Lëndimi më i vështirë në karrierë

“Është lëndimi më i keq në jetën time”, tha Robben për të përditshmen gjermane Bild të premten. “Ju nuk mund të paramendoni se çfarë dhimbje kam përjetuar dhe sa i vështirë ishte procesi i shërimit. Kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë, e shumë herë kam qenë i lënduar”, shtoi ai.
Te tifozët e Bayernit, Robben është bërë i njohur si ‘njeriu i kristaltë’, nofkë që i referohet lëndimeve të tij të shpeshta prej transferimit në klub në gusht 2009. Deri më tani gjatë këtij sezoni, Robben ka zhvilluar vetëm një ndeshje prej 90 minutave dhe bëri katër paraqitje të tjera në ligë në total, derisa luftoi me problemin në ijë.
Një muaj pas kryerjes së operacionit, ai kthehet në pankinën e Bayernit të shtunën kur lideri i Bundesligës pret kampionin aktual Borussia Dortmund. Megjithatë, besohet se Bayern nuk do ta aktivizojë ndërsa 27 vjeçari ka deklaruar se nuk dëshiron të ngutet me rikthimin e tij në fushë.