E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonard Bombaj: Po grabitem për së dyti!

Nga LEONARD BOMBAJ

leonard-bombajMedias shqiptare!Po ju shkruaj publikisht, pasi kjo histori private, mund të shërbejë për Opinionin Publik!. Po grabitem për së dyti! Herën e parë nga dora e krimit në 2010, së dyti nga krimi me duart e drejtësisë në 2013!
Nga njëra dorë kam një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të formës së prerë që ka dënuar fajtorët që më vunë gjobë, nga dora tjetër kam një vendim të një gjyqi civil që i vjen tërësisht në kundërshtim me Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në dorën ku kam vendimin e formës së prerë të Krimeve të Rënda, fajtorët që siguruan me dhunë një kontrate shitje makine nga dora ime, janë dënuar penalisht për gjobë vënie. Në dorën tjetër të Gjyqit Civil një bashkëpunëtor i tyre (mik i fajtorëve) më akuzon se unë i paskam vjedhur atij makinën time! Pra kolegë të Medias, në mes të dy duarve, jam unë Leonard Bombaj, qytetar i Republikës së Shqipërisë që i jam borxhli hajdutëve! Me duart lart! Me dy vendime kundra njëra tjetrës. Po vazhdoj!
Në dorën që kam vendimin e krimeve të rënda, unë publikisht i fala njerëzit, duke i kthyer kurrizin të kaluarës.
Në dorën tjetër të Gjyqit Civil z. Dionis Jazaj mik i fajtorëve, ka fituar një gjyq pa prezencën time dhe me mua në mungesë! Në çastin që unë nisem për turne me 30 artistë drejt 1500 spektatorëve, në derë më vjen përmbarimi dhe policia. Ju  lutem më lejoni të vazhdoj pjesën komike të gjykatës, që tragjedizon jetën qytetare: Në Gjykatën Civile, miku i fajtorëve deklaron: Leonard Bombaj është miku im prej kohësh, më shiti makinën dhe pastaj ma mori prapë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ky mik që se kam njohur kurrë deklaron: makinën ma shiti Leonardi, lekët ja dhashë fajtoreve, pastaj makinën ma morën prapë fajtorët!
Një detaj i vockël, që solli dëme të mëdha: përse ky Leonard e shiti makinën? Sepse dy prej  tyre ishin policë, me karta policie, dhe unë nuk kisha shtet tjetër të më ndihmonte, kështu që u detyrova të ndjek urdhrat e tyre, nën kërcënimin e armëve, duke parë kuturu një shtet që të më mbronte. Prapë policia më kërkon me insistim që unë të dorëzoj makinën time, që ma morën gjobë vënësit. Do të doja që opinioni të informohej për një biznes të paskrupullt që ekziston mes nesh, një biznes që e mora vesh në këtë eksperiencë të mos qoftshme: Bankierë pirat pa licencë, që grabisin hallexhinj, që më saktë quhen pengmarrës makinash.
Nëse një njeri i sëmurë, ka nevojë për një operacion urgjent dhe i duhen 5 milion lekë, ky i shkretë, dorëzon makinën 15 milionëshe tek këta bankiere piratë, e shet atë për 5 milion. Pas gjashtë muajve këtij njeriu ndoshta i shëruar i duhet një vit të grumbulloj lekët, dhe pas një vit e gjysmë, merr vesh që kamatat e kanë çuar borxhin në 20 milion lekë. Atëherë viktima e shkretë pajtohet me fatin, dhe humb makinën. Ndërsa këta pengmarrës makinash, blenë një makinë 15 milionëshe për 5 milionë. Dhe kështu historia vazhdon, dhe këta bankier piratë makinash me lekët e fituara, investojnë në segmente të drejtësisë për të fituar gjyqe si psh, le të themi kundër Leonardit dhe në strukturat e policisë për ti ekzekutuar këto vendime. Ruajuni! Se ka shume nëpër këmbë! Pra ky zotëri që sot unë i paskam vjedhur makinën time, në sy të grabitësve fliste me mua për data, dhe kamata i mbështetur nga Gazmend Canaj (i njohur si Gazi i Dijes). Por falë Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Renda gjithçka u parandalua, fajtorët u dënuan dhe makina u rikthye tek unë. Por konfuzioni tashmë është në derë të disa palëve: Z.Dionis Jazaj do makinën time që ja paskam vjedhur, përmbaruesi ka një vendim në dorë të Gjykatës Civile, dhe i bën presion policisë për mbështetje, dhe Leonardi shpallet në kërkim, me një vendim në dorë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, që nuk më ndihmon në këtë çast. Nuk është rastësi që ky sulm mbi emrin tim, bëhet në çastin që sapo kam mbaruar një serial, sapo kemi mbaruar turneun në 12 qytete me mbi 20 mijë spektatore. Nuk është rastësi që sapo botova librin Papafingo me vipat shqiptare, një Dorë sulmon mbi jetën time. Jam shumë i entuziazmuar se së shpejti do fillojmë sezonin 2 të Fresk Fare, do rihapet Qendra Artistike për qindra fëmijë 3 deri 17 vjeç. Përpara Medias po i drejtoj vetes pyetjet më të vështira: Mos vallë kam bërë gabim që fala gjobë vënësit e mi? Mos valle z.Dionis Jazaj, po kryen hakmarrje të porositur? (dëm material, dhe dëm imazhi?). Meqë hakmarrja përfshin baltën mbi emrin tim, atëherë dhe unë po ju ri përmend emrat e mësipërm: Dionis Jazaj, Gazmend Canaj,(Gazi i Dijes), njerëz që i zënë frymën hyrjes së Komisariatit, me makina dhe shoqërues. Krijesa që të vjedhin edhe këmishën e hallit tënd, dhe vishen si viktima. Investigojini! Do surprizoheni!. Kurrë nuk jam penduar për faljen që kam ofruar, sepse fala njerëzit dhe jo krimin, dhe si të gjithë artistet faljen e kemi instikt, që furnizohet nga përfytyrimi i së ardhmes. Por si shumë shqiptarë të fyer nga padrejtësia, po përmend Borghesin: Nuk kam frikë nga vdekja! Ndoshta trupi im po! Ky është jeleku antiplumb që na ka mbetur të veshim. Kërkoj nëpërmjet medias që të pezullohet kjo bastisje që tashmë po mjel të ardhura nga llogaria ime bankare dhe rroga e bashkëshortes. Kërkoj që z.Dionis Jazaj të paraqitet në gjyqin që unë e pres për kontratë të dhunshme dhe paratë tua kërkojë atyre që ua ka dhënë, dhe që janë dënuar pikërisht për ato lekë. Po e mbyll shumë shpejt, këtë letër, madje i ndrojtur sepse e di që ka plot shqiptarë për të rrëfyer halle më të rënda, dhe dhimbje më të padurueshme, që heshtin me ulërimë!. Më pëlqen të besoj, se shteti ekziston, që Drejtësia Vendos edhe drejt!. Ju faleminderit për kohën, vëmendjen! Mbetem Juaji sinqerisht!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›