiake për shtrim rrugësh, shtim hapësirash të gjelbëruara, përmirësime infrastrukturore etj … Cilat janë mjetet dhe kapacitetet e vëna në dispozicion të tyre për realizimin e këtyre punëve publike? Këtu përgjigjja, jo vetëm që nuk është entuziaste, por madje është negative; Kjo, pasi kompetencat e njësive bashkiake nuk shkojnë përtej verifikimeve në terren dhe hartimit të projekteve, të cilat mund të refuzohen, të shtyhen në kohë, apo të aprovohen në mënyrë preferenciale...!
Nëse një drejtues njësie bashkiake pret shiritin e inaugurimit të një rruge të shtruar nga Bashkia e Tiranës, kjo nuk i atribuon atij meritën e shtrimit të rrugës, pasi ai nuk posedon as mjetet dhe as kapacitetet për realizimin e një pune të tillë.
Po kështu “dëgjimi i ankesave publike” të shoqëruara apo jo me votim të qytetarëve, një praktikë kjo që në një formë apo tjetrën e aplikojnë të gjitha njësitë bashkiake, në koncept nuk është veçse një anketim opinioni, që mund të realizohet, ndofta dhe më mirë, nga një agjenci e specializuar apo OJQ; por se sa ndikojnë prioritetet e vendosura nga njësitë bashkiake në përmirësimin e gjendjes, kur ato nuk kanë mundësi vendimmarrëse, kjo përbën përsëri një dilemë!
Mendoj se edhe z.Rama, e kupton mirë këtë realitet; pasi ka jetuar për një kohë jo të shkurtër në Francë, ai e di mirë se cilat janë kompetencat e një njësie administrative distriktuale në Paris ose gjetkë në Francë, punonjësi i të cilës është një zyrtar i mirëfilltë shteti, me autoritet, kompetenca dhe shpërblim dinjitoz në raport me pagën mesatare në vend, si pjesë e strukturave të mirëfillta vendimmarrëse. Të paktën këtë më lë të kuptoj edhe gatishmëria e z.Rama për bashkëpunim dhe premtimet e tij të vazhdueshme për decentralizimin; Të paktën z.Rama nuk e ka kundërshtuar kurrë publikisht faktin që njësitë bashkiake kanë kompetenca tejet të kufizuara!
Sigurisht që Tirana nuk është Parisi dhe ne jemi ende në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm institucional, por mendoj se kjo duhet të jetë pika jonë e referimit, nëse duam të ecim me hapa më të shpejta drejt Evropës.
Unë personalisht, ndjej një keqardhje të thellë dhe brejtje ndërgjegje kur vë re se ne me gjithë angazhimin total dhe përpjekjet e vazhdueshme, nuk po arrijmë t’u japim qytetarëve atë që u kemi premtuar, pikërisht për shkak të mundësive shumë të kufizuara vendimmarrëse.
Një gjë e tillë preket edhe në artikullin e zonjës drejtuese të minibashkisë, që ceka më lart, përmes retorikës së “do të–ve” që zinte rreth një të tretën e këtij artikulli: “Do t’u paraprijmë investimeve...”, “Do të mundësojmë …rritjen e përmasës …” etj. Kjo retorikë e “do të-ve”, do të ishte mjaft e përshtatshme për një fushatë elektorale, por tani, kur po kalon gjysma e mandatit tonë drejtues, të marrë me votën popullore, nuk mund të vazhdojmë t’u themi zgjedhësve se çfarë do të bëjmë, sepse pyetja që ata do të drejtonin do të ishte “Po këta dy vjet çfarë bëtë ndryshe” …
P.S. Përsa i takon opinionit të përhapur se kryetari i Njësisë Bashkiake të vitit 2008, i ngjan shumë kryetarit të lagjes të viteve ‘80, të cilin artikullshkruesja e hedh poshtë me indinjatë, duhet të theksojmë se me gjithë ndryshimin, jo pak qytetarë sot shprehen “po shkoj tek lagjja ‘ose’ kam takim me kryetarin e lagjes”, në vend të që të thonë “po shkoj tek njësia bashkiake”. Sigurisht që në këtë perceptim të komunitetit, luan rolin e saj edhe mungesa e kompetencave!
Në këtë realitet, në vend të retorikës së “do të-ve”, do ishte më mirë të ngrinim një “Quo Vadis”, në kërkim të përgjigjes se çfarë do të bëhet në të vërtetë me kompetencat e njësive bashkiake të Tiranës, kompetenca të cilat ende nuk po duken në horizont!
  *Kryetar i shoqatës së minibashkive

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›