E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëndim misterioz

Frikë për Brisbane Road dhe sulmuesin Besart Berisha. Golgeteri kosovar vuan nga një dhimbje e mprehtë në stomak, të cilën deri më tani nuk kanë arritur ta zbulojnë as kontrollimet e shpeshta mjekësore. Ky dëmtim misterioz do të përcillet me mungesën e Berishës në kohë të pacaktuar deri në eliminimin e problemit.

Sulmuesi i Brisbane Road, Besart Berisha do të mungojë në kohë të pacaktuar për shkak të një problemi misterioz abdominal. Fituesi i Këpucës së Artë nga edicioni i kaluar i A-League të Australisë ka vuajtur nga dëmtimi në javët e fundit, por klubi ende nuk e ka të qartë se për çfarë problemi bëhet fjalë.

Ultrazëri dhe kontrollimet e tjera nuk kanë zbuluar arsyet e dhimbjes së mprehtë në stomakun e Berishës , pas frikës fillestare se mund të jetë hernia që do ta linte jashtë fushës për disa javë. Sulmuesi kosovar nuk ka udhëtuar për duelin e radhës kundër Melbourne Heart dhe do të konsultohet me stafin mjekësor në Brisbane për tretmanin e mëtutjeshëm.

Trajneri Rado Vidosic ka thënë se Berisha ndihet i dëshpëruar që nuk është në gjendje t’i ndihmojë ekipit. “Nuk ndodh gjithmonë, por nganjëherë kur bën lëvizje të caktuara, ai ndien një dhimbje të mprehtë në stomak dhe abdomen”, deklaroi Vidosic.

“Kjo pa dyshim se ndikon në paraqitjet e tij dhe qëndrimin në stërvitje. Mund të vëreni se është i zhgënjyer. Asgjë nuk ka dalë nga ultrazëri, skanimi MRI, të gjitha analizat mjekësore janë kthyer negative. Thjesht nuk e dimë se për çfarë problemi bëhet fjalë”, u shpreh ai.

Berisha ka marrë injeksione, të cilat Vidosic shpreson se do të eliminojnë me kohë problemin para vizitës te Sydney FC më 16 nëntor, skuadër ku aktivizohet Alessandro del Piero, njëkohësisht idhull i Berishës nga fëmijëria.

Edhe pse është përjashtuar mundësia se Berisha vuan nga hernia, Vidosic vazhdon të jetë i frikësuar për shëndetin e sulmuesit kosovar. “Asgjë nuk ka dalë nga analizat. Dhimbja është e vazhdueshme edhe nëse ai nuk stërvitet fare për dy ose tre ditë. Tani duhet të përkujdesemi që Besarti të tejkalojë problemin dhe pasi të rikuperohet do të jetë gjithçka në rregull”, përfundoi Vidosic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›