E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leon Cino me tritikun “Tra Uomo e Donna” në Romë

22/09/2011  Pas suksesit të majit, balerini shqiptar Leon Cino do të ngjitet sërish në skenën e Teatro Greco në Romë. Më 24 dhe 25 shtator (ora 21.00) ai do të prezantohet me shfaqjen triptike “Amore, Sagapo, Dashuri”, “Woman” me koreografi të Biagio Tambone-s dhe “Passione” me koreografi të Tania Matos-it.

Bashkëpunimi në “Tra Uomo e Donna/Trittico” nuk është i pari që ai ka me koreografin Tambone, profesor në Shkollën e Baletit dhe të Teatro alla Scala.

Cino e njeh atë që kur ishte nxënës i tij, ndërsa me Tania Matos ka bashkëpunuar edhe më parë për koreografitë e shfaqjes “Tra uomo e donna”.

Krah balerinit të njohur shqiptar do të ketë edhe balerinë të tjerë, aktorë dhe instrumentistë. Ndër balerinët mund të përmendim Annalisa Cianci, Simona Deiana, Antonello Mastrangelo, Giulia Paris, Barbara Pennavaria, si edhe shqiptarin Mirand Pulaj. Aktorët janë Samantha Fantauzzi dhe Angelo Marotta. Ndërkohë që për t’u veçuar janë edhe dy instrumentiste shqiptare: Fatma Spahiu në piano dhe Anyla Kraja në violinë.

Leon Cino është balerin klasik shqiptar, fitues i edicionit të tretë të emisionit “Amici” të Maria de Filippi-t. Në teatër ai ka qenë protagonist shfaqjesh të suksesshme si “Footloose” dhe “Io ballo”. Së fundi, si protagonist i muzikalit “L’Arca di Giada” të shfaqur për herë të parë më 18 qershor në Romë, në dekorin e mrekullueshëm të Trinita dei Monti në Piazza di Spagna, mbushi sheshin me admirues të tij dhe të baletit. Në nëntor, me këtë muzikal ai do të nisë një turne në mbarë Italinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›